Mitrovicė: Testi Lakmus I Kosovės. Punim diskutimi i ESI
28 April 2006
Berlin
Click here to view this document as a PDF file in A4 format. To download the PDF file to your computer, right-click here, select "Save Link/Target As..." in the contextmenu and choose a destination on your hard disk. If you are having problems opening this PDF file, please click here for help. Please note that the PDF version of this document also contains footnotes that are not used in its web version.

Lakmus testi: Test i cili përdor një indikator të vetëm për të vendosur karakterin e një substancës

Mitrovica është testi 'lakmus' i Kosovës. Parimet udhëzuese të vendosura nga Grupi i kontaktit – mos-ndarje, decentralizim, kthim dhe një Kosovë shumetnike – këtu do të ballafaqohet me testin më të vështirë. Në Mitrovicë udhëheqja kosovare duhet të vërtetojë se zotimi i tyre për një shoqëri shumetnike është më shumë se retorikë.

Më 4 maj, Mitrovica dhe kufijtë komunalë do të jenë në agjendën e bisedimeve mbi statusin në Vjenë. Gjatë javëve të fundit është rihapur një debat, shpeshherë i tensionuar, ku janë prezantuar propozime të ndryshme për qytetin e ndarë. ESI ka organizuar një konferencë speciale për Mitrovicën, së bashku me Wilton Park, në Vjenë me 30 Mars, ku kemi përmbledhur propozimet tona për një zgjidhje të qëndrueshme për qytetin:

  1. Angazhim sa më i shpejtë, drejt një zgjidhje permanente për Mitrovicën që të mundësojë fillimin e ndërtimin institucional lokal, edhe pa një administrim të përkohshëm ndërkombëtar. Një zgjidhje tjetër e përkohshme në këtë fazë thjesht do të shtynte marrjën e vendimeve të vështira deri në një kohë kur influenca ndërkombëtare do të jetë më e dobët dhe prezenca ndërkombëtare në vend të zvogëlohet. Kjo zgjidhje do ta mbante Mitrovicën si pikë ndezëse në politikën kosovare. Në vitet e ardhshme, komuniteti ndërkombëtarë duhet të luajë një rol të përforcuar në Mitrovicë, në dy fusha: siguri dhe zhvillim ekonomik. Komuniteti nderkometar nuk duhet të përfshihet direkt në qeverisje lokale.
  2. Palët në bisedimet në Vjenë duhet të pranojnë krijimin e një komune të re në Mitrovicën veriore, me përbërje territoriale e cila tashmë është nën administrimin e KB-së. Një komunë e tillë do të duhej patjetër të pajtohej më ligjet dhe rregulloret e Kosovës, si edhe çdo komunë tjetër, duke përfshirë respektimin e plotë për të drejtat pronësore dhe përkrahjën për kthimin.
  3. Pranimi dhe zbatimi i një zgjidhjeje të përhershme të Mitrovicës duhet të bëhet test i gatishmërisë së qeverisë së Kosovës t'i përmbushë premtimet e veta për decentralizim dhe t'i mbrojë serbët e Kosovës nga elementet ekstreme të komunitetit shqiptar të Kosovës.
