Dokument me Informata Paraprake: Projekti Lista e Bardhë. Politikat e BE-së për Udhëtimin pa Viza për Ballkanin Perëndimor
1 November 2008
Brussels
Click here to view this document as a PDF file in A4 format. To download the PDF file to your computer, right-click here, select "Save Link/Target As..." in the contextmenu and choose a destination on your hard disk. If you are having problems opening this PDF file, please click here for help. Please note that the PDF version of this document also contains footnotes that are not used in its web version.
Muri i Shengenit

Kur bëhet fjalë për BE-në, njëra prej dëshirave më të mëdha të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, përveç anëtarësimit në BE, është udhëtimi pa viza. Për vite me radhë, ky ka qenë një synim i pakapshëm.

Sot, për të hyrë në zonën e Shengenit, e cila e mbulon pjesën më të madhe të Bashkimit Evropian, qytetarët e Ballkanit Perëndimor duhet të marrin vizë të qëndrimit të shkurtër në njërën prej ambasadave apo konsullatave të 24 shteteve të zonës së Shengenit. Procedura e aplikimit për vizë merr kohë, kushton dhe është përplot stres. Kjo përfshin edhe pritjen e gjatë në rend, mbledhjen e shumë dokumenteve e madje edhe rrezikun e refuzimit të kërkesës për vizë. E gjithë kjo e vështirëson planifikimin e udhëtimit.

Politika për reforma pro-evropiane në rajon dhe përpjekjet e evropianëve të interesuar në stabilizimin dhe integrimin e tërë rajonit të Ballkanit, përmbajnë në vete edhe një kosto të lartë politike. Politikisht është absurde që BE-ja iu ka premtuar ardhmëri evropiane vendeve të Ballkanit Perëndimor, derisa në të njëjtën kohë u vështirëson 20 milion qytetarëve të tyre ta vizitojnë BE-në dhe të mësojnë se çka është Evropa. Ata e shohin këtë si refuzim, dhe pyeten nëse e ardhmja evropiane e vendit të tyre është e vërtetë për shkak të faktit se BE-ja nuk dëshiron t'i pranoj ata as si turistë. Ata poashtu e shohin këtë si qasje diskriminuese: pse shtetasit e Kroacisë kurrë nuk e kishin problem të udhëtojnë në BE pa vizë madje edhe në fillim të viteve të 90-ta, derisa ky është problem i patejkalueshëm për qytetarët e Maqedonisë dhe Shqipërisë sot? Pse kroatët e Bosnjës, të cilët shpesh i kanë nga dy pasaporta, mund të udhëtojnë pa kufizime me pasaportën e tyre kroate, derisa fqinjët e tyre boshnjak nuk mund ta bëjnë këtë? Pse BE-ja ishte në gjendje t'i shfuqizoj kufizimet e vizave për Bullgarinë në vitin 2001, por akoma nuk mund ta bëjë të njëjtën gjë për një kandidat zyrtar për anëtarësim në BE siç është Maqedonia në vitin 2008? Si njëra prej shumë qytetarëve të frustruara të rajonit, Amila Çelebiq një 30-vjeçare nga Sarajeva i përmbledh ndjenjat e shpeshta të rajonit lidhur me këtë çështje:

"Çështja e regjimit të vizave është njëra prej atyre çështjeve të cilat autoritetet tona nuk kanë arritur ta zgjidhin vite me radhë. Gjeneratat e reja, si ajo e imja, as nuk e dinë çka do të thotë udhëtimi pa vizë. Prindërit tonë e kanë përjetuar këtë, dhe ndoshta ata sot janë më të hidhëruar… Shumica e të rinjve në Bosnje kurrë nuk kanë udhëtuar në vende të BE-së, prandaj pyetja logjike është: si mund ta zhvillojnë ata vizionin evropian nëse kurrë nuk e kanë përjetuar Evropën, madje as si turistë?"

Në përgjithësi, ministrat e punëve të brendshme të BE-së janë ata që e përkrahin vazhdimin e status kuo-së. Sipas ministrive për punë të brendshme, dy arsyet kryesore për kufizimet e regjimit të vizave janë frika nga zgjerimi i krimit të organizuar në BE dhe nga migrimi për punë ilegale. Të dyja këto arsye duhet të shikohen më me kujdes.

