Fshati I Ali Ahmetit. Ekonomia Politike E Marrëdhënieve Ndëretnike
1 October 2002
Shkup dhe Berlin
Click here to view this document as a PDF file in A4 format. To download the PDF file to your computer, right-click here, select "Save Link/Target As..." in the contextmenu and choose a destination on your hard disk. If you are having problems opening this PDF file, please click here for help. Please note that the PDF version of this document also contains footnotes that are not used in its web version.
This document is also available in Macedonian.

ESI Projekti pėr sigurinė nė Maqedoni

I pėrkrahur nga Ministria e Jashtme e Zvicrės

Pėrkthyer nga

KIPRED

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime Politike (KIPRED)

PËRMBLEDHJE

Ky raport hulumton ekonominë politike të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni – të "konfliktit tjetër" të resurseve në zhdukje e sipër dhe të kolapsit të standardit jetësor, që shpesh mbeten pa u pavërejtur.

Raporti është i përqëndruar në një rajon në Maqedoninë Perëndimore i banuar nga 52.000 banorë, 50 përqind të të cilëve janë shqiptarë etnikë ndërsa 40 përqind janë maqedonas etnikë. Sikundër edhe pjesa më e madhe e Maqedonisë edhe Kërçova ka traditë të thellë të bashkëjetesës etnike. Me dekada të tëra këtu nuk ka pasur dhunë ndërmjet bashkësive dhe ky rajon ka vazhduar të jetë i qetë edhe në vlugun e luftimeve gjatë vitit të kaluar. Në të njejtën kohë ky rajon vë në pah diversitetin e trendeve ekonomike dhe sociale ndërmjet bashkësive që jetojnë aty, gjë që duket të jetë e programuar që të ngjallë frikë dhe dyshim ndëretnik.

Zajasi, "fshati i Ali Ahmetit", është komunë rurale në rajonin e Kërçovës që ka rreth 10.000 banorë. Kjo është vendlindja e luftëtarit gueril, të shndërruar në politikan partiak, Ali Ahmetit, i cili udhëhoqi kryengritjen që më 2001 solli deri në skaj të luftës civile. Shteti Maqedonas përgjithësisht mungon në jetën e banorëve të Zajasit dhe të pjesëve të tjera rurale të shqiptarëve. Këtu s'ka pothuajse kurrfarë punësimi zyrtar dhe ka tejet pak infrastrukturë. Ekonomia lokale tërësisht mbushet nga ndihmat e punëtorëve të punësuar jashtë vendit. Sipas vlerësimeve konservative, emigrantët me përkatësi shqiptare që janë nga Kërçova e që tani punojnë në SHBA dhe Evropë, dërgojnë më shumë se 16 milion euro në vit – që është më shumë se sa shuma e përgjithshme e pagave të punëtorëve të përkatësisë maqedonase të cilët punojnë në sektorin publik dhe në ish ndërmarrjet në pronësi shoqërore.

Shumica e banorëve në qytetin e Kërçovës janë maqedonas etnikë. Jeta e tyre formësohet nga kriza e shoqërisë industriale të krijuar nga socializmi jugosllav. Gjatë dy dekadave të fundit familjet maqedonase kanë qenë dëshmitarë të rënies drastike të standardit të tyre të jetesës. Industria lokale tanimë ka shumë kohë që ka ndërprerë punësimin, ndërsa administrata publike është nën presion për reduktimin e numrit të të punësuarve si dhe për të bërë vend për një përfaqësim më të madh të pakicave. Në pjesën e maqedonasve etnikë të Kërçovës pothuajse nuk ka fare sektor të ri privat, me përjashtim të disa ndërmarrjeve të vogla të ndërtimit, dyqaneve dhe kafeterive. Kriza e punësimit sipas të gjitha gjasave do të vijë duke u thelluar, dhe secili vend i punës që zhduket e shtyn një familje në drejtim të varfërisë.

Marrëdhëniet ndëretnike në Kërçovë janë të formësuara nga ky paradoks. Si përfitues kryesor gjatë katër dekadave të zhvillimit industrial, maqedonasit etnikë i janë ekspozuar vrazhdë fatit në rënie të këtij zhvillimi. Përjashtimi i shqiptarëve nga sektori socialist dhe nga përfitimet që ky i ofronte, i ka shtyrë ata në kërkim të stratëgjive ekonomike, kryesisht emigrimit dhe tregtisë së vogël, gjë që në anën tjetër i ka bërë këta më të përgatitur për të mbijetuar dështimin e sistemit socialist. Sidoqoftë, dobësia e shtetit maqedonas është pengesë për zhvillim edhe për bashkësinë shqiptare po aq sa edhe për atë maqedonase. Fondet nga diaspora financojnë shpenzimin në Kërçovë, por shumë pak në drejtim të investimeve produktive. Pjesë të mëdha të bashkësisë shqiptare vazhdojnë të mbesin të ngujuara brenda një zhvillimi të ulët, gjë që vlen veçanërisht për pjesët rurale.

Këto përvoja divergjente, shpjegojnë perceptimet e ndryshme të dy bashkësive për atë sesiështë duke dështuar shteti i Maqedonisë, si dhe për atë se kush është duke e bartur barrën e këtij dështimi. Edhe pse ka një prosperitet relativ në vend, këndvështrimi shqiptar është i ngjyrosur nga përvoja e përjashtimit gjatë gjithë jetës. Shqiptarët luftojnë për të arritur deri tek sistemi i përfitimeve të sponsorizuara nga shteti, derisa ky sistem pothuajse është zhdukur tërësisht. Nga ana tjetër, maqedonasit etnikë ndihen të rrethuar si në aspektin social ashtu edhe në atë ekonomik, dhe këta i shohin kërkesat e shqiptarëve si kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pozitës së tyre. Në këtë ambient, beteja për të vënë nën kontroll burimet publike në rënie e sipër shumë lehtë merr ngjyrosje etnike, duke pasur parasysh se ekonomia politike e maqedonasve është e natyrës tejet eksplozive. Është joshës mendimi se tanimë është kryer pjesa më e vështirë e arritjes së paqes së qëndrueshme në Maqedoni. Megjithatë, analiza në këtë raport sugjeron të kundërtën. Gjatë periudhave që pasojnë, si elita politike maqedonase ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të merret me një varg çështjesh të ndjeshme.

Dispozitat kryesore të Marrëveshjes së Përgjithshme të gushtit 2001 (Marrëveshja e Ohrit), (përfaqësimi i barabartë i pakicave në administratë publike, të drejtat gjuhësore dhe forcimi i qeverisjes lokale) do të kërkojnë një program ambicioz të ristrukturimit të institucioneve dhe të rishpërndarjes së resurseve publike. Presioni ndaj Maqedonisë për uljen e shpenzimeve publike, veçanërisht kur është fjala për pjesëmarrje në sektorin publik, nga ana e bashkësisë etnike maqedonase është e pashmangshme që të shihet si kërcënim.

Për politikën e jashtme të sigurisë (unike e embrionale) të Unionit Evropian, Maqedonia paraqet shembullin se si ndërhyrja intensive mund të kufizojë konfliktin duke e shndërruar krizën në sukses diplomatik. Por, për të ndërtuar më pas mbi këtë sukses, Unioni Evropian duhet që të krijojë një program të besueshëm jo vetëm për zbatimin e dispozitave të Marrëveshjes së Ohrit, por edhe për adresimin e shkaqeve strukturale të konfliktit etnik. Vetëm një projekt serioz i ndihmës evropiane, që adreson problemin e rënies industriale dhe të nivelit të ulët të zhvillimit rural mund të lehtësojë dinamikën e rrezikshme që momentalisht formëson realitetin maqedonas. Beteja për stabilitet ekonomik në Maqedoni është larg prej fitores. Janë vendet si Zajasi dhe Kërçova në të cilat zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit duhet të fillojë të bëjë ndryshime në jetën e njerëzve.

Rajoni i Kërçovës në Maqedoninë Perëndimore

I. HYRJE

Shumica e udhëtarëve në Maqedoni, në rrugën nga Shkupi përmes Tetovës për në Ohër kalojnë nëpër Kërçovë. Por, shumica prej tyre vështirë se do ta vënë re vetë këtë qytet e lëre më dramën intensive sociale të Maqedonisë bashkëkohore që zhvillohet në këtë rajon.

Kur hyn nga ana veriore në rajonin e Kërçovës, së pari vëren fshatin e Zajasit, vendlindjen e udhëheqësit gueril të shndërruar në politikan partiak, Ali Ahmeti. Kryengritja e udhëhequr nga Ahmeti e solli vendin në kufi të luftës civile më 2001, dhe partia e tij e re, Bashkimi Demokratik për Integrim qysh atëherë është shndërruar në forcën kryesuese politike të bashkësisë shqiptare. Në anën e majtë të rrugës qëndron shtëpia e dajës së tij, Fazli Veliu, i cili nga shtëpia e tij e diasporës në Zvicër e ka formuluar ideologjinë e UÇK-së në Kosovë dhe të UÇK-së në Maqedoni. Fshati i Zajasit nuk ka qendër të vërtetë, por vetëm një shpërndarje të kafeneve dhe dyqaneve përgjatë rrugës. Miniera e vjetër e Tajmishtes shtrihet në të majtë, por ajo qëndron e mbyllur që nga mesi i vitete 90. Një shenjë në të majtë drejton për nga punësuesi më i madh në rajon, termocentrali i Oslomejit.

Në dalje të qytetit të Kërçovës kalimtari hyn në zemër të zonës industriale, me të gjitha ndërmarrjet e periudhës socialiste të radhitura përgjatë rrugës si margaritarët në pe. Duke marrë kthesën nga rruga kryesore e Kërçovës, kalimtari hyn përmes rrugës kryesore, "Bulevardi i Çlirimit", e cila ndan qytetin në dy lagje të ndryshme: atë myslimane (kryesisht shqiptare, por gjithashtu edhe turke) në të majtë, dhe atë etnike maqedonase në të djathtë. Ky dallim më së lehti vihet re gjatë muajve të verës kur lagjia shqiptare është shumë më e gjallë. Përgjatë pjesës në të majtë të rrugës kryesore tregtare "Aleksandar Makedonski", kafenetë dhe dyqanet zhvillojnë një tregti mëse të gjallë. Në pjesën maqedonase blerësit janë të paktë. Shumica e projekteve ndërtimore në "Bulevardin e Çlirimit" janë të financuara nga shqiptarët, përfshirë edhe ish qendrën tregtare socialiste që tani po shndërrohet në qendër ceremonie për martesa shqiptare.

Duke numëruar përgjatë rrugës kryesore, kalimtari kalon përbri një kompanie të madhe por të padobishmetë orendive dhe një depoje të madhe gruri, "Zito Karaorman", para se të mbërrijë në fushat e djerra të ish kooperativës bujqësore që njëkohësisht shënon edhe kufirin e pjesës urbane. Duke udhëtuar me veturë, disa minuta më tutje kalimtari arrin në fshatin etnik maqesonas të Drugovës, ku e tërë administata komunale është e ngjyrosur në të kuqe, ndërsa strehimorja në pamje e përkohshme dhe dritaret e zyrës lokale të ministrisë republikane të drejtësisë janë të thyera. Tutje vjen fshati i vogël dhe në dukje shumë i varfëruar, me kompaninë e tekstilit dhe një fermë të peshkut. Dhe pas kësaj vjen Kërçova, padyshim vetëm një vend i parendësishëm dhe i humbur i Maqedonisë.

Ajo që mund të mos vihet re në ngutje e sipër nëpër Kërçovë, është dinamika sociale dhe komplekse të dy bashkësive të cilat kanë shtigje krejtësisht të ndara dhe të ndryshme zhvillimi dhe kjo ka implikime rrënjësore në rrëfimin e të ardhmes së këtij vendi.

Në këtë rajon për dekada të tëra nuk ka pasur dhunë ndërmjet bashkësive etnike dhe ky vend ka vazhduar të jetë i qetë edhe gjatë kulminacionit të luftimeve gjatë vitit të fundit. Sikundër edhe pjesa më e madhe e Maqedonisë, Kërçova ka të rrënjosur thellë një traditë të bashkëjetesës etnike. Edhe pse maqedonasit, shqiptarët, turqit dhe romët jetojnë jetë kryesisht të ndara, megjithatë ka lëmi të pafundme në të cilat ata ndërveprojnë. Kryetari i komunës nga radhët e VMRO-së është zgjedhur në vitin 2000 me përkrahjen e myslimanëve të Kërçovës. Tanimë për vite të tëra gazeta komunale botohet në dy gjuhë, ndërsa shkolla e mesme ka numër pothuajsve të njejtë të nxënësve shqiptarë dhe të atyre maqedonas.

Por, rrëfimi i Kërçovës është thelbësor në mënyrë shumë më të thellë për konfliktin që kaploi Maqedoninë gjatë vitit të kaluar. Ky rajon me 52.000 banorë ngërthen në vete një diversitet të jashtëzakonshëm të shtigjeve sociale dhe ekonomike. Grupet e ndryshme etnike kalojnë nëpër ndryshime të thella sociale, të cilat i shtyjnë ato përgjatë shtigjeve të ndryshme. Është shtegu i zhvillimit (dhe rënies) që duket të jetë i programuar për të gjeneruar dyshimin dhe frikën ndëretnike.

Ky studim i jetës ekonomike dhe sociale në Kërçovë është bërë për të hulumtuar politikën ekonomike të tensioneve etnike në Maqedoni – "konfliktin tjetër" të burimeve në rënie dhe të stileve të jetës në dështim, që për vëzhguesit ndërkombëtarë aq shpesh mbetet i pavërejtur dhe që kërcënon të përmbysë rezultatet e rëndësishme diplomatike të vitit të kaluar.

Ky raport gjithashtu hulumton vështirësitë që qëndrojnë në rrugë të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2001, e cila solli fundin e kryengritjes së udhëhequr nga Ali Ahmeti. Nëse Marrëveshja e Ohrit synon të jetë një instrument për nxjerrjen e vendit nga pasiguria, atëherë janë vendet si Kërçova që nuk i janë nënshtruar jostabilitetit politik, në të cilat kjo Marrëveshje do të duhej të ketë ndikimin më të madh. Të kuptuarit e këtyre vështirësive dhe gjetja e mënyrave për t'i tejkaluar ato do të jetë çelës për suksesin e qeverisë së re të Maqedonisë, dhe për sigurimin e përkrahjes efektive nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

Rajoni i Kërçovës: profili etnik dhe kufijtë komunalë pas vitit 1996

II.KONTEKSTI

Rajoni i Kërçovës në Maqedoninë perëndimore, i banuar nga 26.000 shqiptarë etnikë, 21.000 maqedonas etnikë, 2.500 turq etnikë dhe 1.300 romë, është pasqyrë e shoqërisë bashkëkohore maqedonase. Udhëtimi nëpër fshatrat e këtij rajoni, shëtitja nëpër rrugët e tij, vizita fabrikave apo biseda me banorët e tij të sjell përballë një shoqërie që është në mes të revolucionit social dhe ekonomik.

Spektri social i Kërçovës është formësuar nga ngritja dhe rënia e shoqërisë industriale të krijuar nga socializmi jugosllav. Në dekadat që pasuan pas Luftës së Dytë Botërore shumica e maqedonasve e braktisën jetën e rëndë tradicionale të mbijetësës nga bujqësia dhe lëvizën drejt qytetit të Kërçovës, duke qenë të nxitur nga punët në sektorin e ri industrial dhe joshja e stilit urban të jetesës. Shumë pjesë rurale mbetën plotësisht të pabanuara dhe qyteti u bë vendbanim i tre të katërtave të të gjithë maqedonasve etnikë të këtij rajoni.

Në Kërçovën bashkëkohore reliktet e këtij procesi të industrializimit mund të shihen përgjatë rrugës së "Ilindenit" (e njohur gjithashtu edhe si "rruga e Industrisë") në formën e kompanive të dikurshme, krenare që përbënin kurrizin e shoqërisë së re industriale. Me privatizimin pothuajse të përfunduar, shumica nga këto ndërmarrje janë mbyllur apo mezi mbahen në jetë. Prej rreth 6.000 vende pune në ndërmarrjen socialiste, sa kishte më 1990, gjysma tanimë janë zhdukur dhe rënia edhe më e madhe e këtij numri është e pashmangshme.

Ekonomia lokale e maqedonasve etnike të Kërçovës tani varet shumë nga mijëra vende pune (madje shumë më tepër se sa në kohërat e socializmit) të siguruara nga termocentrali në pronësi shtetërore në Oslomej, pjesë kjo e shërbimit elektrik të Maqedonisë "ESM". Ekziston gjithashtu një numër i projekteve të ndërtimit të financuara nga kompania publike e ndërtimit në Shkup, që udhëhiqet nga ishkryetari i komunës së Kërçovës nga radhët e VMRO-së, Ilija Kitanoski. Drejtorët e këtyre dy ndërmarrjeve publike janë shokë nga fëmijëria dhe në këtë moment konsiderohen të jenë personat më me ndikim në botën e vogël të ekonomisë politike të Kërçovës. Nën qeverinë republikane aktuale, lidhjet e tyre në biznes dhe politikë u kanë ndihmuar që të ruajnë ndërmarrjet e mbetuara në pronësi shoqërore, të lidhura ngushtë nën vete përmes rrjetave të nënkontraktuesve.

Tabela 1. Demografia dhe struktura etnike në rajonin e Kërçovës

 

1948

1994

Komuna

 

Totali

Maqedonas%

Shqiptarė%

Të tjerë%

Kėrēova

8.761

27.543

58.55

26.12

15.33

Drugova

9.824

3.555

87.43

3.68

8.89

Oslomej

7.401

9.170

1.74

98.16

0.10

Vraneshtica

4.203

1.650

79.94

0.48

19.57

Zajasi

5.949

10.055

2.79

97.12

0.09

Totali

36.138

51.973

40.39

50.22

9.39

Burimi: Të dhënat nga regjistimi i vitit 1948 dhe 1994, të projektuara sipas kufijve komunalë.

 

Pa këtë burim të vazhdueshëm të fondeve publike nuk do të shihej kurrfarë dinamike ekonomike në sektorin industrial. Menaxherët etnikë maqedonas në ish-ndërmarrjet në pronësi shoqërore (NPSH), parashohin një të ardhme të zbehtë. Të mbledhur në një hotel në pronësi të ndërmarrjes "Tajmishte", miniera e së cilës është mbylluar para një dekade, ata presin ardhjen e një investitori të madh nga jashtë që do të ringjallë ekonominë lokale ("FIAT"-i thonë disa; "BASF"-i thonë të tjerët). Ata ankohen për rrethimin e qytetit të tyre nga shqiptarët dhe për jostabilitetin e rajonit si tërësi. Nën kushtet aktuale të "frikës dhe të pasigurisë", i thonë ata njëri-tjetrit, do të dështonin edhe ndërmarrjet më konkurruese edhe me menaxherët më të mirë në botë.