  4. Përgatitjet për transferimin e autoritetit nga administrimi i KB-së tek një qeveritar komunal i emëruar i Mitrovicës së Veriut duhet të fillojnë këtë verë, paralel me bisedimet mbi statusin. Administrata e komunës së re të Mitrovicës së Veriut duhet të themelohet para se të përfundojë procesi i statusit final, e pasuar nga zgjedhjet e ardhshme komunale.
  5. Duhet të bëhet e qartë se UNMIK-u, KFOR-i dhe cilido mision pasues ndërkombëtarë do të reagojë fort ndaj çfarëdo përpjekjeje të përdorimit të forcës për të ndikuar në ardhmërinë politike të Kosovës veriore. Gjatë bisedimeve mbi statusin e Kosovës, zotimi i Grupi të Kontaktit për "mos-ndarje" të Kosovës duhet të theksohet përmes pozicionimit të më shumë trupave ndërkombëtare në rajonin verior të Ibrit. Ata poashtu duhet të zotohen të qëndrojnë në vend aq sa të jetë e nevojshme në periudhën e pas-statusit.
  6. Masat e sigurisë ndërkombëtare duhet të ngritën menjëherë që të dërgojnë sinjal të fortë dhe të qartë tek radikalët e të dyja palëve se dhuna nuk do ta pengojë zbatimin e zgjidhjes politike. Krijimi i komunës së ndarë të Mitrovicës Veriore nuk duhet të krijojë vakum ligjor në veri të Ibrit.
  7. Bashkëpunimi i ardhshëm në mes të dy komunave të qytetit, Mitrovicës dhe Mitrovicës së Veriut, duhet të bazohet në stimulime të qatra ekonomike dhe duhet të jetë kusht për përkrahjën nga donatorët ndërkombëtarë. Donatorët duhet që t'i koordinojnë përpjekjet e tyre dhe duhet të insistojnë të punojnë me Agjencionin Rajonal për Zhvillim të Mitrovicës, i cili do të përfshije përfaqësuesit nga komunat e Mitrovicës, Mitrovicës së Veriut dhe të Zveçanit.
  8. Komuniteti ndërkombëtar duhet ta rrisë prezencën e tij në sferën e zhvillimit ekonomik dhe social të qytetit. KB-ja duhet ta emërojë një Koordinator të lartë për Zhvillimin e Mitrovicës, që do ta dëshmonte seriozitetin e zotimeve të KB-së për zhvillimin e qytetit. Koordinatori do të ishte urë lidhëse në mes të donatorëve ndërkombëtarë, qeverisë së Kosovës, dhe Serbisë si 'donatore strategjike' për serbët e Kosovës. Grupi i donatorëve 'miqtë e Mitrovicës' do të duhej të aktivizohej sërish.
  9. Një projekt i rëndësishëm, i udhëhequr nga Koordinatori për Zhvillimin e Mitrovicës do të mund të ishte jetë studimi i realizueshmërisë së një Universiteti të Evropës Juglindore në Mitrovicë, ngjashëm me universitetin shumë-gjuhësor të zhvilluar me sukses në Tetovë (Maqedoni).
Pse Mitrovica është e rëndësishme?