Aplikacionet e refuzuara për vizë Shengen në vitin 2007
 

Austria

Franca

Gjermania

Greqia

Italia

Shqipëria

21% (2006)

21%

24%

26%

9%

BeH

19% (2006)

5%

15%

2%

1%

Maqedonia

14%

9%

17%

3%

7%

Mali i Zi

-

-

-

5%

0.3%

Serbia

5% (2006)

6%

10%

3%

2%

Sa i përket zgjerimit të krimit të organizuar nga Ballkani Perëndimor, të gjitha dëshmitë ekzistuese tregojnë që ky kërcënim është në rënie e sipër.

Sipas raportit të fundit nga Zyra e OKB-së kundër Drogës dhe Krimit (UNODC), imazhi i Ballkanit si vatër e aktiviteteve kriminale është i vjetruar. UNODC-i tregon që "rajoni i Ballkanit është njëri ndër rajonet më të sigurta në Evropë." Niveli i krimeve klasike – krimeve kundër njerëzve dhe pronave, siç janë vrasjet, plaçkitjet, dhunimet, vjedhjet dhe sulmet – është më i ulët në Ballkan se në Evropën Perëndimore. Trafikimi i drogës, armëve dhe i qenieve njerëzore në rajon është po ashtu në rënie e sipër.

Ballkani mbetet zonë transiti për heroinën e destinuar për Evropën Perëndimore. Megjithatë, përkundër mendimit të përgjithshëm shqiptarët etnik nuk janë trafikantët kryesor të heroinës në Evropë. Bazuar në një analizë të 18,749 arrestimeve të trafikimit të heroinës në vitin 2005 në 15 shtete evropiane, të gjithë qytetarët e Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë të bashkuar (meqë statistikat kriminale nuk bëjnë dallime në mes grupeve të ndryshme etnike brenda një shteti dhe në të gjitha këto tri shtete ka shqiptarë etnik) përfaqësonin vetëm rreth 6% të të arrestuarve në rastet e trafikimit të heroinës. 

UNODC-ja erdhi në përfundim:

"Thënë shkurt, fenomeni i vetëm pothuajse më famëkeq i krimit të organizuar në Ballkan – rol ky i luajtur nga trafikuesit shqiptarë në tregjet e heroinës në Evropës Perëndimore – duket se është në rënie e sipër. Trende të ngjashme janë vërejtur edhe në tregjet e tjera të mëdha të krimit të organizuar në rajon."

Edhe brengat për migrimin për shkak të punës ilegale, janë shpeshherë të ekzagjeruara si rezultat i numrit relativisht të vogël të qytetarëve nga Ballkani Perëndimor (20 milion) dhe fakti që diasporat e tyre në BE tashmë ju kanë ndihmuar shumë prej atyre që dëshironin të punonin në vendet e jashtme. Një studim i kryer nga Programi Zhvillimor i Kombeve të Bashkuara (UNDP), i cili analizoi një gamë të gjerë të të dhënave që ndërlidhen me migrimin nga qeveritë dhe studimet e bëra në Evropën Juglindore, arriti në këtë përfundim në vitin 2005:

"Të dhënat e studimit theksojnë dy konkluzione të rëndësishme. Së pari, ato tregojnë që shumica e atyre që dëshirojnë të punojnë në BE tashmë e kanë bërë këtë, qoftë edhe në mënyrë ilegale. Së dyti, të dhënat tregojnë që potenciali migrues i Evropës Juglindore është relativisht i vogël […]. Numri maksimal i migruesve të përkohshëm nga Ballkani Perëndimor dhe Lindor – bazuar në ekzistencën e kontakteve dhe të punës – mund të arrij në 1.5 milion. Kontributi i Ballkanit Perëndimor në këtë numër mund të jetë në mes 500,000 dhe një milion. Ky është numër i menaxhueshëm për Bashkimin Evropian: vetëm Italia dhe Greqia tashmë kanë më tepër migrues nga rajoni se kaq."

Qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor vazhdimisht kanë lobuar në Bashkimin Evropian për liberalizimin e regjimit të vizave. Që në vitin 2003, në Samitin e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Selanik, udhëheqësit e BE-së iu premtuan atyre diskutime me Komisionin Evropian për reformat e nevojshme për shfuqizimin e kërkesave të regjimit të vizave.