Realiteti ekonomik me të cilin tani përballen maqedonasit etnikë nuk është vetëm ai i stagnimit ekonomik, por edhe i rënies së ngadalshme e të vazhdueshme. Ky proces ka shkaktuar një frikë të thellë të shkatërrimit social ndër familjet urbane maqedonase, të cilat gjatë dy dekadave të fundit kanë përjetuar kolapsin e standardit të tyre të jetesës. Ndjenja e pasigurisë ndër ta është akute. Secila punë që zhduket shtyn një familje në varfëri. Ish NPSH-të tanimë ka kohë që kanë ndërprerë punësimet, ndërsa administrata publike është nën presion të reduktimit si dhe të krijimit të hapësirës për përfaqësim të pakicave. Pothuajse nuk ka sektor të ri privat në pjesët e maqedonasve etnikë të Kërçovës, me përjashtim të disa ndërmarrjeve të vogla të ndërtimit, dyqaneve dhe kafeneve.

Vesna, kontabiliste e lartë në NPSH të metalit "Tane Calevski" është shembull tipik se çfarë do të thotë tranzicioni ekonomik në nivelin e një familjeje. Deri në fillim të viteve të nëntëdhjeta, familja e saj kishte dy burime të ardhurash nga punësimi në NPSH dhe gëzonte një standard të lartë të jetës, gjë e zakonshme kjo për klasën e mesme në gjithë Jugosllavinë. Në fillim të viteve 1990, vendi i punës së bashkëshortit të saj në ndërmarrjen e tekstilit "Kikoteks" është bërë i panevojshëm ndërkohë që ai ishte tepër i ri për të marrë pensionin. Paketa e kursimeve të tij ka kohë që është shpenzuar. Kohë pas kohe ai arrin të gjejë ndonjë punë kalimtare si kamarier për 5 euro në ditë. Paga e Vesnës është 125 euro në muaj, por ajo jipet me muaj të tërë vonesë. Siç shpjegon Vesna, shumica e shpenzimeve elementare për jetesë në Kërçovë arrijnë së paku 90 euro në muaj: ushqim (€60); rrymë elektrike (€15); telefoni (€10); dhe ujë (€5). Privilegjet e klasës së mesme që ajo dikur i merrte si të mirëqena (vetura, gjërat moderne të amvisërisë, pushimi vjetor në bregdet) i takojnë së kaluarës. Kompania e Vesnës përballet me një të ardhme tejet të pasigurtë dhe ka shumë gjasa që të përfundojë në falimentim. Në atë rast, kjo do të shtyjë edhe një familje në varfëri të mirëfilltë.

Sektori i ri privat është në anën tjetër të "Bulevardit të Çlirimit" dhe është kryesisht i ri dhe shqiptar. Janë 184 dyqane të grumbulluara në anën shqiptare të rrugës "Aleksandar Makedonski" që shesin qilima, orendi, stoli dhe rroba martese. Këto dyqane e arrijnë qarkullimin e tyre më të madh gjatë muajve të verës, kur mijëra emigrantë shqiptarë kthehen për t'u martuar dhe për ndërtuar shtëpitë e tyre në fshat. Në këtë periudhë lagjia shqiptare gumëzhin nga aktiviteti, ndërsa "Kadillakët" dhe veturat e tjera impresionuese me targa të Çikagos e të Alaskës parkohen përgjatë trotuarit. Shumë nga 300 taksistët privatë të Kërçovës fitojnë jetesën duke transportuar njerëzit nga diaspora prej aeroportit të Shkupit dhe anasjelltas. Zemra e ekonomisë shqiptare përbëhet nga tregtarët, pronarët e restoranteve, ndërtuesit, këmbyesit e të hollave, dhe disa avokatë e mjekë privatë.

Motori ekonomik shqiptar ushqehet pothuajse plotësisht prej ndihmave nga diaspora. Sipas vlerësimeve konservative, "Gastarbeiter"-ët (punëtorët emigrantë modernë) dërgojnë në shtëpi apo shpenzojnë në Kërçovë më shumë se 16 milion euro në vit – numër ky më i lartë sesa shuma e pagave që marrin maqedonasit etnikë të Kërçovës të punësuar në sektorin publik dhe në ish NPSH-të. Është interesant fakti se punëdhënësi më i madh individual i maqedonasve etnikë në Kërçovë është kompania e tekstilit "Himara", pronar dhe menaxher i së cilës është një shqiptar i kthyer nga Franca.

Shqiptarët e Kërçovës kanë qenë të detyruar që të kanalizojnë energjitë e tyre në këtë sektor të ri privat, për shkak të përjashtimit të tyre tradicional nga vendet e punës në administratën publike dhe NPSH-të – përgjithësisht të rezervuara për maqedonasit etnikë. Edhe pse përbëjnë diku rreth 50 përqind të popullsisë në rajonin e Kërçovës, shqiptarët sipas punësimit në administratën publike janë në vendin e tretë, apo thënë me fjalë të tjera ata përbëjnë 14 përqind të të punësuarve në rast se nuk marrim parasysh mësuesit. Nga 1.000 të punësuar në termocentralin në Oslomej (komunë pothuajse krejtësisht shqiptare) më pak se 60 janë shqiptarë. Në pjesën tjetër të ish NPSH-ve duket të ketë edhe më pak të punësuar shqiptarë.

Marrëdhëniet ndëretnike në Kërçovë janë të formësuara nga ky paradoks. Si përfitues kryesor gjatë katër dekadave të zhvillimit industrial maqedonasit etnikë i janë ekspozuar vrazhdë fatit në rënie të këtij zhvillimi. Në të njejtën kohë përjashtimi i shqiptarëve nga sektori socialist dhe nga përfitimet që ky ofronte i ka detyruar ata që të kërkojnë strategji ekonomike, dhe atë kryesisht në emigrim dhe tregti të vogël, gjë që i ka bërë këta më të përgatitur për të mbijetuar dështimin e sistemit socialist.

Këto përvoja divergjente shpjegojnë natyrën e ndryshme të perceptimeve ndër dy bashkësitë lidhur me atë sesi është duke dështuar shteti maqedonas dhe kush është duke e paguar çmimin për dështimin e tij. Me njërën këmbë brenda, bashkësia shqiptare e sheh shtetin si të huaj dhe të tillë që nuk i përgjigjet nevojave të saj. Edhe përkundër prosperitetit relativ këndvështrimi shqiptar është i ngjyrosur nga përvoja e përjashtimit gjatë gjithë jetës. Nga ana tjetër, maqedonasit etnikë ndihen të kërcënuar si në aspektin social ashtu edhe në atë ekonomik. Makineria e shtetit është në dobësim e sipër dhe jashtë kontaktit me zhvillimet në shoqërinë pas-socialiste dhe pas-industriale. Me zhdukjen e privilegjeve ekonomike të cilat dikur i qëndronin të bashkangjitura kontrollit në administratë, maqedonasit nuk janë në gjendje të kuptojnë ndryshimin e menjëhershëm të fatit të tyre.

Ky ndryshim në perceptim ndihmon në shpjegimin e asaj se pse arsimi është bërë temë aq e nxehtë në politikën maqedonase. Vetëm 10 përqind të shqiptarëve në komunën e Zajasit kanë arritur të përparojnë mbi nivelin e shkollimit fillor. Për këta shqiptarë, që janë të detyruar të qëndrojnë në fshat apo të dalin jashtë rajonit në kërkim të punës, mungesa e arsimimit është provë e qëndrueshme e diskriminimit në duart e republikës socialiste të Maqedonisë. Gjendja tani është duke ndryshuar dhe tani ka pothuajse numër të njejtë të shqiptarëve dhe të maqedonëve etnikë në shkollën e mesme dygjuhësore të Kërçovës, "Mirko Mileski". Por, ndryshimet patjetër kërkojnë kohë, duke pasur nevojë që një gjeneratë të filtrohet në radhët e bashkësisë shqiptare.

Për shumë maqedonas etnikë profili arsimor i shqiptarëve është shenjë e prapambeturisë së tyre dhe e paaftësisë për të marrë pjesë në shoqërinë moderne. Shumia e maqedonasve urbanë në Kërçovë kanë kryer shkollën e mesme apo edhe më shumë. Mundësitë e tyre të privilegjuara për të arritur deri tek sistemi arsimor kanë qenë çelës i pjesëmarrjes në përfitimet e ekonomisë socialiste, ku vendet e punës gradoheshin në mënyrë rigoroze sipas kritereve arsimore. Tani ata habiten me rregullat e reja të lojës, ku lidhja ndërmjet nivelit të arsimimit dhe standardit të jetesës është rrezikuar tej mase. Për ta është e pakuptueshme se si shqiptarët e paarsimuar janë në gjendje të blejnë objekte presigjioze në qendër të qytetit. Zhvlerësimi i arsimit është ofendim i statusit të tyre social dhe shpeshherë racionalizohet si provë e kriminalitetit ndër shqiptarët.

Drejtori i termocentralit në Oslomej, Blagoje Despotoski, e mban mend liderin politik shqiptar Ali Ahmeti nga koha kur këta të dy kanë vijuar gjimnazin e Kërçovës, vendi i vetëm i arsimit të mesëm në rajon.

"Ai ishte një klasë pas meje. Atëherë ai ishte askushi dhe nuk dinte asgjë. Dhe tani ai vë kushte dhe na bën shantazh të gjithëve. Unë kam studiuar në universitet, ndërsa ai jo. Unë nuk mund ta respektoj atë."

Shqiptarët e gjeneratës së Ahmetit intensivisht kanë ndjerë urrejtje ndaj përjashtimit të tyre prej sistemit arsimor, që në nivelin e tretë (në disa periudha edhe në atë të dytë) zhvillohej ekskluzivisht në gjuhën maqedonase. Disa nga mendimtarët më radikalë, përfshirë dajën e Ahmetit, Fazli Veliu, ishin mësues të pakënaqur me elitën intelektuale të Maqedonisë. Veliu ka dhënë mësim në gjimnazin e Kërçovës para se të vendoset në Kosovë dhe më pas në Zvicër. Shqiptarët, qoftë edhe ata të cilët janë larguar shumë kohë më parë dhe të cilën kthehen vetëm për vizitë, shprehin shqetësimet e tyre me mënyrën në të cilën qasja në arsimim dhe kualifikime të larta është shfrytëzuar në të kaluarën për të bllokuar karrierat e tyre.

Ka një mungesë evidente të respektit ndërmjet dy bashkësive, që del në pah vazhdimisht në bisedat për gjendjen e përgjithshme ekonomike.Shumë shqiptarë i shohin maqedonasit si të atillë që u mungon iniciativa dhe dëshira për punë, të lidhur me punët e nivelit më të lartë dhe rrjetet e patronazhit. Shumë maqedonas i shohin shqiptarët si të prapambetur dhe të prirur për krime. Pasuria e re e fqinjëve të tyre shqiptarë nuk shihet si një kapital për investime potenciale apo rezultat i punës së rëndë jashtë vendit, por si fryt i aktiviteteve të pandershme. "Kur ata e shohin pasurinë time thonë se jam shpërndarës droge", thotë pronari i një shërbimi të madh të veturave luksoze në Shtetet e Bashkuara, i cili, sipas fjalëve të tij, "zbuloi Alaskën më 1971". Gjuha e "korrupsionit të pakontrolluar" dhe e "krimit të organizuar" i mbulon pothuajsve të gjitha ankesat e të dy bashkësive, sado të ndryshme që mund të jenë ato.

Në realitet dobësitë e shtetit të Maqedonisë janë pengesë si për bashkësinë shqiptare ashtu edhe për maqedonasit. Pasuria e diasporës ushqen konsumin dhe tregtinë në Kërçovë, por ajo bën shumë pak në drejtim të investimeve prodhuese. Pjesët më të mëdha të bashkësisë shqiptare mbesin në kurthën e ciklit të zhvillimit të ulët, gjë që vlen veçanërisht për pjesët rurale. Emigrimi i shqiptarëve vazhdon të sigurojë të vetmin ventilator për presionin e shkaktuar nga ekonomia kërçovare në dështim e sipër. Për shumicën e maqedonasve në rajon një shteg i tillë nuk ekziston fare.

III.NGRITJA DHE RËNIA E SHOQËRISË INDUSTRIALE
A. Tranzicioni dhe punësimi

Tranzicioni ekonomik në Maqedoni, në kuptimin e ngushtë të masave të veçanta politike që institucionet ndërkombëtare financiare i kanë mbrojtur në të gjitha shtetet post-komuniste, është pothuajse i kompletuar. Institucionet thelbësore të ekonomisë socialiste, si zyrat e pagesave dhe organet qendrore të planifikimit janë zhdukur. Privatizimi i ndërmarrjeve në pronësi shoqërore ka përparuar dukshëm. Shumica e ndërmarrjeve që do të mund të joshnin blerës tanimë janë shitur, ndërsa edhe përkundër faktit se ka ende ish NPSH që veprojnë nën ombrellën mbrojtëse të shtetit, shumë nga ato janë likuiduar. Tani kandidatë të rinj në ekonominë maqedonase i nënshtrohen "disciplinës" së forcave të tregut.

Megjithatë, për popullin maqedonas tranzicioni ekonomik në masën më të madhe përjetohet si dështim i standardit të jetesës dhe ngritjes së përgjithshme të pasigurisë ekonomike. Sipas UNDP-së:

"tranzicioni drejt ekonomisë së tregut... ka sjellur deri tek ngritja masive e papunësisë, një rënje e thellë në të ardhurat familjare, rënje të shërbimeve zyrtare të përkrahjes dhe ngritje në nivelet e përgjithshme të varfërisë – me bazë të gjërë dhe me shqetësime të skajshme për pjesën më të madhe të popullsisë."

Shifrat zyrtare të papunësisë janë dyfishuar që nga fillimi i tranzicionit duke arritur kështu më shumë se 30 përqind, me shtrirje ndër të gjitha grupet sociale dhe etnike. Gati gjysma e personave nën 30 vjeç edhe përkundër nivelit të lartë të arsimit kurrë nuk kanë pasur punësim zyrtar. Për ata që tanimë janë të punësuar pagat janë tkurrur dhe shpeshherë jepen me vonesa prej disa muajsh, përderisa 90 përqind ndihen të shqetësuar nga mundësitë e humbjes së vendit të punës. Programet e mirëqenies sociale janë duke dështuar në vënjen në jetë të një rrjete efektive të sigurisë – 49 përqind të përfituesve nga mirëqenia sociale raportojnë se, edhe përkundër jetës kursimtare, të ardhurat e tyre shpenzohen gjatë dhjetë ditëve të para të muajit.

Në sektorin industrial që dikur siguronte thelbin e punësimit në Maqedoni, tranzicioni ekonomik ka lënë shumicën e kompanive duke u lëkundurnë kufij të nivelit të mëparshëm të prodhimit. Në teori, vënia në vend e ndërmarrjeve joefikase do të duhej të çlirojë pasurinë për shfrytëzim më produktiv në sektorin privat. Sidoqoftë, përgjigja e sektorit të ri privat ka qenë e ngadalshme kurse nevojat e saj të punësimit mbesin modeste. Vetëm shteti ka vazhduar të sigurojë një burim të vazhdueshëm të punësimit edhe pse statusi social dhe standardi i jetesës në vendet e punës në sektorin publik është në rënie nga viti në vit. Për maqedonasit e rëndomtë, pyetja e cila shtrohet është – tranzicion për ku?

Tabela 2: Hulumtim i opinionit publik i zhvilluar në dhjetor 2000
Çfarë u shkakton më shumë pasiguri?
Përqindja

Papunėsia

57.2

Të ardhurat e ulëta edhe përkundër punësimit

16.2

Ndihma e ulėt sociale nga shteti

6.2

Tensionet etnike

5.0

Kriminaliteti

4.3

Ndikimet negative të bashkësisë ndërkombëtare

2.4

Ndikimet negative të shteteve fqinje

1.9

Mungesa e mundësive për shfrytëzim të sigurimit shëndetësor

1.7

 

Këto tendenca bëhen shumë më të dukshme kur studiohet një vend siç është Kërçova. Vendet e punës në industri, që dikur siguronin shtyllën e ekonomisë lokale janë reduktuar për më shumë se gjysma, ndërsa pjesa tjetër është në pasiguri të skajshme. Sektori i ri privat kryesisht janë dyqanet dhe kafeteritë e menaxhuara familjarisht, me një sektor të vogël ndërtimi që mbetet shumë i varur nga kontratat për punë publike. Në skenë ka dalur vetëm një numër i vogël i kompanive që janë të afta për të ofruar punë në numra dyshifror. Përderisa sektori prodhues kontrakton, rëndësia ekonomike dhe sociale e shtetit si punëdhënës me kalimin e kohës bëhet më e madhe e jo më e vogël.

Tabela 3: Të papunët e regjistruar në Kërçovë, Drugovë, Oslomej, Vraneshticë dhe Zajas

Tė papunėt e regjistuar

Nr.

Meshkuj

Femra

4.969

3.483

Qytet

Fshat

5.371

3.081

Tė pakualifikuar

Gysėm tė kualifikuar

Tė kualifikuar

Teknikė

Shkollë të lartë apo universitet

4.109

741

1.228

1.983

391

deri nė 30 vjeē

31 deri nė 40 vjeē

41 deri nė 50 vjeē

Mbi 50 vjeē

3.541

2.412

1.431

1.068

Gjithsej

8.452

 

B. Privatizimi dhe pas tij

Sikundër edhe në pjesën tjetër të Maqedonisë dhe në gjithë rajonin e Ballkanit, tranzicioni ekonomik në Kërçovë është bërë një proces i dhimshëm i deindustrializimit. Një e katërta e ndërmarrjeve nga periudha e socializmit tanimë janë të likuiduara dhe gjysma e vendeve të punës në industri është zhdukur. Shumica e ndërmarrjeve të privatizuara i janë shitur punëtorëve dhe menaxherëve të tyre përmes procesit të privatizimit të brendshëm. Punëtorët dhe menaxherët e këtillë kanë arritur që të ruajnë vendet e tyre të punës përderisa njëkohësisht kanë prirë në dekapitalizimin e shpejtë të pasurisë.