Çelësi i të ardhmes së Kosovës ndodhet në një pjesë të vogël territori me më pak se tri kilometra katrorë. Të gjitha çështjet e rëndësishme në bisedimet mbi statusin final ndeshen në Mitrovicë. Mitrovica e Veriut është pjesa e fundit e Kosovës e cila është ende nën administrimin direkt ndërkombëtar. Decentralizimi akoma duhet të ndodh; kthimi dhe të drejtat pronësore vazhdojnë të mbesin burime tensionesh; strukturat e sigurisë mungojnë; dhe institucionet – si ato lokale ashtu edhe ato ndërkombëtare – nuk kanë reaguar efektivisht ndaj krizës ekonomike të qytetit, e cila është duke u thelluar.

Ka shumë arsye se pse Mitrovica ka rëndësi kaq të madhe për të ardhmen e një Kosove shumë-etnike. Vlerësohet se 18 përqind të serbëve të Kosovës jetojnë në pjesën veriore të lumit Ibër, në Mitrovicën Veriore dhe në komunën e Zveçanit (18 përqind të tjerë në Leposaviq dhe Zubin Potok).

Ku jetojnë serbët e Kosovës, bazuar në regjistrimin në shkollat fillore (2003)

Komuna

Nxënësit e shkollave fillore

Përqindja në total

Gjilan / Gnjilane

1,936

13.5

Leposaviq / Leposavic

1,819

12.7

Mitrovica e Veriut

1,630

11.3

Kamenicë / Kamenica

1,325

9.2

Prishtina / Pristina

1,229

8.6

Shterpce / Strpce /

1,217

8.5

Zveqan / Zvecan

981

6.8

Lipjan / Lipljan

969

6.7

Zubin Potok

869

6.0

Vushtrri / Vucitrn

619

4.3

Viti / Vitina

474

3.3

Obiliq / Obilic

408

2.8

Fushë Kosovë/Kosovo Polje

348

2.4

Peja / Pec

180

1.3

Novobërdë / Novo Brdo

164

1.1

Rahovec / Orahovac

137

1

Istog / Istok

33

0.2

Skenderaj / Srbica

30

0.2

Totali

14,368

100.0

 

Me përjashtim të Mitrovicës së Veriut, prezenca urbane e serbëve të Kosovës janë zhdukur plotësisht. Jo më tepër se një grusht serbësh që kanë mbetur në Prishtinë, Pejë, Prizren. Mitrovica e Veriut, me spitalin dhe universitetin e saj, është pikëmbështetja e fundit urbane serbe. Kjo e shpjegon se pse Mitrovica është bërë aq e rëndësishme – ekonomikisht dhe simbolikisht – për komunitetin e serbëve të Kosovës.

Veç kësaj, Mitrovica ka një histori të hidhur të dhunës komunale. Trazirat e fundit të marsit 2004 treguan se Mitrovica mbetet pikëndezja më e rrezikshme në Kosovë, ku një shkëndijë e vetme mund të shkaktojë dhunë gjithëpërfshirëse. Incidenti i therrjës me thikë, mbi urën e Ibrit me 27 mars, i ritheksoi këto rreziqe. Ekzistojnë shqetësime të arsyeshme se çdo zhvillim pozitiv apo negativ gjatë bisedimeve për statusin final, mund të nxisë dhunë në Mitrovicë që do të përhapej në rajonet tjera.

Drejt një zgjidhjeje të përhershme

Me 7 prill, ish-kryetari i komunës së Mitrovicës dhe Kryeministri i parë i Kosovës, Bajram Rexhepi, paraqiti 'Strategjinë për Mitrovicën' tek udhëheqësia e shqiptarëve të Kosovës. Propozimi parashihte krijimin e dy njësive nën-komunale, në jug dhe në veri, të qeverisura bashkërisht përmes një Këshilli të vetëm ekzekutiv, i cili në vitet pasuese do të udhëhiqej nga një administrator ndërkombëtar.

Me 19 prill, Ekipi Negociator i Kosovës ndërmori një hap edhe më të guximshëm, duke premtuar krijimin e tri apo katër komunave të reja me shumicë serbe, përfshirë këtu edhe komunën e re të Mitrovicës së Veriut, ku ndërkombëtarët do të kishin një rol të veçantë në administrimin e qytetit. Në debatin televiziv në Mitrovicë me 26 prill, Bajram Rexhepi apeloi tek liderët e të dy palëve duke thënë se: "Ky është momenti i fundit për t'i dhënë një mundësi Mitrovicës. Mitrovica nuk ka pasur një mundësi të tillë gjatë shtatë vjetëve të fundit".

Këto propozime provokuan reagime të zjarrta. Një pjesë e mediave kosovare etiketuan propozimin e Rexhepit si propozim 'jo shqiptar', sepse ka bërë shumë lëshime për serbët. Politikanët lokal në jug të Mitrovicës publikisht kritikuan propozimin, duke thënë se qyteti duhet të bashkohet me çdo kusht. Milan Ivanoviçi, përfaqësues i Këshillit Nacional Serb, njoftoi se serbët nuk do të pranojnë asnjë status veç atij të komunës së ndarë, që i përgjigjet drejtpërsëdrejti Beogradit.

Duke u përballur me pozita që duken kundërthënëse, disa nga hartuesit ndërkombëtarë të politikave, kanë bërë përpjekje të heshtura që kjo çështje të zvarritet, nga frika se çfarëdo vendimi do të ndizte reagime të dhunshme. ESI beson se është iluzion të besohet që problemi i Mitrovicës do të zgjidhet më lehtë kur bisedimet mbi statusin final t'i afrohen fundit. Zbatimi i një marrëveshjeje për Mitrovicën do të ishte edhe më i vështirë pas zgjidhjes së statusit të Kosovës kur ndikimi ndërkombëtar mbi procesin politik të jetë dobësuar. Mbi të gjitha, nëse zgjidhja nuk gjendet tani, do të humbet një rast i mirë për ta tejkaluar njërën nga çështjet më problematike të bisedimeve për statusin e Kosovës.