"Ne e njohim rëndësinë që popujt e Ballkanit Perëndimor ja kushtojnë perspektivës për liberalizimin e regjimit të vizave të BE-së. Ne po ashtu jemi të vetëdijshëm që progresi varet nga zbatimi i reformave kyçe në fushat siç janë forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe migrimit ilegal, dhe forcimi i kapaciteteve administrative për kontrollimin e kufijve dhe për sigurinë e dokumenteve. Vendet e Ballkanit Perëndimor mirëpresin synimin e Komisionit që të zhvilloj diskutime përbrenda kornizës së Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit, me të gjitha prej tyre, rreth kërkesave për çuarjen përpara të këtyre çështjeve."

Por shumë vite kanë kaluar nga ky samit dhe asgjë nuk ka ndodhur. Në vitin 2006, më në fund, BE-ja pranoi të lehtësoj procedurat e aplikimit për vizë me kusht të arritjes së marrëveshjeve për riatdhesimin e migruesve ilegal nga, apo që kanë lidhje të qartë me, Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, kjo më tepër kishte të bënte me dëshirën e BE-së që të jetë në gjendje ti kthej prapa jo vetëm migruesit ilegal që janë shtetas të një vendi të Ballkanit Perëndimor, por edhe shtetas të vendeve të treta apo persona pa nënshtetësi që kanë kaluar nëpër Ballkan. Dëshira për thjeshtëzimin e procedurave të aplikimit për vizë për t'i shtuar kontaktet ndër-njerëzore ishte sekondare. Marrëveshjet për Lehtësimin e Regjimit të Vizave, të cilat hynë në fuqi më 1 janar 2008, nuk kanë sjell ndryshime të mëdha në terren (shih kapitullin e ardhshëm).

Izolimi i Ballkanit: Indeksi Henley për Kufizimet e Vizave në vitin 2006
Numri i vendeve në të cilat shtetasit e vendeve të përmendura nuk kanë mundur të udhëtojnë pa vizë në vitin 2006.

 

 

Danimarka, Finlanda, SHBA (më të pakufizuarat)
Polonia
Kroacia
Serbia dhe Mali i Zi
Maqedonia
Bosnja dhe Hercegovina
Shqipëria

Burma (Myanmar)
Afganistani (më i pakufizuari)

130
106
84
32
31
25
17
15
12

Henley & Partners është kompani e specializuar në ligj ndërkombëtar për imigrim, konsullor dhe qytetar (Henley Visa Restrictions Index).

Duke njohur faktin që lehtësimi i regjimit të vizave nuk mund ta zëvendësoj liberalizimin e regjimit të vizave, disa vende anëtare të Bashkimit Evropian nisën të avokojnë që Komisioni të filloj diskutimet me Ballkanin Perëndimor për udhëtimin pa viza. Në Këshill, ku vendet anëtare të BE-së mblidhen për të diskutuar dhe vendosur mbi politikat, u zhvilluan diskutime të nxehta në mes përkrahësve dhe kundërshtarëve të idesë për liberalizimin e regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sllovenia, e cila kryesonte BE-në gjatë gjysmës së parë të vitit 2008, kërkonte shfuqizimin e kërkesave për vizë, duke e bërë kështu Ballkanin Perëndimor njërin nga prioritetet e saj. Pavarësia e Kosovës, e cila u shpall më në fund në muajin shkurt të vitit 2008, bëri që Bashkimi Evropian të kërkoj një qasje më të butë ndaj Serbisë. Më 18 janar 2008, atëherë Komisioneri për Drejtësi, Liri dhe Siguri Franco Frattini shpalli dialogun me Serbinë për udhëtimin pa viza. Sapo u nis dialogu me Serbinë, kjo më mund t'i mohohej vendeve të tjera fqinje. Dhjetë ditë më vonë, më 28 janar, Këshilli:

"mirëpriti synimin e Komisionit Evropian që së shpejti të lançoj dialogun për regjimin e vizave me të gjitha vendet e rajonit dhe shprehi gatishmërinë e tij ta diskutoj këtë çështje më tej […] me qëllim që të definoj harta të hollësishme rrugore të cilat do të vendosin standarde të qarta për të gjitha vendet e rajonit në mënyrë që këto të fundit të avancojnë gradualisht drejt liberalizimit të regjimit të vizave. Kjo do t'iu mundësonte Këshillit dhe Komisionit ta monitorojnë për së afërmi progresin në reformat e nevojshme."