Prej 32 ndërmarrjeve shtetërore dhe në pronësi shoqërore që kanë pasur peshë në rajonin e Kërçovës, 13 tanimë janë privatizuar, dy janë në pritje të privatizimit, nëntë janë në likuidim dhe tetë mbeten në pronësi shoqërore. Më 1989 ndërmarrjet në pronësi shoqërore dhe ato publike përgjithësisht ofronin 6.623 vende të punës. Në vitin 2002 kjo shifër ka rënë përgjysmë, përkatësisht 3.298. Mbesin edhe 490 vende të punës në ndërmarrje që presin të privatizohen ndërsa në ndërmarrjet e pas-privatizimit personeli i tepërt është shumë i pranishëm.

Privatizimi ka sjellë shumë pak investime të kapitalit në sektorin në pronësi shoqërore. Vetëm katër nga 13 ndërmarrjet e privatizura janë blerë nga investitorë të jashtëm. Asnjë nga kompanitë me seli në Kërçovë nuk ka arritur të tërheqë ndonjë investitor të huaj, megjithëse janë degë lokale të kompanive kombëtare që u janë shitur investitorëve të huaj ("Telekomi i Maqedonisë" dhe "Stopanska Banka").

Edhe interesimi ndër investitorët e vendit ishte i ulët. Vetëm dy ndërmarrje janë blerë nga personat jashtë ndërmarrjeve. Një ndërmarrje bujqësore pas falimentimit është blerë nga Blagoja Gjorgjijoski, ndërmarrësi kryesor maqedonas në Kërçovë.

Investimi tjetër vendor ishte blerja e njërit nga dy hotelet e Kërçovës, "Hotel Union", nga ana e një akademiku dhe dy ndërmarrësve. Përveç kësaj, një degë lokale e ndërmarrjes së qeramikës, përkatësisht fabrika e tullave në Vraneshticë, është blerë nga "Granit", pasuesi i njërës nga ish gjigantët e ndërtimitarisë maqedonase.

Tabela 4: Punësimi në ish-ndërmarrjet në pronësi shoqërore dhe në ndërmarrjet publike

 

Nr. i ndërmarrjeve

Vende pune

Ndërmarrjen në pronësi shoqërore dhe ndërmarrjet publike (1989)

a.       ndërmarrjet e privatizuara deri më tani

b.      ndërmarrjet që mbesin publike

c.       ndërmarrjet që presin privatizimin

d.      ndërmarrjet e likuiduara

 

 

13

8

2

9

 

 

1.145

1.163

490

32

 

6.623

Ish-ndërmarrjet shoqërore dhe publike (2002)

32

 

3.298

 

Përveç këtyre shembujve gjithashtu edhe vlera e kufizuar e ndërmarrjeve në ofertë dhe mungesa e kapitalit vendor për investime ka bërë që tranzicioni ekonomik në Kërçovë të jetë proces i privatizimit të brendshëm. Aksionet u janë shpërndarë punëtorëve, me vlerën fillestare të caktuar sipas pagave të papaguara, apo në raste të tjera ato u janë shpërndarë menaxherëve sipas çmimeve të ulëta e të paguara në këste gjatë viteve. Ky proces nuk ka tërhequr kurrfarë kapitali për investime apo restrukturim, duke lënë kompanitë të mbijetojnë me kapital tejet të stërvjetëruar. Në të vërtetë duke bartur të drejtën e pronësisë në forcën punese ekzistuese, procesi i privatizimit ka bërë që ristrukturimi i ndërmarrjeve të jetë pothuajsve i pamundur meqë asnjë nga punëtorët e as pjesëtarët e menaxhmentit nuk kanë pasur për qëllim që të largojnë veten nga puna. Një ligj në fuqi deri më 1998 ka përcaktuar se aksionet mund të tregtohen lirisht brenda strukturës ekzistuese të punës, përderisa shitja e aksioneve personave jashtë ndërmarrjes kërkonte pëlqimin e bordit të ndërmarrjes.

Periudha pas privatizimit lë shumicën e ndërmarrjeve të Kërçovës duke funksionuar vetëm me në pjesë të kapacitetit paraprak, me barra të mëdha të borxheve dhe me një fuqi punëtore vetëm pjesërisht të punësuar. Sikurse edhe në pjesën tjetër të Maqedonisë rezultatet kanë qenë thellësisht dëshpëruese. Në një raport të prillit 2000, FMN vëren se: "me procesin e privatizimit që gati i është ofruar fundit, rezultatët janë nën atë që është pritur. Prona e brendshme e punëtorëve dhe menaxherëve është zgjeruar si pasojë e përgjithshme e mbështetjes në privatizimin e brendshëm... dhe, pa injoruar ndikimin e faktorëve të jashtëm, funksionimi i përgjithshëm financiar ndër ndërmarrjet e tranformuara ka dështuar rëndë."

Përderisa kompanitë e privatizuara në Kërçovë janë përpjekur që të reduktojnë forcën e tyre punëtore përmes erozionit të natyrshëm dhe ngrirjes së punësimeve të reja, akoma ekziston problemi serioz i punësimit të tepërt dhe i punësimit të strukturave jo adekuatë të personelit në shumicën prej tyre, duke qenë në këtë mënyrë tregues i përmasave të përshtatjes që mbetet për t'u bërë në të ardhmen.

Drejtimi i ndërmarrjes së bukës "Zito Karaorman", që aktualisht punëson 153 punëtorë, pranon se edhe me më pak punëtorë do të mund të funksiononte me kapacitetit të njejtë. Në vitin 2000 kjo ndërmarrje ka pasur qarkullim prej €3.9 milion. Përmes krahasimit shohim se një ndërmarrje private në Kërçovë, "Dime dooel" ka arritur që me vetëm 7 punëtorë të ketë një të pestën e këtij qarkullimi (€783.000).

Prodhuesi i metalit "Tane Caleski", që ende është në pritje të privatizimit, paraqet një kompani tjetër që ka dështuar të bëjë tranzicionin drejt ekonomisë së tregut. Para dhjetë viteve kjo ndërmarrje ka shitur prodhimet e veta në Bashkimin Sovjetik, Çekosllovaki dhe Itali. Tani që është e detyruar të importojë lëndën e parë sipas çmimit të tregut, kompania nuk mund të garojë me prodhuesit kinezë, bullgarë apo turq. Duke mos qenë në gjendje që të gjejë vend për prodhimet e veta, kjo ndërmarrje gjithnjë e më shumë po rrëshqet në borxh dhe mund të jetë duke shkuar në drejtim falimentimit.

Ndërmarrja e tekstilit, "Kikoteks", mbledh prodhime gjysëm të gatshme në llogari të të një prodhuesi tjetër për tregun gjerman. Kjo ishte e detyruar që të zvogëlojë fuqinë punëtore për gjysmë, por me 260 punëtorë sa ka tani, ende mbetet punëdhënësi i dytë sipas madhësisë në radhën e ndërmarrjeve të privatizura. Në sektorin e tekstilit kjo ndërmarrje është e detyruar që të garojë me ekonomitë me shpenzime të vogla që janë duke u ngritur në rajon dhe në botë. Në Evropën juglindore, ku sipas standardeve botërore pagat nuk janë veçanërisht të ulëta, e ardhmja e industrisë së tekstilit duket të jetë e zbehtë. Një hulumtim i ngjashëm i këtij sektori në Bosnjë zbulon se: "vetëm ato kompani të cilat janë të afta për investim të qëndrueshëm në prodhimet fikse dhe në ato inovative do të gëzojnë pjesëmarrje në tregun ndërkombëtar. Prodhimet mund të blehen nga ekonomitë me kosto të ulët të Azisë juglindore çmimeve të të cilave Bosnja dhe Hercegovina kurrë s'mund të shpresojë t'u bëjë ballë."

Tabela 5: Aktivitetet e biznesit në "AD Tajmiste", aktualisht ndërmarrja më e madhe e privatizuar në Kërçovë

Lėmia

Aktiviteti

Vendndodhja

Të punësuar

Miniera

Mihje e gurëve dhe separacion, prodhimtari e mermerit, nënkontrata me termocentral (Oslomej), "Feronikel" (Kavadarci), "Rudnik Bakar CU" (Bucim), dhe "Granit" (ndërmarrje publike e ndërtimitarisë); aktive gjithashtu edhe në Shqipëri

Kërçovë

150

Industri e metalit

Konstruksione mekanike (alumin, shtylla sigurie për rrugë), dyqane të çelsave, mirëmbajtje dhe riparime

Kërçovë

65

Shërbime

1 hotel, 2 restorante, 3 restorante të punëtorëve, tregti e mallrave të dorës së dytë, dyqan riparimi për pajisje elektrike, 1 pompë benzine.

Kërçovë dhe Gjevgjeli

5

Bujqėsi

"Healthy Food": peshk, molla, mjaltë, kërpudha, mish (gjedhi, qingji, dhie); rritje e qenve dhe e derrave.

Zajas

25

Ndėrtimtari

Sisteme tė furnizimit me ujė, ndėrtime

Kërçovë

20+ punëtorë të kohëpaskohshëm

Gjithsej

315

 

Dhe në fund është rasti i ish minierës Tajmishte-s, biznesi themelor i së cilës (miniera vetë) është mbyllur para një dekade. Duke bërë privatizimin nga brenda, drejtori i saj dinamik, që njëkohësisht është edhe aksioneri më i madh i ndërmarrjes, ka punuar shumë për të mbajtur të paprekur ish kolektivin e punëtorëve, andaj edhe Tajmishte mbetet punëdhënësi më i madh privat në rajon. Ndërmarrja arrin të mbijetojë përmes një varg aktivitetesh ndërmarrëse – një fermë për peshq, rritjes së derrave, një restoranti në kufirin maqedono-grek, një pompe të benzinës, një dyqani reparues, një farkëtarie, degëve të ndryshme tregtare dhe punëtorive. Me një varg të këtillë të aktiviteteve që të gjitha duke funksionuar brenda rrjetit të furnizimit të tërthortë, është e pamundur që të matët se cilat nga to janë me fitim, një problem ky që gjithmonë ka munduar bizneset e ish-Jugosllavisë.

Tabela 6: 13 ndërmarrjet e privatizuara të Kërçovës

Ndërmarrja

Përshkrimi i aktiviteteve

Metoda e privatizimit

Nr. i vlerësuar

i punëtorëve

"Tajmishte"

Ish-ndërrmarrje xehtare

Përbrenda

315

"Kikotex"

Tekstil

Përbrenda

260

"Zito Karaorman"

Prodhim i bukės

Pėrbrenda

153

"Granit" (dega në Kërçovë)

Ndërtimtari

Përbrenda

110

"Izvor DOO"

Tekstil

Pėrbrenda

75

"Stopanska Banka" (dega në Kërçovë)

Degë e bankës më të madhe të Maqedonisë

Investues i huaj

60

"MK Telekom"

Degė e Telekomit

Investues i huaj

57

"Zemiodelski kombinat Kicevo"

Prodhimtari bujqėsore

Investues privat lokal

45

"Keramicki Kombinat Vranestica"

Prodhimtari tullash

E blerë nga një ndërmarrje privatë pas likuidimit

30

"Agrokop"

Tregti

Pėrbrenda

20

"Hotel Union"

Hotel dhe restorant

Investues privat

15

"Kicevoprom (kompani DOO)"

Ish ndërmarrje tregtare e riregjistruar

Përbrenda

4

"Kicevoprom – Klanica"

Mishtore

Pėrbrenda

1

Ndërmarrje të privatizuara

 

1.145

 

Ndërmarrjet në kushte të këtilla mund të çalojnë për një kohë të konsiderueshme. Madje edhe pas privatizimit ato kanë ruajtuar marrëdhëniet e tyre speciale me bankat shtetërore, kontratat e tyre ekzistuese me ndërmarrjet publike si furnizues dhe konsumatorë dhe trajtimin e tyre të privilegjuar nga ana e autoriteteve tatimore e ndërmarrjet e shërbimeve publike. Ato gëzojnë lëshime të buta buxhetore, gjë që i lejon të veprojnë edhe në humbje. Megjithatë, më 1998 është bërë e qartë se problemet e likuiditetit në ish sektorin në pronësi shoqërore vinin duke u akumuluar. Sipas FMN-së 46 përqind të të gjitha ndërmarrjeve maqedonase në ish sektorin formal të ndërmarrjeve deri në fund të vitit 1998 përjetonin mungesë të likuiditetit, krahasuar me 17 përqind më 1996. Gjatë të njejtës periudhë përqindja e punëtorëve të punësuar në ndërmarrjet jolikuide është ngritur nga 24 në 42 përqind. FMN ka konstatuar se është shënuar një rënje e përgjithshme në performancën e ndërmarrjeve të privatizuara krahas avansimit të procesit të privatizimit:

"Humbjet e vazhdueshme të sektorit ndërmarrës janë paraqitur kryesisht nga përshtatja jo e duhur e punës dhe shpenzimet e mëdha të punës edhe në sektorin e privatizuar edhe në atë shtetëror dhe të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore... Puna në humje kryesisht është financuar përmes vonesës së pagave, dhe shtyrjes së detyrimeve ndaj furnitorëve, qeverisë dhe bankave. Edhe pse gjatë vitetve 1996-1998 vonesat e pagave në sektorin ndërmarrës në tërësi kanë zbritur në rreth 7 përqind të BPSH-së për vitin 1998 (si rezultat i reduktimit të vonesës së pagave në ndërmarrjet privatë dhe ato shtetërore e në pronësi shoqërore), ato janë ngritur tutje për rreth 4 përqind të BPSH-së në ndërmarrjet e transformuara"

Së voni, Banka Kombëtare e Maqedonisë ka raportuar se në shkurt të vitit 2002 rreth 29.4 përqind të të punësuarve në Maqedoni nuk kanë marrë rrogat e tyre.

Ekonomia e Kërçovës pas privatizimit vazhdon të mbetet e varur nga sektori shtetëror, veçanërisht në një ndërmarrje - termocentralin në Oslomej. Së bashku me "Fort" dhe "Separacija", dy ndërmarrjet që vetëm kohë më parë janë ndarë nga termocentrali, "REK Oslomej" sigurojnë rreth një të tretën e vendeve të punës në sektorët publikë dhe atë në ish-pronësinë shoqërore. Ndërmarrja paguan rreth €250 në muaj, dukshëm mbi mesatare. Me rreth 1.000 të punësuar, REK tani ka më shumë punëtorë se sa gjatë periudhës socialiste dhe shumë më tepër se sa kërkohet ndërkombëtarisht për të drejtuar një central të përmasave të këtilla. REK-u është gjithashtu konsumator i rëndësishëm i ndërmarrjeve private të ndërtimtarisë ndër maqedonasit etnikë. Madje edhe konglomerati "Tajmishte" për shuma të leverdishme i huazon REK-ut disa nga punëtorë të. Elita menaxheriale e Kërçovës është e mendimit se pa REK-un Kërçova do të bëhej një "qytet i shkretë ekonomik".

Tabela 7: Dhjetë ndërmarrjet publike të Kërçovës.

 

Aktivitetet

Të punësuarit

Ndërmarrjet publike

 

 

    "REK Oslomej"

Termocentral (duke përfshirë minierat e thëngjillit, "FORT" dhe "Separator"

1.000

    "JP Komunalec"

Shërbimet publike (duke përfshirë "Kicevo Pole DOO")

160

    "JP MAK Sume – Stopanstvo Lopusnik"

Pylltari (pjesėrisht sezonale)

198

    "ESM" – Dega në Kërçovë

Distribuim tė rrymės elektrike

110

    "JP Makedonija pat" (dega në Kërçovë

Mirėmbajtje rajonale tė rrugėve

80

    Posta

Shërbime postale

46

    "Zeleznica Makedonija"

Hekurudhė

25

    "JP za stanovanje"

Ndërtim banesash

12

Në pritje të privatizimit

 

 

    "EMO – Elektromontaza Ohrid AD" (dega në Kërçovë)

Prodhimtari e energjisė elektrike

177

    "Tane Caleski

Punime metalike

313

Të gjitha ndërmarrjet publike

 

2.121

 

Termocentrali, i cili i takon ndërmarrjes republikane "Elektrostopanstvo" (EMS) në këtë mënyrë ka fituar jo vetëm rolin e punëdhënësit të instancës së fundit, por gjithashtu edhe të furnitorit për ndërmarrjet e tjera në vështirësi. Duke investuar shumicën e të ardhurave vetjake në paga dhe nënkontrata, EMS është duke shpenzuar kapitalin e vet. Ai mund të vazhdojë të luaj këtë rol përderisa i shmanget privatizimin apo ristrukturimin, dhe është i gatshëm që çmimet e politikave aktuale sociale t'i bartë në gjeneratën tjetër.

C. Maqedonasit etnikë dhe dështimi i sektorit privat

Shtegu për dalje jashtë rënjes ekonomike në Kërçovë do të jetë krijimi i sektorit të ri privat – qëllimi përfundimtar i strategjive të tranzicionit ekonomik të propozuara për tërë rajonin. Ajo që është aq karakteristike për Kërçovën, është se tek institucionet publike ekziston njohuri e kufizuar dhe vështirë se vërehet ndonjë interesim i dukshëm për zhvillimet në këtë sektor.

Sipas Zyrës Statistikore Shtetërore në Shkup në rajonin e Kërçovës ekzistojnë 2.357 ndërmarrje të regjistuara. Shumica e biznesmenëve vendorë e konsiderojnë këtë numër të jetë i fryrë dhe që përfshin edhe shumë kompani të cilat kanë pushuar së vepruari por që formalisht nuk janë likuiduar. Një raport i paradokohshëm i zhvilluar nga OECD dhe EBRD e që ka të bëjë me zhvillimin e ndërmarrësisë privatë në nivelin kombëtar, sugjeron se firmat e regjistruara "në përpjestime të barabarta mund të katëgorizohen si tejet aktive, pjesërisht aktive dhe joaktive". Ndër ndërmarrjet e regjistuara formalisht në Kërçovë dy të tretat janë ndërmarrje tregrtare (me pakicë dhe shumicë), apo dyqane riparimi. Nëntë përqind janë në veprimtaritë shërbyese (kafeteri, restorante dhe hotele) dhe nëntë përqind në transport dhe komunikacion (ndër të cilat ndërmarrjet e taksive zënë vend me peshë). Dhjetë përqind të tjera janë të regjistruara si ndërmarrje prodhuese por, shumë nga to janë padyshim joaktive dhe është më se e vështirë që nga çfarëdo burimi zyrtar të krijohet imazhi për aktivitetin e tyre.