Themelet e dilemës strategjike janë të qarta. Serbët e Kosovës frikësohen të jetojnë brenda një qyteti të ribashkuar të kontrolluar nga shqiptarët, si dhe mundësisë që të jenë të zhvendosur nga kalaja e tyre fundit urbane. Shqiptarët e Kosovës frikësohen se ndarja e Mitrovicës do të jetë një hap drejt ndarjes së Kosovës.

Një mundësi do të ishte që delegacioni i Prishtinës të bëjë një ofertë unilaterale për kufijtë komunalë. Kjo do të zgjidhte një prej standardeve kyçe dhe do të përmbushte një parakusht për zgjedhjen e statusit final. Do të ishte një mundësi që udhëheqja shqiptare të Kosovës ta dëshmonte gatishmërinë e saj për t'i adresuar shqetësimet e serbëve të Kosovës. Poashtu, kjo zgjidhje do ta forconte pozitën e politikanëve serb të Kosovës të cilët e shohin të ardhmen e tyre brenda politikës kosovare.

Ekzistojnë dy shqetësime kryesore që e frenojnë anën shqiptare ta bëj këtë oferte. Së pari, Prishtina ka frikë se krijimi i një komune të re të kontrolluar nga serbët në Mitrovicën e Veriut mund të krijojë një vakum ligjor në veri të Ibrit. Kjo situatë do të mund të shfrytëzohej nga elemente radikale të cilat do të mund t'i ri-themelonin formacionet paramilitare që do ta bllokonin kthimin. Frika e dytë ka lidhje me komunitetin ndërkombëtar. Prishtina dyshon që zotimi ndërkombëtar për mbështetjen e një Mitrovice shumetnike do të transformohet në asistencë kuptimplote. Pa masa konkrete, pranimi i një kompromisi të dhimbshëm nga popullata shumicë në jug do të jetë edhe më i vështirë.

Për t'i adresuar këto dy frika, disa anëtarë të Ekipit Negociator sugjeruan emërimin e një administratori ndërkombëtar, i cili do ta mbikëqyrte zbatimin e zgjedhjes politike gjatë periudhës së tranzicionit, dhe do të siguronte që vëmendja ndërkombëtare të mbetej e fokusuar në Mitrovicë. Liderët shqiptarë gjithashtu do të donin të shihnin rritje të prezencës së KFOR-it dhe policisë ndërkombëtare si një sinjal ndaj radikalëve e të dyja anëve që shqetësimet e sigurisë janë marrë seriozisht.

Sa u përket çështjeve të sigurisë dhe zhvillimit, ESI apelon për një rol më të fortë ndërkombëtar në Mitrovicën e pas statusit. Megjithatë, gjithçka që krijon rregullim special administrativ për Mitrovicën duhet të pengohet.

Mitrovica do të mbetej në një situatë të pa-lakmueshme, me një status të përkohshëm, po që se qeverisja lokale do të mbetej në duart e administratës ndërkombëtare. Asnjëra palë nuk do të kishte vullnetin e duhur për të bërë marrëveshjet e ndërlikuara për ndarjen e pushtetit. Në fakt, elementet radikale të të dyja anëve do ta trajtonin situatën në favor të tyre. Ata do të mundoheshin ta minonin pozitën e administratës ndërkombëtare duke i mbajtur tensionet e ngritura, me shpresë që të krijonin një marrëveshje politike më të favorshme për ta në të ardhmen. Shkurt, nën administrim të përkohshëm ndërkombëtar problemi i Mitrovicës nuk do të zgjidhej fare: do të vazhdojë të jetë një 'letër bixhozi' në lojën e madha strategjike.

Administratorët e ardhshëm ndërkombëtar, njejtë si ata të kaluarit, nuk do të munden t'i shtyjnë të dy palët të bashkëpunojnë ose të mos i bojkotojnë institucionet e përbashkëta. Gjatë shtatë viteve të kaluara, madje me një numër të konsiderueshëm të trupave dhe të policisë ndërkombëtare në dispozicion, UNMIK-u ka pasur vështirësi të ushtrojë ndonjë autoritet real në Mitrovicë. Nuk ka arsye të besohet se një mision i ardhshëm, qoftë i KB-së apo BE-së, do t'ia del më mirë në mungesë të zgjidhjes finale ploitike.

Mitrovica si një sfidë zhvillimi

Në vend se të prezantohen marrëveshje të paqëndrueshme për ndarjen e pushtetit, mënyra më premtuese për ti shtyrë komunat të punojnë së bashku do të ishte identifikimi i interesave të tyre të përbashkëta ekonomike, dhe ofrimi i një asistence ndërkombëtare e kushtëzuar me bashkëpunimin mes dy palëve.

Ekziston një vetëdijesim tek të dyja palët se kushtet sociale dhe ekonomike në qytetin e ndarë janë duke u përkeqësuar. Siç ka thënë ish-kryeministri Rexhepi, dikur kryetar i komunës së Mitrovicës, në vitin 2004: "Mitrovica është një qytet, drita e të cilit është duke u shuar, me perspektivë të vdekjes – dhe kjo vlen për të dy anët."

Jeta në Mitrovicën e Veriut mbështetet gati plotësisht nga subvencionet e jashtme që vijnë nga Beogradi dhe Prishtina. Faktori më i rëndësishëm ekonomik në veri është transferi i drejtpërdrejtë nga buxheti i Serbisë. Situata ekonomike në Mitrovicën jugore është edhe më e vështirë. Industritë socialiste të Ballkanit perëndimor nuk janë rrënuar askund më tërësisht se në Mitrovicë. Ndërmarrjet shoqërore, të cilat dikur siguronin më shumë se 19,000 vende pune, tani ofrojnë mbi 1,000 vende pune në jug. Sektori privat përbëhet vetëm nga mikro-ndërmarrjet – kiosqet, taksistët, automekanikët dhe ndërmarrjet e vogla ndërtimore.

Gjendja e vështirë ekonomike dhe sociale në rajonin e Mitrovicës është e qartë. Duke marrë parasysh situatën e tanishme, kthimi në 'normalitet' duket pak i mundshëm në të ardhmen e afërme. Shumë shpejtë mund të zvogëlohet numri i të huajve që jetojnë dhe shpenzojnë para në Mitrovicë, si dhe numri i projekteve të donatorëve në Mitrovicë. Po të ndaleshin subvencionet e jashtme të siguruara nga buxhetet e Serbisë dhe Kosovës, Mitrovica do të përjetonte një shpopullim dhe rënie të vazhdueshme ekonomike. Çdo reduktim i transfereve, e në veçanti atyre nga Beogradi, mund të shpie deri te një shpërngulje masive të elitës serbe. Nga perspektiva më afatgjate, serbët e Mitrovicës së Veriut kanë arsye të frikësohen nga rënia ekonomike njëjtë aq sa edhe nga dhuna ndër-komunale.

Ka kohë qe diplomatët ndërkombëtarë flasin për nevojën e ringjalljes ekonomike në Mitrovicë. Megjithatë, resurset nuk kanë arritur as afër nivelit të kërkuar dhe kanë dështuar të arrijnë deri tek popullata lokale.