Në bashkësinë etnike maqedonase të Kërçovës janë vetëm tri ndërmarrje te reja private me më shumë se 30 punëtorë: dy ndërmarrje ndërtimore, "Bistra Drvo" dhe "Bemos", dhe një ndërmarrje e tekstilit, "Osogovo". Rritja e "Ostro Drvo"-s ka rrënjët e thella në të kaluarën socialiste. Ajo është krijuar më 1985 si kooperativë banesore, e licencuar për shitjen e matërialit ndërtimor sipas shifrave të reduktuara tatimore dhe atë kryesisht për ndërtuesit shqiptarë. Kjo ka evoluar në ndërmarrjen privatë "Nas Dom", që tani ka gjashtë të punësuar dhe një ndërmarrje ndërtimi "Bistra Drvo", që ka 70 të punësuar. Duke qenë e specializuar në ndërtim "Bistra Drvo" varet nga kontratat publike me autoritetet lokale dhe fondet e veçanta për infrastrukturën e ujësjellësit dhe të kanalizimit.

Ndër kompanitë me më shumë se pesë të punësuar, ka dy bukëpjekës, disa ndërmarrje që shesin matërial ndërtimor, disa tregtarë me shumicë të ushqimeve dhe lëngjeve, një dyzinë e ndërmarrjeve të taksive dhe disa bare dhe restorante të mëdha. Ka gjithashtu punësim në lëmin e orendive dhe të metaleve, dy ferma të peshkut dhe disa dyqane ushqimore.

Janë pikërisht këto veprimtari të biznesit lokal të cilat mund të haseshin në këtë rajon edhe para Luftës së Dytë Botërore dhe të cilat sadokudo janë lejuar të veprojnë edhe gjatë periudhës socialiste të ekonomisë së vogël (mala privreda). Sipas statistikave zyrtare, qysh më 1989 kishte 494 biznese të vogla në "sektorin individual" të Kërçovës: 285 tregtarë, 122 punonin në transport, 49 në tregti dhe 38 në gastronomi. Raporti i OECD/EBRD vë në pah se shumë biznese të reja janë "të një shkalle të vogël, rreziku të ulët dhe të operacioneve të ulëta përrkah intensitetit të kapitalit, siç është tregtia e imët".

Ndër maqedonasit etnikë të Kërçovës është e vështirë që të shihet në këtë moment se ku mund të paraqitet dinamika e re përmbajtëse e rritjes së punësimit në sektorin privat. Në anën maqedonase të rrugës "Aleksandar Makedonski", pjesë kjo kryesore e tregtisë në qytetin e Kërçovës, dyqanet dhe kafenetë shpeshherë janë të zbrazëta ndërsa një pjesë e tyre është plot e përplot. Dëshitimi i të ardhurave familjare në Kërçovë do të thotë se tregtia e imët ofron zgjedhje të vogël për ndërmarrësit e imët maqedonas. Njëkohësisht, kjo shërben edhe si një burim shumë i kufizuar i kapitalit për bizneset e reja prodhuese.

Vështirësia e gjetjes së kapitalit investues dhe të profileve të shkathta të fuqisë punëtore paraqesin një barrierë shtesë për zhvillimin e sektorit privat. Në komunën e Kërçovës 21 përqind e popullsisë të moshës për punë kurrë nuk e ka përfunduar shkollimin fillor, ndërsa 33 përqind të tjerë nuk e kanë kryer më shumë se shkollën fillore. Në pjesët rurale, numri i personave pa shkollim fillor arrin shifrën prej 90 përqind sa është në Zajas. Deri në fillim të vitit 2002, dega lokale e "Stopanska Banka" ishte e vetmja bankë operative në rajon. Më 2001 ajo ka dhënë 16 kredi komerciale me vlerë të përgjithshme 260.000.

Thënë shkurtimisht, në një vend siç është Kërçova rritja e sektorit privat që do të mund të kompenzonte humbjet e vendeve të punës si pasojë e dështimit të shoqërisë industriale në Maqedoni, nuk është duke u paraqitur natyrshëm nga hiri i ekonomisë socialiste.

D. Politika e punësimit të ulët

Me një punësim të ulët në sektorin prodhues të ekonomisë, ruajtja e vendeve të punës në adminstratë publike bëhet prioritet kryesor për klasën e mesme urbane të maqedonasve etnikë. Kushtet në vendet publike të punës nuk janë veçanërisht tërheqëse. Ngrirja e rrogave është vendosur gjatë viteve të fundit, dhe të qenit në "buxhet" nuk ofron më as statusin social e as standardin e jetesës që nënkuptonte gjatë kohës së regjimit të kaluar. Megjithatë, për një segment të rëndësishëm të bashkësisë etnike maqedonase, kjo vazhdon të sigurojë mjetet për ekzistencë dhe disa përfitime sociale.

Ata që kanë humbur vendet e punës nuk i kanë të disponueshme mënyrat e tjera të përkrahjes.Prej 8.452 të personave që në rajonin e Kërçovës janë të regjistruar si të papunë, vetëm 686 (8 përqind) pranojnë përfitimet e rregullta të papunësisë. 1.973 të tjerë të rasteve më të rënda sociale pranojnë asistencë nga Qendra për Punë Sociale.

Tabela 8: Punësimi në organet qeveritare në rajonin e Kërçovës

Niveli i qeverisë

Të punësuar
(sipas vlerësimit)

Qeveria qendrore

 

1.412

    Arsim

615

 

    Shëndetsi

375

 

    Degët e administratës qendrore

132

 

    Policia (Ministria e Punëve të Brendshme)

230

 

    Gjykatat dhe prokuroritë

60

 

Qeveritë komunale (Kërçovë, Drugovë, Oslomej, Vraneshticë, Zajas)

 

69

Gjithsej

 

1.481

 

Administrata publike është sektori i ekonomisë që gjatë dekadës së fundit ka përjetuar një rritje modeste të nivelit të punësimit. Në rajonin e Kërçovës tani ka 1.481 të punësuar brenda sektorit publik, prej të cilëve 95 përqind punojnë në degët lokale të institucioneve republikane. Pesë administratat komunale kanë 69 të punësuar. Punëdhënësit më të mëdhenj janë shkollat, me personal prej 615 vetëve, që në nivelin fillor paraqesin institucionet e vetme publike të cilat ofrojnë punësim përmbajtësor për popullsinë jomaqedonase. Jashtë këtij sektori arsimor shqiptarët kanë vetëm 120 prej 865 vendeve të punës, apo 14 përqind edhe përkundrejt faktit  paraqesin 50 përqind të popullsisë në rajon.

Me një përpjestim të lartë të varësisë nga shteti nuk është për t'u befasuar që politika e punësimit publik është mjaft intensive. Skamja e shton vlerën relative të vendeve të punës në sektorin publik. Me vendet e punës në sektorin publik si një ndër të mirat publike që politikanët vendorë i kanë në dispozicion, shpërndarja e tyre brenda bashkësisë etnike maqedonase shpeshherë bëhet përgjatë vijave partiake, ndërsa grupet e tjera etnike mbesin në disavantazh të konsiderueshëm. Prandaj, nuk është aq për t'u befasuar që presioni për përfaqësim më të mirë nga bashkësitë jo-maqedonase kërcënon klasën e mesme maqedonase, që nga viti në vit ndihet gjithnjë e më e kërcënuar.

Në "Raportin mbi Zhvillimin Njerëzor 2001" UNDP bën disa rekomandime në drejtim të adresimit të problemit të papunësisë në rritje, duke përfshirë "që shteti të aktivizojë masa të tjera konvencionale të drejtuara drejt krijimit të vendeve të reja të punës, p.sh. vendeve publike", dhe "të përkrahë më intensivisht ndërmarrjet që kanë humbje, por që janë vitale për shtetin dhe popullsinë. Në këtë kontekst, me rëndësi të veçantë do të jetë politika e subvencionimit të pagave të të punësuarve."

Në të vërtetë përmes mjeteve të tjera, pikërisht këto janë strategjitë të cilat shteti maqedonas, me resurset e disponueshme, i ka aprovuar gjatë viteve 90. Ruajtja e ish-ndërmarrjeve publike dhe zgjerimi gradual i punësimit në sektorin publik janë përgjigjet e qeverisë ndaj presioneve sociale të vëna përballë saj nga ana e zgjedhësve. Megjithatë, në rastin më të mirë politikat e këtilla mund të shpresojnë vetëm në ndagalsim përkeqësimit në sektorin publik. Në rastin më të keq, ato mbledhin zhvillimin e punëdhënësve të rinj privatë.

Nga shikimi i punësimit në Kërçovë paraqiten një varg përfundimesh që kanë implikime të shumta në të kuptuarit e ekonomisë politike të rajonit. Së pari, ndër maqedonasit etnikë të Kërçovës ka vazhduar të rritet vlera e shtetit si punëdhënës dhe sponsor. Të 1.486 vendet e punës në administratë publike (përfshirë arsimin dhe sistemin shëndetësor) dhe 1.631 vende të punës në ndërmarrje publike janë tani, më shumë se kurdoherë më parë, strehimi i fundit për klasën e mesme urbane. Për më tepër, këto janë sektori i fundit i mbetur në të cilin ka lidhje të vazhdueshme ndërmjet kualifikimeve arsimore dhe standardit të jetesës. Përveç kësaj, kontraktat me shtetin apo ndërmarrjet e tij publike janë thelbësore për shumicën e bizneseve më të rëndësishme, veçanërisht në sektorin e ndërtimit.

E dyta, duket e pashmangshme që rënja e punësimit në Kërçovë do të vazhdojë gjatë viteve që vijnë. Nëse qeveria shtrëngon kufizimet bugjetore ndaj NPSH-ve të privatizuara, i likuidon ndërmarrjet për të cilat nuk mund të gjenden blerës, dhe privatizon apo ristrukturon shërbimin kombëtar të energjisë elektrike dhe termocentralin në Oslomej, një pjesë tjetër e vendeve të punës në gjithë sektorin industrial do të zhdukej brenda natës.

Dhe në fund, përmes nënkuptimit të domosdoshëm, është bashkësia etnike maqedonase ajo e cila duhet të bartë barrën kryesore të çmimit të tranzicionit. Vlerësojmë se më 1990, 80 përqind të vendeve të punës në sektorin publik të Kërçovës ishin në duar të maqedonasve. Janë këta që janë goditur më së shumti nga humbja e vendeve të punës gjatë dekadës së fundit dhe të cilët do të humbasin më së shumti në periudhën që vjen. Në këtë ambient duket e pashmangshme që beteja për kontroll ndaj burimeve në zbehje e sipër të marrë ngjyrime etnike. Është pikërisht kjo dinamikë e cila ekonomisë politike maqedonase i jep natyrë tejet eksplozive.

IV. MIGRIMI I BRENDSHËM DHE ZHVILLIMI

Migrimi i maqedonasve etnikë nga fshatrat drejt qendrave urbane ka qenë ndryshimi më i rëndësishëm demografik i gjysëmshekullit të fundit. Më 1948, në pjesët malore të Drugovës dhe Vraneshticës, shumica e banorëve jetonin nga kultivimi i deleve ne kullosat e larta apo përmes bujqësisë ekzistenciale. Gjatë 40 viteve pasuese migrimi në Kërçovë ka shkaktuar rënien e popullsisë ruale për 60 përqind, përderisa qyteti i Kërçovës është shtuar gati katër herë, duke u rritur nga 7.000 në 25.000 banorë. Në vitet 1980, herët në mëngjes kolona të autubusëve niseshin nga Kërçova duke bartur punëtorët nga apartamentet e tyre të pronësisë shoqërore në drejtim të temocentralit dhe të minierave.

Tabela 9: Ndryshimi i popullsisë në 78 fshatra të rajonit të Kërçovës prej 1948 deri 1994

Ndryshimi i popullsisë

Fshatrat maqedonase

Fshatrat shqiptare

Fshatrat e përziera

Rritje pėr mė shumė 100%

-

6

3

Rritje nga 33 deri nė 100%

-

10

-

Rritje deri nė 33%

-

2

1

Rënie deri në 33%

4

3

4

Rënie nga 33 deri në 75%

12

2

1

Rënie për më shumë se 75%

29

1

-

Gjithsej

45

24

9

 

Urbanizimi ishte politikë e qëllimshme e autoriteteve komniste dhe pjesë e procesit të imitimit të rrejshëm të shoqërisë moderne industriale. Kjo kuptohej si pjesë e procesit të formimit të kombit dhe e arritjes së pjesës së zhvilluar të Evropës. Përveçse për ndërmarrjet e reja industriale, Kërçova u bë seli edhe e gjykatës dhe e policisë rajonale, degëve lokale të ministrive dhe agjencive të ndryshme republikane, zyrës rajonale të bankës zhvillimore të Maqedonisë, dy ndërmarrjeve për shërbime publike dhe një numri të shkollave (duke përfshirë këtu edhe të vetmen shkollë të mesme në rajon). Kërçova gjithashtu u bë edhe seli e spitalit më të madh dhe kishte garnizone me peshë të armatës jugosllave ku ishin të vendosur rreth 4.000 ushtarë.

Përveç sigurimit të të ardhurave të rregullta, vendet e punës në ekonominë publike socialiste nënkuptonin edhe qasjen ndaj përfitimeve të tjera shtetërore, përfshirë apartamentet e subvencionuara, shtesat për ushqime dhe mundësinë e shfrytëzimit të objekteve të pushimit. Shumë familje në Kërçovë kishin dy të punësuar, gjë që në këtë mënyrë u jepte aftësinë për të siguruar përfitime familjare dhe të mira të tjera për shpenzim. Lindja e shoqërisë industriale solli deri tek shërbimet e stilit modern të jetesës – sistemin e ujësjellësit dhe të kanalizimit, rrugë të asfalutuara, një qendër tregtare, qender kulturore, kinemanë dhe një stadium futbolli. Banorët e Kërçovës shikonin drejt vendeve të tjera të Evropën jugore (Greqia, Italia Jugore, Gadishulli Iberik) se si gjatë dekadave të fundit ato po arrinin pjesën perëndimore dhe kishin ndjenjën se edhe ata vet kanë arritur në shoqërinë konsumatore të Evropës së pas-luftës.

Sot, përderisa maqedonasit etnikë ballafaqohen me problemin e rënies së ekonomisë së Kërçovës, nocioni i zgjidhjes së problemit të punësimit përmes kthimit të tokës është duke e gjetur vendin e vet në debatin publik. Një studim i detajuar i zhvillimit ekonomik dhe i përparësive krahasuese të rajonit të Kërçovës i publikuar në shkurt 2002, ka arritur në këtë përfundim. Sipas autorëve, rivendosjanë pjesët me densitetin më të ulët të banorëve në rajon, Drugovë dhe Vraneshticë, "duhet të jetë një ndër prioritetet për zhvillimin e ardhshëm rajonal".

Ky studim pranon reduktimin e thellë në punësimin brenda sektorit industrial gjatë viteve 1990. Aty citohen të dhëna zyrtare që zbulojnë kolapsin dramatik të investimeve për kokë të banoritnë rajonin e Kërçovës, që më 1999 mezi arrinin 25 përqind të mesatares për Maqedoninë. Autorët vërejnë se 69 përqind të popullsisë në Kërçovë nuk kanë më shumë se sa arsimin fillor. Gjysma e të punësuarave (rreth 4.100 persona) nuk kanë kurrfarë shkollimi, duke e kufizuar kështu rëndë potencialin për zhvillim të një ekonomie më komplese. Prandaj ajo çfarë kërkohet, përfundon studimi në fjalë, është një fokus i ri në resurset natyrore. Zhvillimi ekonomik do të fillojë me një "shfrytëzim të pasurisë natyrore përmes shfrytëzimit të xeheve (mermerit, thëngjillit etj.) shfrytëzimit të drurit dhe të fryteve të tjera pyjore, shfrytëzimit të tokës bujqësore e para së gjithash të kullotave, ujit dhe turizmit".

Një sektor tradicional është veçanërisht i theksuar përkah rritja e potencialit të tij: rritja e deleve. "Tridhjetë deri dyzetë vite më parë ky rajon kishte 100.000 dele si rezultat i kushteve të përshtatshme zhvillimore. Tani, ky numër ka rënë në 22.000 dele, duke treguar shfrytëzimin e ulët të resurseve natyrore në këtë rajon." Pengesa kryesore në drejtim të implementimit të një strategjie të këtillë është se njerëzit nuk jetojnë më në vendet e duhura. "Në disa pjesë të rajonit ku rritja e deleve dhe e lopëve duhet të zhvillohet, dendësia e popullsisë është shumë e ulët, njësoj sikundër edhe fuqia punëtore". Rrjedhimsht, ky studim rekomandon që Kërçova të miratojë një politikë të deurbanizimit, duke i kthyer të papunët urbanë në fshatrat prej nga familjet e tyre janë larguar gjenerata më parë:

"Rritja e kafshëve shtëpiake në këto pjesë duhet të përcillet paralelisht me rivitalizimin e fshatrave dhe përmirësimin e kushteve të jetës. Kjo duhet t'i kontribuojë kthimit të një pjese të popullsisë së papunë nga qyteti në tokën e braktisur të fshatit".

Çuditërisht, kjo analizë nuk e vëren gjendjen e popullatës shqiptare që është 50% dhe që vazhdon të jetë e përqendruar në fshatra dhe që në të vërtetë është në pronësi të shumicës së deleve. Depopullizimi rural është në thelb një fenomen maqedonas. Ndërmjet viteve 1948 dhe 1994 popullsia e 45 fshatrave etnikë maqedonas në rajon ka rënë, ndër të cilat 29 fshatra kanë humbur më shumë se tre të katërtat e popullsisë së vet. Në të njejtën kohë, popullata e 18 nga 24 fshatra shqiptare ka vazhduar të shtohet, ku gjashtë prej tyre e kanë dyfishuar numrin e banorëve. Kuptohet se mundësitë e punësimit në pjesët shqiptare nuk kanë arritur që të përballojnë ritmin e shtimit të popullsisë.

Ideja e rikthimit të tendencave të para gjysmë shekullit dhe të kthimit të popullsisë në fshat, është një reflektim interesant i zbehjes së ëndrrës së modernizimit. Megjithatë, kjo nuk është një stratëgji e besueshme për zhvillim. Pjesët rurale nuk tërheqin fare popullsinë e urbanizuar: infrastruktura themelore mungon, arsimi dhe shërbimet shëndetësore janë pak të zhvilluara dhe kushtet e banimit janë shumë të dobëta. Në një hulumtim të opinionit publik të zhvilluar para ca kohësh, 43 përqind të të përgjigjurve nga pjesët e larta të Maqedonsë theksonin se nuk kanë të holla të mjaftueshme për ushqim, ndërsa 47 përqind të tjerë theksonin se nuk kanë mundësi t'i ofrojnë vetes as veshmbathje. Dyzet përqind të popullsisë bujqësore është nën nivelin e mbijetesës, duke mos fituar asgjë nga bujqësia. Shtytësit ekonomikë për tu marrë me bujqësi janë shumë të ulët, aq sa më 1996 vetëm 48 përqind të të gjithë tokës së punueshme në pronësi privatë shfrytëzohej me të vërtetë.

Në tërë rajonin e Kërçovës ka vetëm 10 familje të cilat kanë më shumë se 100 dele dhe vetëm 16 persona zyrtarisht punojnë si barinj. Kur Blagoja Gjorgjijoski mori pronësitë e kooperativës bujqësore së falimentuar, ai u bë pastoralisti kryesor në rajon me më shumë se 2.000 copë dele. Ai gjithashtu është kryetar i shoqatës së vetme në rajon të kultivuesve të deleve, e themeluar më 1998 e me anëtarësi kryesisht shqiptare, që planifikon të arrijë rekorde. Ai pohon se për momentin nuk ekziston njohuria për të bërë prodhime cilësore të afta për konkurrencë me importin, e as që ka mjete për t'i plasuar ato në treg. Vetvetiu kuptohet se shumica e djathit të delës që prodhohet në rajon nuk mund të shitet.

Çfarë është edhe më me rëndësi, në radhët e maqedonasve të rinj urbanë në Kërçovë nuk ka dëshirë për t'u kthyer në fshatrat të cilat gjyshërit apo stërgjyshërit e tyre i kanë braktisur dekada më parë, dhe për të vazhduar një jetë të izoluar në kullotat e larta malore. Gjorgjijoski ka kuptuar se angazhimi i barinjve është problem kyç edhe përkundër pagave të cilat janë në masë të konsiderueshme mbi mesataren. Pavarësisht nga ajo se sa akute është kriza e industrisë në Kërçovë shprehitë e jetës së shoqërisë industriale akoma mbesin në skenë.

V. GLOBALIZIMI I SHQIPTARËVË TË KËRÇOVËS

Më 1998 administrata komunale e Kërçovës ka publikuar një libër kolor për rajonin e Kërçovës. Kapitulli për ekonominë lokale i numëron të gjitha ish ndërmarrjet shoqërore dhe drejtorët e tyre themelues. Ky gjithashtu vë në pah se "fatkeqësish, procesi i ri i tranzicionit në vend që të shpejtojë rritjen ekonomike, ka sjellur deri tek rënia në prodhimtarinë shoqërore". Asnjë biznes privat nuk përmendet. Shqiptarët, të cilët përbëjnë shumicën e popullsisë në këtë rajon, nuk figurojnë fare përveç se në pjesën lidhur me Luftën e Dytë Botërore.

Kjo mungesë e interesimit në anën e Maqedonisë zyrtare për atë se çfarë ndodhë në pjesën e majtë të "Bulevardit Çlirimi" apo në fshatrat si Zajasi dhe Oslomeji, shpjegon se pse një nga makinat më dramatike të ndryshimit social në dekadën e fundit (emigrimi masiv i shqiptarëve për në shtetet perëndimore) kurrë nuk ka figuruar në të menduarit zyrtarë për zhvillimin lokal.

Strategjia e lartëpërmendur për zhvillimin rajonal nuk vëren fare emigrimin për punë. Në raportin e vitit 1998 për Maqedoninë, të titilluar "Përparimi i Rritjes", Banka Botërore mezi përmend se "të hyrat e paidentifikuara të kapitalit përbëjnë rreth 70 përqind të financimit të deficitit aktual gjatë viteve 1994-1997. Mund të jetë që këto apo që të gjitha qarkullimet e paregjistuara të jenë kredi tregtare të vetë-likuidimit". Përderisa rëndësia e ndihmave nga emigracioni është e pashmangshme në kontekstin e stabilitetit makroekonomik, ndikimi i tyre në ekonominë rajonale asnjëherë nuk është hulumtuar.

Ndërsa në historinë e re evropiane emigracioni i punës është pranuar si një "shok ekzogjen" i sistemit stagnant ekonomik. Jo shumë kohë më parë ngjarja kryesore shoqërore e vitit në shumicën e pjesëve jugore të Italisë ishte kthimi për Krishtlindje i punëtorëve emigrantë italianë në fshatrat e tyre - "calata dei tedeschi" (pasardhësit e gjermanëvë). Siç ka përfunduar një hulumtim i para ca kohëve në lidhje me rritjen ekonomike gjatë shekullit të kaluar, në historinë e hershme italiane ka pasur periudha kur "vetë emigracioni ka shkaktuar pothuajse gjithë rritjen në paga dhe BPSH për kokë të banorit në Itali dhe shpjegon, njësoj sikurse edhe në rastin irlandez, arritjen e nivelit të Mbretërisë së Bashkuar".

"Ndihmat e emigrantëve ndihmuan në monetizimin e ekonomisë jugore: shtuan të ardhurat ndër familjet jugore, përshpejtuan shrytëzimin e bankave dhe mundësuan qasje më të lehtë deri tek kredia. Ndihmat e emigranëve kanë stimuluar tregtinë me patundshmëri përderisa ata që ktheheshin sillnin me vete shprehi dhe shije të re."

Historia e vonshme e Maqedonisë socialiste është përkujtuese e faktit se zhvillimi ekonomik dhe lëvizja e popullsisë gjithnjë kanë qenë të lidhura ngushtë.

Nuk ka të dhëna të sakta statistikore për emigracionin e shqiptarëve shqiptarëve me vite të tëra. Vlerësimi i zakonshëm, edhe nga zyrtarët maqedonas sikurse edhe nga qytetarët shqiptarë, është se gati çdo familje në fshat dhe çdo e dyta familje në qytet ka së paku një të punësuar jashtë vendit. Kjo jep bazë për vlerësimet konzervative për së paku 3.300 shqiptarë etnikë të cilët përkrahin familjet e tyre në rajonin e Kërçovës.

Në mungesë të të dhënave të qëndrueshme një mënyrë për të kuptuar peshën e këtij fenomeni është zgjedhja e një grupi të rastit ndër nxënësit e vitit të parë të gjimnazit "Mirko Mileski" në Kërçovë, për të parë mandej se si kanë përfunduar këta nxënës një dekadë më vonë. Klasa e viti 1989/1990 ka pasur përbërje të përzier etnike, duke qenë e përbërë nga 20 maqedonas etnikë, 7 shqiptarë dhe 4 turq. Prej 31 nxënësve vetëm dy ishin të gjinisë femrore (që të dyja maqedonase).

Tabela 10: Të dhënat aktuale për nxënësit shqiptarë, maqedonas dhe turq, klasa e vitit 1989/1990. Gjimnazi "Marko Mileski", Kërçovë

Nxënësit shqiptarë

 

Seferi ka përfunduar shkollën e mesme në Gostivar dhe jeton në Kërçovë. Ai ka kompaninë e tij të taksive ("Zajazi"), ndërsa babai i tij punon në Gjermani

Perparimi është në Vienë.

Lulzimi është në Çikago

Bashkimi që ka përfunduar gjimnazin në Kërçovë është në Nju Jork.

Bashkimi punon në Alaskë

Agroni është në një qytet afër Çikagos

Flamuri, i afërt i Agronit, është në të njejtin qytet afër Çikagos

 

Nxënësit turq

 

Adnani është në Kërçovë dhe punon si taksist

Enisi punon në një ndërmarrje privatë në Kërçovë

Samiri është tregtar i pavarur në Kërçovë

Galip punon në Zvicër (Fribourg/Freiburg)

 

Nxënësit etnikë maqedonas

 

Roberti punon në "Tajmishte"

Vlatko punon në "Tajmishte"

Dusko punon në "REK Oslomej"

Aco punon në "REK Oslomej"

Orce punon tek një bukëpjekës

Zlatko punon në një dyqan të matërialit ndërtimor

Goran punon në një bastore

Zoran punon në sektorin privat

Dalibor punon kohë pas kohe

Maksim punon kohë pas kohe

Beti (grua) është në shtëpi

 

Nëntë të tjerë jetojnë në Maqedoni, por nuk kemi arritur deri tek të dhënat për punësimin e tyre.

 

Gjëja e parë që vihet re është se sa pak nga nxënësit muslimanë kanë përfunduar shkollën. Katër shqiptarë dhe që të katër turqit dështuan qysh në vitin e parë, duke zgjedhur braktisjen e shkollës në vend të përsëritjes së vitit. Shumë pohojnë se vështirësitë në gjuhë dhe mungesa e inkurajimit nga ana e profesorëve ishin arsye të dështimit të tyre. Dy prej tyre arritën të përfundojnë shkollimin e tyre të mesëm në komunën fqinje të Gostivarit, ndërsa të tjerët menjëherë braktisën vendin. Vetëm një nxënës shqiptar arriti të përfundojë shkollën në Kërçovë.

Një dekadë më vonë shtigjet e ndryshme të dy grupeve etnike duken qartazi. Nga shtatë shqiptarë, vetëm një mbeti në Maqedoni (edhe pse pjesëtarët e tjerë të familjes së tij janë jashtë vendit). Prej 20 maqedonasve etnikë të gjithë kanë qëndruar në Maqedoni dhe, sipas të gjitha gjasave që të gjithë janë në rajonin e Kërçovës. Katër prej tyre punojnë në ndërmarrjet e përshkruara në këtë raport (termocentralin "Oslomej" dhe "Tajmishte"), katër kanë punësim të rregullt në sektorin privat dhe tre punojnë punë të kohëpaskohshme apo janë të papunë. Për pjesën tjetër nuk kemi qenë në gjendje të gjejmë detajet lidhur me punësimin.

Kjo pamje duket pashmangshëm si mbresëlënëse dhe do të ishte e çmueshme që të shihen gërshetimet e tjera të studentëve për atë se a janë të qëndrueshme shtigjet e përmendura. Por, kjo ofron një imazh të dinamikës dominante sociale ndër shqiptarët e Kërçovës. Kjo gjithashtu zbulon edhe një cilësi tjetër: paaftësinë e maqedonasve etnikë të Kërçovës që të marrin rrugën e emigrimit.Emigrimi duket të jetë një proces akumulues. Emigrimi është funksion pozitiv i një numri të emigrantëve të cilën sigurojnë të holla, informata dhe përkrahje për të ardhurit e rinj. Edhe nëse maqedonasit etnikë në Kërçovë kanë ndonjë të afërm jashtë vendit, këta janë emigrantët në Australi që janë larguar në vitet 1950 dhe që nuk kanë më kontakte me familjet e tyre në vend. Nuk ka raste që mund të krahasohen me rrjetet e dendura të cilat gjatë dy dekadave të kaluara shqiptarët i kanë krijuar ndërmjet Kërçovës dhe botës së jashtme.

Dukuria e diasporës shpjegon veçoritë e shoqërisë shqiptare në Kërçovë e të cilat habisin vëzhguesit e jashtëm e në veçanti maqedonasit etnikë. Me rritjen e popullsisë, bashkësia shqiptare ka një përpjestim të lartë të të varurve në moshë të ulët, të cilët arrin që t'i mbajë dhe përkrahë edhe përkundër një baze tejet të kufizuar të punësimit. Në të njejtën kohë pjesa shqiptare e Kërçovës dhe fshatrat shqiptare tregojnë një sasi të jashtëzakonshme të kapacitetit krijues, së bashku me një sektor të gjallë shërbyes në qender të qytetit.

Vlerësohet se në komunën e Zajasit ka rreth 2.000 familje shqiptare. Janë 135 mësues të cilët punojnë në shkollat fillore që paraqesin të vetmin burim të rëndësishëm të punësimit publik. Ka shtatë të punësuar komunalë dhe 19 policë, ndonëse para Marrëveshjes së Ohrit kishte vetëm 2 shqiptarë. Në Zajas nuk ka degë të qeverisë qendrore, me përjashtim të dy punëtorëve të shërbimit të ofiçarisë (maticna sluzba). Kompania më e madhe private, ":Perparimi" që merret me shitje të matërialit ndërtimor ka 10-12  punëtorë. Sipas statistikave zyrtare ekzistojnë 155 dyqane të regjistuara, një restorant, një motel që punëson pesë persona, dhe një bukëpjekës që punëson shtatë. Ka 10 punëtorë të cilët mbesin në degën lokale të konglomeratit "Tajmishte", por asnjë nga ta nuk është shqiptar. Me një fjalë, do të ishte për t'u befasuar nëse më shumë se një nga pesë familje ka ndonjë anëtar në punësimin formal.

Imazhi në Oslomej është shumë i ngjashëm. Siç u përmend më lart, termocentrali dhe ndërmarrjet e ndryshme të asocimit punësojnë 1.000 persona, por vetëm 46 prej tyre janë banorë të Oslomejit. Tetë janë të punësuar në administratën komunale dhe dy në ndërmarrjen shërbyese komunale, 129 vende të punës në shkollat fillore, 99 dyqane të regjistuara dhe tregti të vogla, një pompë-benzine, dy kompani të vogla që shesin matërial ndërtimor dhe dy restorante. Për shkak të problemit me cilësi të ujit nuk ekziston asnjë bukëpjekës për 17 fshatrat e Oslomejit. Komuna vlerëson se rreth 50 persona punojnë në rritjen e deleve dhe të gjedheve. Sërish, përpjestimi ndërmjet vendeve të punës dhe 1.900 familjeve të Oslomejit është tejet i pafavorshëm.

Zyrtarët në të dy komunat vlerësojnë se së paku 1.500 banorë të Zajasit, 1.000 të Oslomejit dhe 800 të qytetit të Kërçovës punojnë jashtë vendit dhe dërgojnë ndihmë në të holla për familjet e tyre. Në Alaskë ekziston bashkësia e rreth 250 shqiptarëve nga Kërçova, ndërsa gjithashtu ka edhe bashkësi të tjera të shpërndara në pjesët tjera të Shteteve të Bashkuara nga Çikago deri në pjesën qendrore. Bashkësi tjera gjenden në Evropën Perëndimore, veçanërisht në Zvicër dhe Gjermani. Biznesmenët shqiptarë të Kërçovës posedojnë shërbime të veturave luksoze në Alaskë, restorante në Viskonsin dhe hotele në Antalya të bregdetit turk. Një numër i madh i tyre marrin pensione nga Zvicra, Gjermania dhe shtetet e tjera evropiane. Në të vërtetë, Kërçova shqiptare është bërë periferi e Evropës Perëndimore dhe e Shteteve të Bashkuara.

Bashkësia e diasporës dërgon transfere të hollash, bën investime personale në paluajtshmëri dhe shpenzon shuma marramendëse të të hollave për martesa. Ndikimi i ekonomisë lokale është mëse i dukshëm. Bazuar në intervistat ndër bashkësitë shqiptare, në mënyrë konzervative mund të llogaritet se një punëtor i rëndomtë jashtë vendit dërgon në shtëpi apo shpenzon në Kërçovë më shumë se €5.000 në vit, duke e bërë transerin e përgjithshëm të tejkalojë shumën prej €16 milionë. Kjo është e barabartë me dhjetëfishin e buxhetit të konsoliduar të komunës së Kërçovës, dhe dyfishin e pagave të kombinuara vjetore të 3.800 maqedonëve etnikë të punësuar në administratës publike dhe në ish ndërmarrjet në pronësi shoqërore.

Këto rrjedha financiare gjenerojnë një shumë të rëndësishme për investimet në patundshmëri. Madhësia e shumicës së shtëpive në Zajas dhe Oslomej është në disproporcion me gjendjen e ekonomisë lokale. Gjithashtu ka një numër të projekteve ndërtimore prestigjioze në pjesën shqiptare të qytetit të Kërçovës, disa prej të cilave qartazi të dizajnuara për plotësimin e shijes së bashkësisë shqiptare për martesa të shtrenjta. Nga mesi i viteve 1990, të hollat e diasporës kanë financuar ndërtimin e Arabella-s, një kompeks trekatësh, ku janë të vendosura dyqane dhe zyra, një stacion televiziv lokal dhe një qendër ceromonish.

Megjithatë, edhe përkundër prosperitetit të krijuar nga këto objekte ndërtimore, shumë pak prej të ardhurave të kapitalit të diasporës përfundon në investime prodhuese. Ambienti i rajonit të Kërçovës nuk shihet si i favorshëm për ndërmarrje të rrezikshme të kapitalit. Ka shumë rrëfime ndër shqiptarët e Kërçovës për ndërmarrje të dështuara të biznesit që janë prishur nga inspektorët armiqësorë, problemet në sigurimin e lejeve dhe pëlqimeve për ndërtim, si dhe të pengesave të tjera të tjera burokratike. Mungesa e investimeve publike është gjithashtu një problem i madh. Një shqiptar komentonte se, "njerëzit mësohen me ambientin zviceran e mandej ballafaqohen vetëm me telashe: nuk ka furnizim të sigurtë me ujë, furnizimi me rrymë është i dobët, rrugët janë të paasfaltuara."

Mungesa e një shteti efektiv në pjesët shqiptare dhe rrjedhimisht cilësia e dobët e infrastrukturës lokale, bën që kapitali të bllokohet në grackën e tregut dhe të konsumit, duke gjeneruar shumë pak pasuri të qëndrueshme. Për këtë arsye pronarët shqiptarë të dyqaneve në qytet mbesin të varur nga diaspora e cila vjen për çdo vit dhe shpenzon të hollat gjatë muajve të verës. Gjatë pjesës tjetër të vitit, siç shpjegon një shitës i qilimave, "gjendja jonë është pothuajsve aq e keqe sa edhe në dyqanet e maqedonasve."

Mungesa e kanalizimit efektiv të kapitalit të diasporës duhet të radhitet si mundësia më e mirë por e pashfrytëzuar, për ngritjen e Kërçovës nga cikli i rënies ekonomike. Një ndërmarrje e rëndësishme privatë në Kërçovë, ndërmarrja e tekstilit "Himara", e ilustron këtë potencial. Pronari i saj, Bajram Selimi, më 1994 është kthyer nga Franca ku ka pasur kompaninë të tij të tekstilit. Duke marrë objektet e kooperativës tregtare, që ka falimentuar në vitet 1990, ai ka krijuar ndërmarrjen e tij me 100 punëtorë, ndërmarrja kjo më e madhe ndër ndërmarrjet e reja të Kërçovës. Himara prodhon ekskluzivisht për tregun francez, duke marrë pëlhurën nga Franca dhe duke kthyer prodhimet e përfunudara, me ndërmarrjen franceze të z.Selimit që shërben si ndërmjetëse. Është interesante se përveç vetë shefit dhe kontabilistit kryesor të gjithë të punësuarit e ndërmarrjes janë maqedonas etnikë, kryesisht femra të cilat më parë kanë punuar për ndërmarrjen në pronësi shoqërore "Kikoteks".