Donatorët duhet të përkrahin zgjidhjen politike në Mitrovicë me një zotim të madh resursesh. Përgatitjet për këtë duhet të nisin para kësaj vere. Sa më shpejtë që është e mundur, resurset duhet të programohen në bazë të një 'Plani zhvillimor të rajonit të Mitrovicës' që do t'i mbulonte komunat e Mitrovicës së Veriut, asaj të jugut dhe Zveçanit. Ky plan do të përgatitej nga Agjencioni Zhvillimor Rajonal ku do të përfaqësoheshin të gjitha këto komuna. Mënyra 'pjesëmarrëse' e programimit të asistencës së donatorëve do të siguronte mekanizmin përmes të cilit bashkëpunimi rajonal mund të ri-themelohet. Kjo zgjidhje do të ishte më e suksesshme se sa ndonjë organ administrativ ndër-komunal.

Një projekt kryesor për të ardhmën ekonomike të Mitrovicës, i cili kohëve të fundit po fiton përkrahje gjithnjë e më shumë, është ideja për një universitet ndërkombëtar të Evropës Juglindore, ku mësimi do të vijohej në disa gjuhë. Universiteti i themeluar në Tetovë në vitin 2001, atëherë kur Maqedonia ishte në prag të luftës civile, ka qenë një sukses i madh. Ai bashkoi studentë maqedonë dhe shqiptarë, ndihmoi stabilizimin e qytetit dhe siguroi si kapital edhe vende të domosdoshme të punës. Pas një investimi fillestar nga donatorët ndërkombëtar, Universiteti i Evropës Juglindore në Tetovë sot vetë-financohet. ESI beson se ky sukses mund të përsëritet në Mitrovicë. Detaje të këtij propozimi mund të gjenden në aneks.

Aneks: Mitrovica si një qytet universitar

Vizioni i Mitrovices si qytet universitar shume-etnik është një iniciativë që donatorët do të mund ta nisnin menjëherë.

Një propozim i tillë është prezantuar nga ESI në takime të ndryshme ndërkombëtare gjatë muajve të fundit. Duket se ka interes të vërtetë për këtë ide mes disa donatorëve kryesor. Një koalicion donatorësh duhet ta shqyrtojë idenë e themelimit të një universiteti të kualitetit të lartë, shumë-gjuhësor, të Evropës Juglindore në Mitrovicë. Nëse studimet e realizueshmërisë do të fillonin shpejt, universiteti i ri mund t'i hapte dyert e veta në tetor të vitit 2007.

Vendimi për themelimin e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë është marrë në korrik të vitit 2000. Ndërtimi filloi në prill 2001, atëherë kur Maqedonia ishte në prag të luftës civile. Megjithëse tensionet më të larta ishin në rajonin e Tetovës, mësimet filluan me 29 tetor 2001.

Ky projekt ambicioz ka ndërruar imazhin e Tetovës prej një vatre të pakënaqësisë të shqiptarëve të Maqedonisë, në një qytet atraktiv universitar. Brenda një viti, një universitet ndërkombëtar shumë-gjuhësor u shfaq në një vend që ishte plantazh mollash më parë, i përdorur nga Shkolla e lartë bujqësore në Tetovë. Sot universiteti ka rreth 6,000 studentë. Tërheqja e më shumë se 2000 studentëve jo shqiptarë një qytet i cili është me 70 përqind shqiptarë u arrit përmes ofrimit të mësimit të kualitetit të lartë, planit mësimor modern dhe lëndëve që nuk ofrohen nga universitetet e tjera maqedonase. Ky universitet njihet si njëra ndër institucionet mësimore më të mirat në Maqedoni.

Ekzistojnë shumë mësime unike nga ky tregim i suksesshëm. Në Tetovë, një koalicion donatorësh dha afër 40 milionë euro për ndërtim dhe funksionim të universitetit. SHBA-të vetë kontribuan me gati gjysmën e kësaj shume. Diku rreth 2.5 milionë euro nga Agjencia Evropiane për Rindërtim aktualisht janë duke u përdorur për zgjerimin e ndërtesave të universitetit. Universiteti është i vetë-financueshëm fale pagesës së shkollimit nga ana e studentëve si dhe bursave qe jepen nga një numër i qeverive evropiane përfshirë këtu Norvegjinë, Austrinë dhe Holandën. Suksesi i universitetit ka qenë po ashtu edhe rezultat i udhëheqjes së suksesshme nga Komisionari i Lartë i OSBE-së për Minoritete, Max van der Stoel, i cili ndihmoi në sigurimin e përkrahjes ndërkombëtare dhe lokale për Universitetin.