Duke pasur parasysh rrethanat e rënda ekonomike, Kërçova mund të gjejë kombinim të përshtatshëm të kapitalit, shkathtësive ndërmarrëse dhe të kontakteve ekzistuese me tregun e jashtëm vetëm në radhët e disaporës shqiptare. Për këtë arsye diaspora shqiptare paraqet burimin më të rëndësishëm ekonomik. Siç tregon shembulli i Himarës, në rast se do të gjendeshin mënyrat për ta mobilizuar atë, përfitimet do të shkonin njësoj si për maqedonasit etnikë ashtu edhe për shqiptarët etnikë.

Nëse ky burim nuk mund të kanalizohet siç duhet, atëherë prospektet ekonomike të shqiptarëve të Kërçovës janë pak më të mira se sa ato të bashkësisë maqedonase. Tani ekzistojnë 1.612 nxënsës në shkollat fillore në Zajas dhe 1.233 në Oslomej. Nuk ka investime në asnjërën nga këto komuna dhe nuk po krijohen vende të reja të punës. Emigrimi do të vazhdojë të jetë shtegu i disponueshëm edhe për gjeneratën e re të shqiptarëve, vetëm nëse nuk paraqitet një strategji e re zhvillimore.

VI. ZAJASI DHE MUNGESA E SHTETIT

Kėrēova ka dy klube rivale tė futbollit.  "Napredok" është klubi tradicional i qytetit dhe ai është themeluar më 1950. Selia e tij është stadiumi që në kohën e socializmit ishte ndërtuar nga kontributet e detyrueshme dhe kohë më parë është pajisur me ulëse të reja, të blera nga të hollat publike. Ish kryetari i komunës nga radhët e VMRO-së, Ilija Kitanoski, është kryetar i këtij klubi që garon në ligën e parë.

"Vllazrimi" është klub kryesisht shqiptar edhepse i ka dy lojtarë maqedonas, dhe sapo ka hyrë në ligën e dytë. Ai ka një stadium të ri të ndërtuar në fund të viteve 1990 me anë të donacioneve të bashkësive shqiptare nga jashtë, ndërsa sponsori i tij kryesor është biznesmeni më i pasur kërçovar në Alaskë. Bari i rritur me kujdes dëshmon për gjendjen e sportit dhe pajisjet e importuara nga Shtetet e Bashkuara. Stadiumi është ndërtuar në hapësirë të pashfrytëzuar publike, pa leje ndërtimi nga shteti. Siç tregon një biznesmen lokal, ky stadium është arritja më krenare kolektive e bashkësisë shqiptare. Të hollat nga diaspora ndihmojnë për të zëvendësuar vetë shtetin.

Megjithatë, mungesa e shtetin nuk vihet re aq shumë në qytetin e Kërçovës sa është e dukshme në komunat shqiptare të rajonit. Në komunën e re të Zajasit, që është vendlindja e Ali Ahmetit, administrata komunale me një personel prej 7 personave është e vendosur në një strehim të përkohshëm jo më të madh se një apartament familjar. Me buxhet bazë prej €54.000 për një bashkësi prej 10.000 personash në vitin 2002, është në minimum kapaciteti i saj që në çfarëdo mënyre të realizojë shërbimet ndaj qytetarëve. Institucionet publike më të mëdha në Zajas janë shkollat fillore, të cilat punësojnë 135 persona për 1.600 nxënës. Autoritetet qendrore të shtetit maqedonas janë të përqëndruara në qytetin e Kërçovës apo larg në Shkup. Vetëm 395 familje pranojnë ndihma modeste të mirëqenies sociale dhe rrallëkush pranon përfitimet për të papunë. Në komunë ka vetëm 24 km rrugë të asfaltuara lokale. Në periudhën e ish Jugosllavisë nuk ka pasur investime të rëndësishme në komunë, me përjashtim të minierës në Tajmishte që tani është e mbyllur, ndërsa që nga fundi i socializmit pothuajse nuk ka pasur investime publike të çfarëdo natyre.

Në vende si Zajasi izolimi prej shtetit maqedonas është shtuar edhe më tej përmes reformave të qeverisë lokale më 1995/6, që ka ngritur numrin e komunave nga 24 në 123. Nga rajoni i Kërçovës janë dizenjuar katër komuna të reja rurale, dy prej të cilave, Zajasi dhe Oslomej, kanë popullsi dominuese shqiptare. Komunat e reja janë shkëputur nga qendra e tyre tradicionale administrative, dhe nuk kanë trashëguar pothuajse kurrfarë infrastrukture apo institucione publike.

Ligji i ri mbi Vetëqeverisjen Lokale e bën shtetin shumë të centralizuar. Kompetencat e pakta të komunave përfshijnë ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve lokale e të parqeve, furnizimin me ujë dhe ndriçimin e rrugëve, mbledhjen e plehrave, administrimin e tregjeve dhe të varrezave, dhe një shkallë të caktuar të planifikimit urban. Formalisht që të pesë komunat kanë të njejtat të drejta dhe kompetenca, të ushtruara nga kryetari i komunës, asambleja komunale dhe administrata lokale. Megjithatë, derisa Kërçova punëson diku afër 45 persona, secila nga katër komunat rurale punëson vetëm 5 deri në 7. Përderisa Kërçova ka trashëguar ndërtesën e vjetër të komunës, katër administratat tjera komunale janë të vendosura në baraka apo në objekte të improvizuara, shpeshherë jo më të mëdha se sa një apartament.

Si rezultat i kësaj, defektet institucionale të trashëguara nga periudha socialiste janë bërë edhe më akute. Sektori i shëndetësisë është një shembull i tillë. Në Kërçovë në vitet 1980 sistemi shëndetësor kishte caktuar për investimin e tij më përmbajtësor të dekadës, ndërtimin e një spitali të ri në qytetin e Kërçovës. Ndërtimi filloi më 1986, por pas përfundimit të mureve dhe të kulmit u ndërpre për shkak të mungesës së fondeve. Më 1992, një periudhë e shkurtër e aktivitetit solli deri tek instalimi i dritareve, por projekti u ndërpre sërish dhe enterieri nuk është përfunduar kurrë. Jashtë Kërçovës mungesat e resurseve janë edhe më të dukshme. Spitali i Kërçovës drejton një seri të decentralizuar të klinikave të vogla të shëndetësisë primare (ambulanca), por standardi i përkujdesit në to është tejet elementar. Problemi pjesërisht ka të bëjë edhe me atë se nivelet e personelit (dhe shpërndarja gjeografike e tij) ka vazhduar të jetë konstante edhe përkundër rënies së gjithmbarshme të burimeve, duke i detyruar klinikat në reduktim të shpenzimeve të tyre operacionale. Si rezultat i kësaj, disa nga to janë të hapura për vetëm katër orë në ditë.

Tabela 11: Të ardhurat e konsoliduara komunale të Kërçovës, Drugovës dhe Oslomejit më 2000

Burimet komunale

Kërçova

Oslomej

Drugova

%

%

%

Buxheti komunal

145.974

9.6

85.000

48.7

70.000

24.6

Fondi për rrugët lokale

80.172

5.3

65.500

37.5

-

0.0

Fondi për shërbimet komunale /
   organizimi i tokës ndërtimore

559.807

36.8

20.000

11.5

214.947

75.4

Ndėrmarrjet e shėrbimeve komunale

734.400*

48.3

3.900

2.2

-

0.0

Gjithsej

1.521.353

100.0

174.500

99.9

228.947

100.0

Prej burimeve qendrore

157.638

10.4

79.557

45.6

226.183

79.4

* Nuk ka të dhëna të disponueshme për ndërmarrjen publike "Komunalex Kicevo". Ky vlerësim bazohet në të ardhurat mesatare të ndërmarrjeve maqedonase për shërbimet komunale për kokë banori.

(Burimi: Projekti i Reformimit të Qeverisë Komunale)

 

Pa prodhimtari komunale dhe pa qendër urbane kapaciteti i komunave të vogla për të gjeneruar të ardhura për ndërtimin e institucioneve të reja dhe të infrastrukturës është i kufizuar shumë. Në sistemin fiskal maqedonas, që mbetet mëse i centralizuar, të ardhurat komunale varen shumë nga pagesat komunale dhe tatimet e mbledhura për ndërtime dhe fitim të tokës duke shtuar këtu edhe të ardhurat e ndërmarrjeve komunale, që të gjitha këto jashtë buxhetit. Si qendra më e rëndësishme urbane, qyteti i Kërçovës është në gjendje që prej këtyre burimeve të gjenerojë shumicën e të ardhurave të veta, të ardhura këto që më pas shfrytëzohen për zhvillim të infrastrukturës dhe për shërbime komunale. Megjithatë, në Oslomejin shqiptar nuk ka ndërtime tregtare dhe ka shumë pak infrastrukurë për të gjeneruar pagesa për shërbime. Këto dy burime arrijnë shumën prej €24.000 apo 14 përqind të totalit të të ardhurave të Oslomejit.

Mungesa e pavarësisë financiare tek komunat rurale shqiptare i bën ato të varura në qeverinë qendrore dhe në këtë mënyrë edhe të dobëta ndaj paparashikueshmërisë dhe pabarazisë së shpenzimeve publike të Maqedonisë. Ekzistojnë vetëm disa burime qendrore të disponueshme për projektet e infrastrukturës lokale. Një numër projektesh të ujësjellësit është financuar nga Ministria Republikane e Transportit dhe e Komunikacionit, bëhen transferime të rregullta nga Fondi për Rrugët Nacionale dhe Rajonale në fondet e rrugëve komunale, si dhe janë disa projekte të infrastrukturës që janë të përkrahura nga Zyra për Rajonet e Pazhvilluara. Këto bartje veprojnë në mënyrë jo-transparente dhe është tejet e vështirë që të kuptohet për mënyrën se si janë të shpërndara nëpër vend.

Në lëmin e furnizimit me ujë ekziston një neglizhencë e qartë ndaj fshatrave shqiptare e në favor të hapësirave urbane dhe atyre rurale me shumicë maqedonase. Prej 27 projekteve të përkrahura nga Ministria e Transportit dhe e Komunikacionit në rajonin e Kërçovës prej vitit 1997 deri më 2001, Zajasi ka marrë përkrahje për vetëm një projekt, duke arritur kështu mezi 1,9 përqind të fondit të përgjithshëm të shpenzuar në rajonin e Kërçovës. Me 35 qind për kokë banori, kjo është më pak se gjysma e mesatares kombëtare. Oslomej qëndron vetëm pak më mirë, me pesë projekte të përkrahura. Edhe përkundër faktit se këto dy komuna përbëjnë 37 përqind të popullsisë së rajonit të Kërçovës, kanë ndarë ndër vete vetëm 14,2 përqind të financimit. Në anën tjetër dy komunat rurale me shumicë maqedonase, Vraneshtica dhe Drugova, kanë marrë 47.8 përqind të fondeve për projekte, edhe pse kanë vetëm 10 përqind të popullsisë së rajonit.

Tabela 12: Fondet e shpërndara nga Programi Për Ujësjellësin dhe Kanalizimin dhe
Fondin për Rrugët Nacionale dhe Rajonale në rajonin e Kërçovës, 1997-2001

Komuna

Popullsia %

Fondi për rrugë

Ujë dhe kanalizim

Gjithsej

 

 

%

%

%

Kėrēova

53.0

296.817

31.2

168.333

37.7

465.150

33.3

Drugova

6.8

176.700

18.6

150.000

33.6

326.700

23.4

Oslomej

17.6

174.283

18.3

56.667

12.7

230.950

16.5

Vraneshtica

3.2

114.967

12.1

63.333

14.2

178.300

12.8

Zajasi

19.3

187.467

19.7

8.333

1.9

195.800

14.0

Gjithsej

100.0

950.234

 

446.667

 

1.396.900

 

 

Është e qartë se forcimi i autonomisë lokale në Maqedoni kërkon burime të përshtatshme për të mundësuar që këto të jenë efektive. Pasoja praktike e reformave të viteve 1995/6 ishte se shteti në tërësi u zhduk në masë të madhe nga komunat e vogla. Në esencë, shteti maqedonas humbi kontrollin në vendet si Zajasi – jo në kuptim të sigurisë apo të rendit dhe të ligjit, por në kuptim të të qenit në gjendje që të ruajë një prani administrative efektive.

Në disa fshatra shqiptare "këshillat e paqes" vazhdojnë të funksionojnë në formën e organit joformal të papranuar nga ana e shtetit. Këto përbëhen nga pleq të respektuar në fshat të cilën ndërmjetësojnë në kontestet ndërmjet anëtarëve të bashkësisë. Përderisa autoriteti i tyre ndryshon nga fshati në fshat, në disa vende këshilli është në gjendje që të vendosë dhe të imponojë pagesat në emër të kompenzimit. Qëndrimet lokale ndryshojnë në lidhje me atë se sa mirë funksionojnë këto struktura joformale. Sipas disa shqiptarëve, këshillat paraqesin vazhdimësi të "kanunit", ligjeve tradicionale shqiptare; të tjerët thonë se këshillat kanë humbur rëndësinë e tyre sociale. Aty ku këta vazhdojnë të veprojnë, kjo është pjesërisht shenjë e mungesës së besimit në sistemin juridik formal. Sipas një fshatari shqiptar, "nëse ndonjëri e thërret policinë apo i drejtohet gjykatës, rezultati i kësaj është një komplikim edhe më i madh."

Niveli i lartë i centralizimit në institucionet publike të Maqedonisë bën që këto institucione të kenë vetëm marrëdhënie të dobëta me pjesët rurale. Rezultat i kësaj është mugesa befasuese e informatave për dinamikat më të rëndësishme në shoqërinë maqedonase. Aktivitetet të cilat janë më të rëndësishmet për bashkësinë ruale (bujqësia ekzistenciale, tregtia e imtë, emigrimi për punë) as nuk i nënshtrohen autoritetit të shtetit dhe as që paraqesin përfitim nga burimet publike. Këto zhvillohen në një ambient që për autoritetet maqedonase në masë të madhe është i padukshëm.

E njëjta dinamikë vlen përgjithësisht edhe për sektorin e ri privat në qytetin e Kërçovës. Bie fjala, dega rajonale për Kërçovë e Ministrisë së Ekononisës nuk ishte në gjendje që të sigurojë një listë të ndërmarjeve privatë në Kërçovë apo që t'i identifikojë më të rëndësishmet. Shtatë punëtorë (apo sado që punojnë aty) nuk kanë asnjë kompjuter e të mos flasim për ndonjë bazë të të dhënave. Regjistri Qendror, një nga pasardhësit e ish-zyrës së pagesave, i merr të dhënat nga secila ndërmarrje, por këto i dërgon në Shkup për përpunim. Ato të dhëna mund të shikohen vetëm përballë një pagese prej 5 eurosh për njësi të të dhënave dhe pas lejes zyrtare të drejtorit. Kurrfarë të dhënash nuk procedohen apo dërgohen serish në Kërçovë. Si rezultat i kësaj nuk ekziston asnjë bazë rudimentare për formulimin e politikës ekonomike komunale.

Legjitimiteti i cilitdo shteti në radhë të parë mbështetet në aftësinë e tij për të ushtruar shërbime praktike ndaj qytetarëve të vet. Për këtë arsye nuk është për t'u befasuar kur e shohim shtetin e Maqedonisë duke hyrë në krizën e legjitimitetit, krizë kjo që kuptohet se është më akute brenda bashkësisë shqiptare. Ndër shqiptarë ekziston një perceptim shumë i dukshëm dhe në masë të madhe edhe i arsyeshëm, për praninë e largët dhe të huaj të shtetit, pa ndonjë përfitim të mirëfilltë që ky mund të ofrojë në lëmitë e rëndësishme për shqiptarë.

Duke parë rajonin e Kërçovës është e dukshme se ky 'deficit demokratik' nuk është një problem abstrakt, por një çështje shumë personale lidhur me atëe se si janë të organizuara institucionet publike dhe si shpërndahen resurset publike. Sfida kryesore në tejkalimin e ndarjeve politike është riformësimi i shtetit të Maqedonisë në atë mënyrë që të bëhet relevant në vende si Zajasi, jo vetëm si një forcë policore por edhe si faktor i zhvillimit social dhe ekonomik. Kjo është gjithashtu edhe kusht për ndërrimin e kahjes së rënies së ekonomisë së Kërçovës.

VII. ZBATIMI I OHRIT NË KËRÇOVË

Rrëfimi i ekonomisë politike të marrëdhënieve etnike në Kërçovë përfshin implikime të rëndësishme për Maqedoninë përderisa përgatitet për zbatimin e Marrëveshjes së Paqes (Marrëveshja e Ohrit).

Në Kërçovë nuk ka shkatërrime nga lufta të cilat duhen rindërtuar, nuk ka popullsi të zhvendosur që duhet rikthyer në vendin e saj dhe nuk ka paramilitarë të cilët duhen çarmatosur apo shpërndarë. Gjuha shqiptare tanimë është në përdorim në shumë kontekste zyrtare, ndërsa sistemi arsimor është dygjuhësor. Zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit sigurisht se duhet të jetë më i lehtë këtu se sa në Tetovë apo në fshatrat veriore të prekura drejtëpërsëdrejti nga luftimet. Megjithatë, edhe përkundër kësaj, as në rajonin e Kërçovës nuk janë të vendosura në vend mjetet për adresimin e të metave të numëruara në këtë raport.

Kjo nuk është çështje e politikës simbolike, edhe pse simbolet kanë rol për të luajtur. Kjo është çështje e angazhimit në problemet e vështira lidhur me atë se si do të shpërndahet pushteti politik dhe resurset publike në vende si Zajasi, Drugova dhe Kërçova.

Dy zhvillime vijnë në pah në periudhën pas-zgjedhore në Maqedoni. E para, është imperativi i mbajtjes nën kontroll të shpenzimeve publike. Si rezultat i konfliktit të vitit 2001, shpenzimet në lëmin e mbrojtjes dhe të sigurisë janë ngritur dukshëm mbi nivelin e vitit 2000, dhe sipas të gjitha gjasave edhe për të ardhmen e parashikueshme do të mbesin të tilla. Sipas FMN-së "kriza e sigurisë në mënyrë drastike ka ndyshuar sfidat fiskale afatmesme të IRJM-së. Jo vetëm se janë paraqitur kërkesa të reja për shpenzime, por po ashtu ka gjasa që edhe në afat të mesëm të paraqiten kërkesa të reja."

Maqedonia është duke hyrë në një presion në rritje nga ana e institucioneve ndërkombëtare financiare për reduktim në shpenzimet publike. Siç pohon FMN: "Në vitet që vijnë, buxheti do të ballafaqohet me dëmet fillestare në pjesën e të hyrave dhe presionin për shpenzime në disa lëmi prioritare. Personeli [i FMN-së] ka inkurajuar autoritetet që duke filluar nga viti 2003, nëse jo edhe më herët, të aplikojnë masat permanente të avansimit të të ardhurave... Forcimi shtesë i menaxhimit dhe kontrollit të të ardhrave është poashtu prioritet." Opcionet për reformën e qeverisjes lokale dhe decentralizimin fiskal janë të kufizuara nga kërkesat e përgjithshme që cilido ndryshim duhet t'i përmbajë, apo thënë në gjuhën e institucioneve ndërkombëtare financiare, ndryshimi duhet të jetë "neutral për sa u përket të ardhurave". Kjo do të thotë se krijimi i institucioneve të reja të shërbimeve nga shteti duhet të përcillet me ulje të të tjerave. Rishpërndarja e burimeve të pakta publike patjetër se do të gjenerojë fitues dhe humbës.

Zhvillimi tjetër është ndeshja e shpresave që brenda udhëheqjes së bashkësisë shqiptare dhe të asaj etnike maqedonase lidhur me ritmin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Në pritje të zgjedhjeve të paradokohshme në të cilat partia e Ahmetit morri pjesë, shqiptarët e Maqedonisë shpresonin të ndjenin ndikimin e marrëveshjes së paqes në jetën e tyre. Ka shumë shpresa në lidhje me ristrukturimin e bazës së arkitekturës shtetërore, forcimin e qeverisë lokale, investimet përmbajtësore në arsimimin në gjuhën shqipe dhe në një pranim të shpejtë të shqiptarëve në punët brenda sektorit publik. Edhe pse reformat si kjo janë në tavolinë që nga vitet 1990, shqiptarët etnikë shpresojnë se tani procesi do të rrjedh shumë më shpejtë, për shkak të hapava të Marrëveshjes së Ohrit si dhe premtimit në të se ndërkombëtarët, e në veçanti Unioni Evropian, do të ndërmarrë një rol aktiv në sigurimin e implementimit.

Nga ana tjetër shumica e maqedonasve etnikë në parim kurrë nuk e kanë kundërshtuar nevojën për reforma. Megjithatë, përballë sfondit të krizës në rritje të punësimit, veçanërisht ndër klasën e mesme urbane me ndikim politik, ka gjasa që të kërkojnë prej përfaqësuesve politikë mbrojtjen e nivelit të punësimit të tyre në sektorin publik. Premtimi abstrakt për reformën e qeverisjes lokale dhe atë të administratës publike, mund të arrijë në pengesa serioze në momentin e ndryshimit të resurseve (dhe të vendeve të punës) nga institucionet qendrore në Shkup dhe nga qytetet e tjera të mëdha maqedonase. Është relativisht lehtë të pranohet kërkesa formale që gjuha shqipe të përdoret në institucionet publike, por është shumë më e vështirë që të punësuarit maqedonas të lirojnë vendin për shqiptarët, apo që shtrirja e arsimit të mesëm në pjesët shqiptare të bierë si çmim që duhet paguar për kufizime në lëmitë e tjera të cilat nga ana e bashkësisë maqedonase konsiderohen thelbësore.

Ka mundësi të parashikohet se ku mund të paraqiten këto dëme, duke menduar për atë se si do të vihet në jetë politika e zbatimit të [Marrëveshjes së] Ohrit, në vende si Kërçova. Duke lënë anash pjesët që kanë të bëjnë me indentitetin kulturor (ekspozimin e simboleve, mbrojtjen e diversitetit kulturor), janë tre elemente të Marrëveshjes së Ohrit të cilat kanë ndikim mëse të drejtpërdrejtë në jetën e Kërçovës: përfaqësimi i barabartë në administratën publike; përdorimi i gjuhës shqipe në marrëdhëniet me shtetin; dhe forcimi i qeverisjes lokale. Në këto tre lëmi, është bërë pak përparim në reformat fillestare legjislative dhe pjesa më e vështirë mbetet akoma për t'u kryer.

A. Shqiptarët si nëpunës pubikë

Përveç dispozitave të përgjithshme për ndalimin e diskriminimit dhe trajtimin e barabartë Marrëveshja e Ohrit parasheh gjithashtu se:

"Ligjet që kanë të bëjnë me administratën publike do të përfshijnë masa për të siguruar përfaqësimin e barabartë të bashkësive në të gjitha organet publike qendrore dhe lokale dhe në të gjitha nivelet e punësimit brenda organeve të tilla, duke respektuar në të njejtën kohë rregullat lidhur me kompetencat dhe integritetin që vlejnë për administratën publike."

"Përfaqësimi i barabartë" është nocion deri diku i paqartë, pa implikime strikte matematikore për "përfaqësimin proporcional", por padyshim se ky prin në drejtimin e duhur. Kjo pacaktueshmëri e termit e shton rrezikun për shpresa divergjente ndër bashkësitë e ndryshme. Në Kërçovë, nëse lëmë anash sektorin arsimor që për arsye të gjuhës tanimë është i balancuar, tani ka rreth 870 vende të punës shtetërore. Duke pasur parasysh rolin e tyre prej rreth 50 përqind të popullsisë rajonale, shqiptarët mund të pretendojnë në mënyrë legjitime për rreth 400 vende. Kjo do të ishte për rreth tre herë më shumë se sa numri i vendeve të cilat ata i kanë momentalisht.

Duke pasur parasysh kufizimet në financimin publik dhe kërkesat e administratës efektive, rajoni i Kërçovës nuk do të mund të arsyetojnë përfaqësim të barabartë përmes rekrutimit shtesë të shqiptarëve. Për të mbajtur nivelin ekzistues të punësimit, që qysh tani mund të jetë tepër i lartë, do të kishte nevojë që për një të tretën të reduktojë numrin e të punësuarve etnikë maqedonë për të bërë vend në këtë mënyrë për po aq shqiptarë.

Janë disa pengesa me gjasa të larta për t'u paraqitur. E para ka të bëjë me numrin e shqiptarëve që janë të aftë për të zënë vend në administratë publike, duke pasur parasysh kërkesat e Marëveshjes së Ohrit për "respektimin e rregullave për kompetencën... që qeverisin administratën publike". Në Zajas dhe Oslomej vetëm tre përqind (diku rreth 530 individë) të popullsisë kanë arsim të mesëm apo të lartë, që është pothuajse e njejtë me numrin e shqiptarëve të cilat tanimë janë të punësuar në sektorin publik dhe atë kryesisht si mësues. Përveç kësaj është poashtu e mundur që një numri i shqiptarëve të tillë të punojnë jashtë vendit. Siç vihet re në Raportin për Zhvillimin Njerëzor të UNDP, po qe se në administratë publike do të punësoheshin të gjithë shqiptarët me arsim të lartë, "struktura aktuale e punësimitt sipas kritetit etnik nuk do të ndyshohej në mënyrë dramatike". Përfaqësimi shqiptar do të ngritej nga 10.2 në vetëm 10.7 përqind.

E dyta, në ambientin aktual të papunësisë spirale, çfarëdo largimi masiv i maqedonasve në favor të shqiptarëve do të kishte gjasa që të nxisë konfrontim politik. Realisht, korrigjimi i mosbalancit të përfaqësimit në administratë publike duhet të zhvillohet përmesreduktimit të natyrshëm të të punësuarve maqedonas dhe një programi të diskriminimit pozitiv në favor të shqiptarëve në rekrutimin për sektorin publik gjatë viteve të tëra. Kjo duhet të bëhet paralelisht me mundësi të përmirësuara për shkollim të lartë dhe trajnim profesional për bashkësinë shqiptare.

Me fjalë të tjera, ka gjasa që do të nevojitet një gjeneratë e tërë para se të arrihet  një përfaqësim adekuat. Liderët etnikë shqiptarë duhet të menaxhojnë shpresat e elektoratit të padurueshëm, duke i bindur ata në nevojën e angazhimit për qëllimet e tyre përmes masave gjatë viteve të ardhshme, gjatë së cilës kohë administrata do të vazhdojë të jetë e dominuar nga maqedonët etnikë. Në anën tjetër, politikanët maqedonas kanë një punë po aq të vështirë, që në një ambient ku 48,3 përqind e njerëzve nën moshën 30 vjeçarë kurrë nuk kanë qenë të punësuar dhe ku numri i të papunëve të arsimuar është në rritje t'u shpjegojnë të diplomuarve të ardhshëm universitarë, se rekrutimi i ri për administratë publike në të ardhmen e afërt dukshëm do t'i favorizojë shqiptarët.

Tabela 13: Punësimi i vlerësuar në administratën publike në Kërçovë, Drugovë,
Oslomej, Vraneshtinë dhe Zajas

Institucioni

Sektori

Të punësuar

 

 

Gjithsej

Shqiptarë

Kërçovë

 

 

 

   Komuna

Administrata lokale

45

5

   Shkollat fillore

Arsim

198

60

   Shkollat e mesme

Arsim

120

50

   Qendra për punë sociale

Asistencë sociale

16

3

   Zjarrëfikësit

(Në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme)

Nuk dihet

Nuk dihet

   Administrata Qendrore

Degë të ministrive, fonde qendrore, gjykata, zyra e prokurorit, qendra kulturore, bibloteka

180

15

Drugova

 

 

 

   Komuna

Administrata lokale

5

-

   Shkollat Fillore

Arsim

24

-

Oslomej

 

 

 

   Komuna

Administrata lokale

8

8

   Shkollat Fillore

Arsim

129

129

Vraneshtica

 

 

 

   Komuna

Administrata lokale

5

-

   Shkollat Fillore

Arsim

9

-

Zajas

 

 

 

   Komuna

Administrata lokale

7

7

   Shkollat Fillore

Arsim

135

135

Rajonale

 

 

 

   Qendra tregtare

Spitali në Kërçovë dhe disa nga klinikat në komunat e tjera

375

40

   Ministria e Punëve të Brendshme (Policia)

Përfshirë stacionet policore në komuna të vogla

230

42

Gjithsej

 

1.486

494

 

B. Gjuha shqipe si gjuhë zyrtare

Për të njejtën arsye dispozitat për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike do të kërkojë shumë kohë për t'u implementuar aty ku ka më së shumti peshë, përkatësisht në komunikimin e drejtpërdrejtë ndërmjet qytetarëve dhe shtetit. Marrëveshja e Ohrit parasheh se:

"cilido person që jeton në ndonjë njësi të vetëqeverisjes lokale në të cilën së paku 20 përqind të popullsisë flet gjuhë zyrtare tjetër nga gjuha maqedone, mund të përdorë cilëndo gjuhë zyrtare për të komunikuar me zyrën rajonale të qeverisë qendrore përgjegjëse për atë komunë; komuna e tillë do të përgjigjet përveçse në maqedonisht edhe në atë gjuhë."

Në nivelin komunal cilado bashkësi e cila përbën 20 përqind të popullsisë mund të shërbehet me gjuhen e vet në punët me administratën. Marrëveshja gjithashtu përcakton fonde shtetërore për arsimimin e lartë në gjuhën shqipe, diskriminim pozitiv në favor të regjistrimit të pakicave në universitetet shtetërore, përkthime zyrtare të dokumenteve të përdorura në procedurat gjyqësore dhe dhënjen e dokumenteve personale në gjuhën shqipe.

Në Kërçovë nxënësit shqiptarë tanimë vijojnë shkollën e mesme në gjuhën shqipe. Janë disa masa në zbatim e sipër që promovojnë regjistrimin e pakicave në universitete. Në vitin 1995 ligji mbi vetëqeverisjen lokale përcaktonte përdorimin e gjuhes shqipe si gjuhë zyrtare në komunat me 20 përqind shqiptarë, duke përfshirë këtu edhe publikimin e dokumenteve zyrtare në të dy gjuhët. Gazeta zyrtare në Kërçovë tanimë botohet në të dy gjuhët edhe pse përkthimi është tejet i ngadalshëm.

Megjithatë, në praktikë shqiptarët e Kërçovës rrallëherë mund të përdorin gjuhën e tyre për komunikim me komunën apo organet e tjera qendrore të shtetit, për shkak se vetëm pak nga të punësuarit komunalë apo republikanë flasin shqip. Pavarësisht nga sjelljet e zyrtarëve lokalë apo detyrimet e tyre ligjore ky problem nuk do të zgjidhet përderisa shqiptarët të mos jenë të përfaqësuar në mënyrë përmbajtësore nëpër këto organe. Prandaj, çështja e gjuhës në instancë të fundit barazohet më çështjen e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën publike. Sërish, kjo nënkupton se shqiptarët kanë nevojë të kenë durim në realizimin e qëllimit të tyre.

C. Vetëqeverisja lokale

Nëse këto dy qëllime mund të arrihen përmes masave rritëse gjatë viteve të ardhshme, barra kryesore e shpresave do të bierë në decentralizimin e qeverisë për të sjellë kështu rezultate të hershme dhe të dukshme. Marrëveshja e Ohrit përcakton një program ambicioz legjislativ për reformën e qeverisjes lokale.

"Ligji i përmirësuar për Vetëqeverisjen Lokale duhet të miratohet për të ritheksuar pushtetet e zyrtarëve të zgjedhur dhe për të zgjeruar në mënyrë përmbajtësore kompetencat e tyre... Kompetencat e zgjeruara në radhë të parë do të kenë të bëjnë me lëmitë e shërbimit publik, planifikimit urban dhe rural, mbrojtjen e ambientit, zhvillimin e ekonomisë lokale, kulturën, financat lokale, arsimin, mirëqenien sociale dhe sigurimin shëndetësor."

Kjo do të pasohet nga një ligj mbi financat lokale që të "mundësojë dhe krijojë njësi përgjegjëse të vetëqeverisjes lokale për mbledhjen e sasive përmbajtësore të të hyrave tatimore."

Një ligj i ri për vetëqeverisjen lokale është miratuar më 24 janar 2002 dhe ai përcakton qëllimet e devolucionit, duke përfshirë përgjegjësi të shtuara në planifikimin urban dhe rural, zhvillimin ekonomik lokal, shërbimet komunale, mirëqenien sociale dhe mbrojtjen e fëmijëve, arsimin dhe shëndetësinë. Ligji i ri praktikisht është një kornizë ligjore që bën mbarështrimin e parimeve themelore. Për ta plotësuar këtë me përmbajtje duhet të ndryshohen dikund rreth 70 ligje individuale.

Marrëveshja e Ohrit parasheh që hapi i ardhshëm në këtë proces të jetë regjistrimi i popullsisë, i paraparë për t'u zhvilluar nën mbikëqyrjen ndërkombëtare deri në fund të vitit 2001. Ky regjistrim më pas është shtyer për nëntor të vitit 2002. Brenda vitit të regjistrimit duhet të ketë marrëveshje për rirregullimin e kufijve të komunave, përmes një procesi këshilldhënës që do të përfshijë autoritetet lokale dhe ato kombëtare dhe "me pjesëmarrje ndërkombëtare". Maqedonia do të ketë mundësinë e zgjedhjes ndërmjet reduktimit të 123 komunave ekzistuese duke u kthyer në 34 siç ka qenë më herët, para vitit 1996 apo gjetjes së ndonjë konfigurimi të ri.

Komunat e vogla siç janë ato të rajonit të Kërçovës, pa bazë institucionale dhe me nga vetëm pesë deri në dhjetë të punësuar, për momentin janë të pajisuara dobët për marrjen e funksioneve të parapara në ligjin e ri mbi vetëqevesijen lokale, e në veçanti kur është në pyetje arsimi, mirëqenia sociale dhe kujdesi shëndetësor. Tani për tani, struktura rajonale e institucioneve qendrore të Maqedonisë është ende e bazuar përreth 34 komunave. Gjashtëmbëdhjetë institucione qeveritare qendrore kanë zyrat e tyre në qytetin e Kërçovës. Mbështetja e devolucionit përreth këtyre 34 komunave të vjetra do të bënte që disa nga resurset ekzistuese institucionale të jenë të disponueshme për konvertim në organe mbikëqyrëse lokale. Çfarëdo zgjidhje tjetër do të shtronte probleme shtesë të natyrës së ndërtimit të institucioneve.

Komunat e reja do të kenë nevojë për burime adekuate për përmbushjen e detyrave të tyre, si dhe për një nivel adekuat të autonomisë lokale. Në radhën e organizatave ndërkombëtare, FMN-ja është ajo që më së shumti ka shprehur shqetësime për implikimet e decentralizimit fiskal.

"Të gjitha fazat e procesit të buxhetit komunal (përfshirë përgatitjen e buxhetit, zbatimin, monitorimin dhe auditimin) kanë nevojë për përmirësime shtesë. Pa reformë përmbajtësore institucionale të nivelit komunal (p.sh. krijimi i mekanizmave gjithëpërfshirës dhe të kohshëm të raportimit për zbatimin e buxhetit dhe krijimin e auditimit të brendshëm) si dhe të ndërtimit të kapaciteteve njerëzore (p.sh. trajnimi i zyrtarëve financierë komunalë), decentralizimi fiskal është i gjykuar për dështim."

S'ka dyshim se procesi i devoluimit do të hasë në rezistencë nga ana e atyre që janë të interesuar për ruajtjen e aranzhmaneve ekzistuese. Mund të pritet që administrata qendrore në Shkup të luftojë kundër humbjes së personelit dhe të resurseve vetake. Në një dokument strategjik për reformën e qeverisjes lokale në vitin 1999, Ministria maqedonase e Vetëqeverisjes Lokale identifikonte rezistencën burokratike si një ndër burimet potenciale në zbatimin e reformave. Momentalisht administrata qendrore dhe fondet e sigurimit social punësojnë 98.5 përqind të tërë numrit të të punësuarve qeveritarë, duke lënë kështu 1.441 të shpërndarë ndër 123 komunat. Për momentin shpërndarja e pushtetit është qartazi në favor të institucioneve qendrore.

Për një decentralizim të qeverisë ekzistojnë një numër i kushteve thelbësore: nivelet më të ulëta të qeverisë duhet të kenë kompetenca të mjaftueshme për punët e tyre; ato duhet të kenë burime financiare të mjaftueshme për përmbushjen e përgjegjësive të tyre; ato duhet të zhvillojnë kapacitetin e tyre administrativ për ushtrimin e këtyre funksioneve; dhe duhet të ketë një mekanizëm të përshtatshëm të përgjegjshmërisë së tyre. Më e rëndësishmja është se duhet që të ketë një mobilizim të gjërë politik dhe një presion të qëndrueshëm nga poshtë, edhe prej autoriteteve komunale edhe prej vetë qytetarëve, me qëllim të arritjes së një orientimi të dukshëm të resurseve nga qeveria qendrore.