Kosova ka nevojë të madhe të zgjerojë dhe modernizojë shkollimin e lartë. Vendosja e një universiteti të ri në Mitrovicë do të siguronte punësim për banorët e qytetit dhe në të njëjtën kohë do të tërhiqte gjenerata të reja në qytet. Sipas një libri klasik mbi ekonomitë rajonale, universitetet:

"kanë ndikim të konsiderueshëm ekonomik në rajonet ku gjenden. Ato punësojnë shumë punëtorë, shtrihen në sipërfaqe të mëdha tokësore dhe shpenzojnë shuma të konsiderueshme në ekonominë lokale. Përveç efektit shumëzues të shpenzimeve që e kanë mbi ekonominë lokale, universitetet mund të kenë efekt edhe më të gjera përmes fuqive të cilat i prodhojnë, siç janë dija, aftësitë dhe pajisjet."

Mitrovica edhe sot është një lloj i qyteti universitar. Me rivendosjen e dhjetë ndërtesave të Universitetit të Prishtinës, i menaxhuar nga serbët e Kosovës së veriut, universiteti është bërë pjesë e rëndësishme e ekonomisë lokale. Përafërsisht 3,500 studentë ndjekin studimet e tyre; prej tyre, diku 2,000 jetojnë në Mitrovicë. Universiteti ka të punësuar rreth 1,060 njerëz, prej të cilëve 750 janë staf mësimdhënës. Përderisa shumica e profesorëve nuk jetojnë në Mitrovicë, prapëseprapë universiteti sjell një rrjedhje parash. Studentët dhe profesorët marrin me qira banesa, shpenzojnë para në shitoret lokale dhe sjellin jetë në qytet. Universiteti ka qenë investitori më i madh në Mitrovicë gjatë tri viteve të fundit: tri konvikte të reja janë ndërtuar, një i ndërtesë e vjetër është rinovuar dhe i pesti është në ndërtim e sipër. Ndërtesat tjera të reja në Mitrovicë përfshijnë rektoratin, fakultetin filologjik, ndërtesa për fakultetin e mjekësisë në kompleksin e spitalit dhe një ndërtesë e cila siguron akomodim për 45 mësimdhënës.

Duke u zgjeruar kështu, ESI propozon të themelohet universiteti i dytë shumë-gjuhësor (veç universitetit serb në veri) si një institucion privat jo-profitabil dhe i kualitetit të lartë. Ky universitet do të ofronte kurse të cilat nuk ofrohen sot në Kosovë (Studime të ambientit, Studimet mbi integrimet evropiane, etj.).

Kjo ide është diskutuar në detaje në Konferencën e përbashkët të ESI-të/Wilton Park në Vjenë. Disa nga qeveritë evropiane shprehën interesim për ndihmë në mobilizimin e fondeve për ta shqyrtuar idenë më tutje. Si hap i parë, një studim i realizueshmërisë duhet të përfundohet dhe një lider si Max van der Stoel të identifikohet që ta shtyen idenë përpara. Me një mbështetje të mjaftueshme financiare ndërkombëtare dhe përkrahje të qeverisë, mësimet mund të fillojnë diku kah qërshori 2007.

Ky punim është përkrahur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Konferenca Mitrovica Wilton Park me 30 Mars 2006 është përkrahur nga Qeveria e Norvegjisë dhe ajo e Zvicrës. Opinionet e shprehura këtu janë ato të ESI-t.

Shtojca: Harta e Kosovës

Berlin, 28 April 2006
Click here to view this document as a PDF file in A4 format. To download the PDF file to your computer, right-click here, select "Save Link/Target As..." in the contextmenu and choose a destination on your hard disk. If you are having problems opening this PDF file, please click here for help. Please note that the PDF version of this document also contains footnotes that are not used in its web version.