Siç kanë kuptuar me të drejtë Etërit Themelues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kompetencat e ndara nënkuptojnë kundërthënie të përhershme. Është pjesë e domosdoshme e procesit që komunat maqedonase të luftojnë me qendren lidhur me burimet dhe influencën, dhe që nga kjo betejë të paraqiten organizime të reja politike. Megjithatë, është shumë me rëndësi që ky konflikt të mos perceptohet në kontekst të pastër etnik, por që komunat etnike maqedonase të angazhohen aktivisht në debat. Formimi i një aleance të interesave të ndryshme politike në nivelin lokal më së miri do të ishte mënyra më e mirë për të nxitur reformat konstruktive që forcojnë kapacitetin e shtetit në nivelin lokal.

Për të nxitur paraqitjen një aleance të tillë, qeveria e re mund të ketë nevojë për rivlerësim të strukturave ekzistuese. Institucioni qeveritar që koordinon procesin e devolucionit, i themeluar në janar të vitit 2002, përshin 14 anëtarë, kryesisht nga institucionet qendrore qeveritare. Vetëm një anëtar i ZELS, shoqatës së komunave, në cilësi të 'anëtarit të jashtëm' është i përfshirë në proces. Për arritjen e rezultatëve të vërteta, duhet që të ketë zë shumë më të lartë të përfaqësuesve të bashkësive të ndryshme etnike.

Si dizajnimi ashtu edhe zbatimi i procesit të devoluimit sipas të gjitha gjasave do të jenë të vështirë dhe do të marrin kohë. Nëse kjo nuk bëhet në mënyrë energjike, ka gjasa që e njejta të bierë në kurthën e reformave të viti 1995-6, duke krijuar struktura të reja komunale por pa e bërë bartjen e resurseve dhe të kompetencave të vërteta dhe, në instancë të fundit, duke e dobësuar në vend që të forcojë legjitimitetin e shtetin në nivelin lokal. Qeveria e re duhet të pranojë devolucionin si një mjet për të ndihmuar shtetin e Maqedonisë në tejkalimin e krizës aktuale të legjitimitetit, duke lëzivur më afër njerëzve në vendet si Zajasi dhe Oslomeji.

Menaxhimi i shpresave lidhur me ritmin e ndryshimeve edhe në këtë rast do të jetë kritik. FMN rekomandon një qasje në faza ndaj devolucionit, duke filluar nga bartja e funksioneve më së paku të ndërlikuara (faza zero), mandej në bartjen e pronës ('faza 1'), bartjen e kompetencave vendimmarrëse (faza 2) dhe përfundimisht një shtim të përgjegjësive fiskale (faza 3). Një vlerësim i paradokohshëm i FMN-së përfundon me: "Nuk do të ishte për t'u befasuar që në shumë sektore do të nevojiten 5 vite, nëse jo edhe më shumë, për përmbushjen e Fazës Zero" Megjithatë, këto shqetësime praktike e të arsyeshme, nuk guxojnë të shërbejnë si arsyetim për shtyrje. Imperativi politik është për një veprim të hershëm. Sado që të zgjatë procesi, duhet të shihet se i njejti fillon menjëherë.

D. Përfundimet: përtej politikës së shumës zero?

Ishte një arritje tejet impresionuese për menaxhimin ndërkombëtar të konflikteve sjellja e protagonistëve kryesorë nga fushëbetejat e Maqedonisë veriore e perëndimore në tavolinën e bisedimeve. Peshë të njejtë kanë pasur edhe demobilizimi i UÇK-së, kthimi i personave të zhvendosur dhe miratimi i disa reformave kushtetuese dhe legjislative. Mbajtja e zgjedhjeve në shtator 2002 pa ndonjë incident të madh dhe sikur të mos kishte pasur luftime vetëm një vit më herët, ka hapur rrugën për ndryshime politike brenda rendit kushtetues. Në këtë mënyrë Maqedonia ka lëvizur nga ankthi i një lufte të re Ballkanike dhe është zhvendosur nga lajmet e mediave kryesore ndërkombëtare.

Është joshës mendimi se pjesa më e vështirë e vendosjes së paqes së qëndrueshme në Maqedoni tanimë është kryer. Megjithatë, analiza në këtë raport sugjeron të kundërtën. Gjatë periudhave që vijnë, si elita politike maqedonase ashtu edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të merren me një varg çështjesh të ndjeshme.

Çfarëdo strategji e besueshme duhet të niset nga pranimi se shkaqet e thella të pasigurisë (kolapsi i shoqërisë industriale në Maqedoni, dobësitë e sektorit të ri privat, mungesa e shtetit përgjegjës në shumë pjesë të vendit) mbesin më akute se kurrë më parë. Kur kolapsi ekonomik gërshëtohet me mobilizimin etnik atëherë kjo krijon një kombinim tejet eksploziv.

Më 2001, në agun e konfliktit, "Freedom House" përshkruante Maqedoninë si "një vend në tranzicion, por që nuk është plotësisht i sigurtë për destinacionin e vet". Pika përfundimtare e "tranzicionit" në Maqedoni mund të jetë gjendja në të cilën të rinjtë e të dy grupeve etnike përballen me zgjedhjen ndërmjet emigrimit apo qëndrimit në betejën për disa të mira, siç është punësimi në sektorin publik cili akoma gjendet nën dispozicion të shtetit. Sa më shumë shqiptarë etnikë të fitojnë shkollim të mesëm dhe universitar, aq më tepër do të vije duke u shtuar presioni. Vetëm një rritje përmbajtësore në sektorin e ri privat apo një emigrim i gjërë mund të ndihmojë në lehtësimin e këtyre presioneve.

Implikimet e rrëfimit të Kërçovës dhe të paraleleve që ka ky rrëfim brenda Maqedonisë akoma mbeten për t'u kuptuar ndër qarqet e vendit dhe ato ndërkombëtare që merren me formulimin e politikës. Politika ekonomike në Maqedoni deri me tani ka injoruar problemin e gjeneruar nga shpërndarja e pabarabartë e burimeve publike dhe problemet (dhe mundësitë) unike të bashkësisë shqiptare dhe të sektorit privat. Organizatat ndërkombëtare gjatë viteve 1990 kanë preferuar që të pohojnë se tranzicioni social dhe ekonomik në Maqedoni përparonte mirë, edhe pse "përkundër funksionimit të fuqishëm politik, përmirësimi i rezultateve dhe punësimi janë matërializuar ngadalë."

Ekziston një numër i parakushteve që duhet plotësuar para se qeveria e re, me përkrahje ndërkombëtare të mund të fillojë zhvillimin e një strategjie të besueshme zhvillimore. E para është që shteti i Maqedonisë ka nevojë të tejkalojë deficitin e tij evident në informata lidhur me atë që është duke ndodhur në ekonominë e vërtetë, e veçanërisht në pjesët shqiptare. Siç vë në pah UNDP:

"Mungesa e regjistrimeve të sakta statistikore (gjegjësisht të regjistrimeve të njohura dhe të pranuara nga të gjithë) që do të reflektonin dimenzionet e vërteta të gjendjes aktuale, shton vaj në zjarrin e pasigurisë ekzistuese. Kjo veçanërisht ka të bëjë me të dhënat ndëretnike në lëminë e shëndetësisë, mirëqenies sociale, punësimit dhe strukturës së administratës shtetërore, si dhe mungesës së të dhënave lidhur me të ardhurat për kokë banori nëpër komuna."

Ky lloj i njohurisë është thelbësor për kuptimin dhe adresimin e problemeve të ekonomisë politike. Problemet e tilla nuk mund të adresohen si duhet përderisa nuk bëhen të dukshme. Regjistrimi i paraparë për nëntor 2002 është hapi i parë në drejtim të formësimit të shoqërisë maqedonase, por sfida kryesore qëndron në riorientimin e institucioneve publike të Maqedonisë ashtu që të mund të jenë më afër popullit dhe që të jenë më përgjegjëse para tij.

Krijimi i një përshtypjeje të saktë për atë se si shpërndahen resurset publike në Maqedoni paraqet hapin e pare në drejtim të pranimit të hapur të historisë së përjashtimit të bashkësisë shqiptare. Për këtë do të nevojitet guxim politik, në një shoqëri ku shumica e maqedonasve etnikë (edhe pse vetëm 11 përqind të shqiptarëve) besojnë se "të gjithë kanë të drejta të barabarta". Një pamje e saktë e realiteteve dhe tendencave ekonomike gjithashtu do të ndihmonte në identifikimin e mundësive të reja për gjenerimin e kapitalit investues dhe të rritjes së sektorit privat në pjesë të ndryshme të vendit. Qeveria maqedonase ka interes ekonomik vital për të mësuar më shumë nga diaspora dhe për t'u angazhuar ne diskutime serioze lidhur me trasimin e shtegut të zhvillimit ekonomik. Kjo do të mund të bëhej në formë të ftesave për bashkëfinancime të projekteve për infrastrukturën e vendeve si Zajasi dhe Oslomeji, që drejtpërdrejti do të përmirësonte kushtet për rritjen e sektorit publik në mbarë rajonin e Kërçovës.

Kushti i dytë është që liderët e shqiptarëve të pranojnë përmasat dhe ndërlikueshmërinë e sfidave që qëndrojnë përballë. Ata duhet të pranojnë se riformësimi i shtetit të Maqedonisë duhet të bëhet në mënyrë graduale. Ekziston një pikë rreziku jo larg prej zbatimit të [Marrëveshjes] Ohrit, kur zhgënjimet e para e të pashmangshme të paraqiten në lidhje me shpejtësinë e ndryshimeve institucionale. Liderët e shqiptarëve etnikë duhet t'i rezistojnë nxitjes për t'u tërhequr nga gara politike dhe për t'iu rrekur mjeteve jashtëkushtetuese. Në të njejtën kohë, qeveria e re maqedonase duhet të përkujdeset që procesi i ndryshimit të fillohet menjëherë dhe që në terren të arrihen rezultate konkrete, për të ruajtjur kështu efektin earritur nga Marrëveshja e Ohrit. Një rrezik i veçantë qëndron në faktin se premtimi i forcimit të qeverisë lokale do rrëshqasë përballë sfidave politike dhe teknike që pasojnë. Bashkëpunimi ndëretnik efektiv ndërmjet autoriteteve lokale do të jetë thelbësor për të shtyrë këtë proces përpara.

Kushti i tretë ka të bëjë me Bashkimin Evropian. Për politikën e saj unike të jashtme dhe të sigurisë Maqedonia nuk paraqet vetëm një problem më shumë. Javier Solana, Chris Patten, George Robertson dhe të gjitha resurset dhe kredibiliteti i institucioneve që ata përfaqësojnë (Përfaqësuesi i lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Komisioni Evropian, NATO) janë angazhuar në vënien nën kontrollë të krizës së vitit të kaluar. Që nga atëherë Maqedonia është bërë model se si mund të funksionojë në të ardhmen ndërhyrja multilatërale e udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Flamuri i Bashkimit Evropian tani është në qendër të procesit paqësor në Maqedoni. Për momentin ai është duke valuar lart. Kjo do të thotë se edhe zëri i Evropës është tejet i lartë. Në rast se politika e jashtme evropiane nuk mund të arrijë sukses në procesin paqësor në Maqedoni, në vetë kufirin e Bashkimit Evropian, vështirë se mund të pritet që kjo të ketë sukses në pjesët shumë më larg prej interesave vetanake.

Rreziku kryesor i zbatimit të Ohrit është tendenca që në një ambient të resurseve publike në rënie të reduktojë serinë e lojërave për fitore a humbje ndërmjet bashkësive etnike maqedonase dhe shqiptare. Vetëm një përkushtim serioz i Bashkimit Evropian mund të thyejë këtë dinamikë duke krijuar për të dy bashkësitë mundësi të barabarta të pjesëmarrjes në procesin e ekuilibruar të zhvillimit.

Aktualisht mjetet e disponueshme të bashkësisë ndërkombëtare në Maqedoni (diplomacia, rindërtimi, përkrahjet buxhetore dhe të balancimit të pagesave) janë të dizenjuara në mënyrë që të merren me ndërprerjen e konfliktit në vend sesa me shkaqet strukturale të tij. Nëse flamuri i Bashkimit Evropian është mbjellur në marrëveshjen e paqes dhe tavolinat diplomatike në Shkup, pse të mos mbillet i njejti edhe në vendndërtime dhe projekte të infrastruktures në Zajas, apo në programet e konvertimit industrial në Kërçovë?

Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të tij kanë përvojë të madhe në tejkalimin e problemeve të rënies industriale dhe të zhvillimit të ulët rural, probleme këto me të cilat tani përballet Maqedonia. Brenda vetë Bashkimit Evropian qëllimet e bashkimit ekonomik dhe social (zhvillimi i shpejtuar në pjesët e prapambetura) janë arritur përmes mobilizimit masiv të burimeve në formën e fondeve strukturale dhe bashkimeve, bazuar në parimet e bashkëfinancimit, strategjive të besueshme për zhvillimin lokal dhe partneritetit me autoritetet lokale. Tani mjetet e tilla nuk përdoren në Ballkanin perëndimor, edhe pse ato së shpejti do të bëhen të disponueshme për një numër të shteteve të reja.

Një lëmi tjetër kyçe në përfshirjen e Bashkimit Evropian është zhvillimi i një politike të besueshme të migrimit për punë nga Maqedonia. Për të ardhmen e parashikueshme, problemi i papunësisë ndër të rinjtë në vende si Kërçova nuk do të mund të zgjidhet pa vazhdim të migrimit. Kuptimi i migrimit jo si një problem që duhet shtypur, por si një mjet për lehtësimin e presioneve ndaj ekonomisë lokale dhe si gjenerues i burimeve të reja të kapitalit investues, duhet të jetë pjesë e evropianizimit dhe stratëgjisë zhvillimore në Maqedoni.

Bashkimi Evropian përballet me vendim thelbësor strategjik në Evropën juglindore: të vazhdojë të ballafaqohet me pasojat e zhvillimit të ulët që lajmërohet në formën e konflikteve fillestare dhe që asnjëherë nuk mund të zgjidhet plotësisht; apo të ndërmarrë një përkushtim serioz për të nxjerrë Maqedoninë dhe Ballkanin perëndimor nga kurth zhvillimor, duke u marrë në këtë mënyrë me vetë shkaqet e josabilitetit në rrënjë.

 

Për ESI

ESI është institut i pavarur joprofitabil, politik dhe hulumtues me qendër në Berlin dhe me zyra rajonale në Sarajevë, Prishtinë dhe Shkup. Është themeluar më 1999 si pranim i nevojës për politikë të thellë analitike në lidhje me Evropën juglindore. ESI ka përgatitur një varg të raporteve dhe të punimeve të cilët janë të disponueshëm gratis në faqen tonë të internetit (www.esiweb.org). Përveq Kryesuesit të Bordit Ekzekutiv, Gerald Knaus (njëkohësisht edhe Drejtor i "Njësi për Mësimet e Nxjerra dhe për Analiza në Kosovë"), dhe Redaktorit Kryesor, Marcus Cox (njëkohësisht edhe drejtor i projektit të ESI për Bosnjë), ESI ka edhe stafin kryesor si vijon: Kristof Bender (analist i lartë për Maqedoni dhe Serbi – Mal i Zi), Eggert Hardten (analist për Bosnje dhe Kosovë), Verena Knaus (analist i anazhuar nga shtylla e EU-së në Kosovë, për Njësinë për Mësimet e Nxjerra dhe për Analiza), Felix Martin (analist për Bosnje), Marcus Brand (analist për Kosovë) dhe Ulrike Grieshofer (udhëheqës i zyrës në Berlin).

Më 2002 ESI ka pranuar përkrahje nga Fondi Gjerman i Marshall-it i SHBA-ve, Qeveria e Suedisë, Qeveria e Zvicrës, Departamenti për Zhvillim Ndërkombëtar i Mbretërisë së Bashkuar, Fondacioni Korber, Qeveria Britanike dhe Shtylla e Unionin Evropian të UNMIK-ut.

Për më shumë informata vizitoni faqen tonë në internet, apo kontaktoni: Gerald Knaus, g.knaus@esiweb.org

 

Për KIPRED

Misioni i Institutit Kosovar për Hulumtime dhe Zhvillime Politike është që të përforcojë dhe promovojë demokracinë dhe vlerat demokratike në Kosovë.

KIPRED synon të ofrojë hulumtime të pavarura dhe të paanshme të dobishme për krijuesit e politikave. Poashtu synohet ofrimi i ekspertiza të formave të ndryshme nga ato akademike në sygjerime politike praktike.

KIPRED në çdo kohë, përmes një numri të hulumtuesëve dhe asistentëve të hulumtimit drejton projekte politike të hulumtimit. Këshilli Profesional e luan rolin e një bordi redaktues i cili edhe kryen edhe hulumtime ekipore. KIPRED fokusohet, por nuk kufizohet në këto fusha: zhvillimi i partive politike, administrata publike dhe qeverisja lokale, çështjet publike, marrëdhëniet ndëretnike dhe bashkëpunimi regjional. KIPRED prodhon tri lloje të punimeve: reagime profesionale, analiza/raporte politike dhe punime akademike. KIPRED gjithashtu përkthen analiza nga jashtë për lexuesit në gjuhë shqipe.

Shtylla e trajnimit i dedikohet zhvillimit profesional të politikanëve dhe aktivistëve politik. Në bashkëpunim me fondacionin suedez "Olof Palme International Center" është organizuar një seri e trajnimeve. Një nga projektet kryesore të institutit është Internet Akademia për Demokraci. E krijuar nga shkencëtarë dhe trajnues politik suedez, Akademia ofron module interaktive të mësimit duke mbuluar këto lëmi: demokracinë dhe ideologjitë, organizimin dhe strukturat e partive politike, fushatat zgjedhore dhe etikën në politikë.

Kontakt Informata

KCSF/KIPRED
Kodra e Diellit, Rruga 3, Lam. 36
Prishtina, Kosova
Tel./Fax.: +381 (0)38 555 887
E-mail: kipred@hotmail.com

Shkup dhe Berlin, 1 October 2002
Click here to view this document as a PDF file in A4 format. To download the PDF file to your computer, right-click here, select "Save Link/Target As..." in the contextmenu and choose a destination on your hard disk. If you are having problems opening this PDF file, please click here for help. Please note that the PDF version of this document also contains footnotes that are not used in its web version.
Share: What are these?