Më 5 qershor 2008, Komisioni lançoi dialogun për regjimin e vizave me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës, dhe ofroi harta rrugore për të gjitha vendet. Komisioni u desh të bëjë lëshime për disa prej vendeve anëtare, të cilat insistuan jo vetëm në kushte të rrepta përbrenda hartave rrugore por edhe në angazhimin e tyre të drejtpërdrejt në monitorimin dhe vlerësimin e progresit nga ana e Komisionit.

Më 4 shtator 2008, Jacques Barrot, Komisioneri Evropian për çështjet e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, deklaroi që udhëtimi pa viza për vendet siç është Maqedonia, e cila tashmë po i përmbush pothuajse të gjitha kushtet e nevojshme, mund të hyj në fuqi në vitin 2009. Megjithatë, zyrtarët e tjerë të Komisionit mendojnë që kjo qasje është tejet optimiste. Ata përmendin rastin e vendeve anëtare të BE-së siç është Gjermania dhe Belgjika, të cilat akoma janë shumë skeptike për largimin e kërkesave për vizë.

Megjithatë, vendet e Ballkanit Perëndimor tash kanë rastin ta eliminojnë shakanë e ndalimeve në regjimin e vizave. Është e qartë që këto vende duhet të arrijnë progres në përmbushjen e standardeve të përcaktuara në hartën rrugore për regjimin e vizave.

Shumë zhurmë për asgjë: marrëveshjet për lehtësimin e regjimit të vizave

Marrëveshjet për lehtësimin e regjimit të vizave me Shqipërinë, Bosnjën e Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë hyn në fuqi më 1 janar 2008, pas negociatave në mes Komisionit Evropian dhe këtyre shteteve në periudhën prej nëntorit 2006 deri në maj 2007. Këto marrëveshje duhet të lehtësojnë procedurat e aplikimit për vizë, mirëpo ato nuk i largojnë në tërësi kërkesat për marrjen e vizës.

Janë disa lloje të vizës Shengen, por viza që përdoret më së shumti për të hyrë në zonën e Shengenit është viza e qëndrimit të shkurtë me një hyrje. Kjo vizë mund të vlej deri në tre muaj (dhe e pengon mundësinë e punësimit). Derisa Bashkimi Evropian ka parashtruar disa kushte për marrjen e vizës, kërkesat tjera dhe llojet e dëshmive që duhen ofruar varen nga vendi që e jep vizën dhe nga rrethanat personale të aplikuesit.

Aplikuesi duhet t'i arsyetoj qëllimin dhe kushtet e udhëtimit të planifikuar. Para marrëveshjeve për lehtësimin e regjimit të vizave, shërbimi i konsullatës mund të kërkonte dokumente të ndryshme për ta dëshmuar qëllimin e udhëtimit, për shembull një letër të ftesës, një letër nga subjekti që e dërgon (punëdhënësi, universiteti), dhe rezervimin e hotelit apo një deklaratë të lëshuar nga ndonjë autoritet vendor ku garantohet që aplikuesi do të vendoset tek një person privat apo një institucion. Që nga 1 janari 2008, zakonisht është nevojitur vetëm një dokument për të arsyetuar qëllimin – p.sh. një afarist duhet ta posedoj një dokument nga kompania apo organizata pritëse të miratuar nga Oda Ekonomike e vendit të aplikuesit, studenti duhet të posedoj një letër apo dëshmi të vijimit të mësimeve në universitetin apo shkollën pritëse, turisti duhet të posedoj një certifikatë nga agjensioni i udhëtimit, etj.

Megjithatë, kërkesat tjera kanë mbetur në fuqi. Aplikuesi duhet të ofroj dëshmi që posedon fonde të mjaftueshme financiare për financimin e udhëtimit përfshirë këtu edhe rrugën e kthimit me para të gatshme, me çeqe, kredit kartela dhe/apo raportin mbi gjendjen e llogarisë e bankare. Aplikuesi po ashtu duhet të ketë dëshmi të sigurimit adekuat shëndetësor i cili mbulon rrugën e kthimit dhe kujdesin mjekësor në vlerë minimale prej 30,000€. Shërbimi konsullor po ashtu mund të kërkoj nga aplikuesi të ofroj dëshmi të vendit të qëndrimit, të lidhjeve me vendin e qëndrimit (familja, punësimi, biznesi, prona) apo dëshmi për gjendjen e tyre sociale dhe profesionale. Në rast të refuzimit të kërkesës për vizë, vendi i cili e lëshon vizën nuk duhet të ofroj asnjë shpjegim.

Ndryshimet e tjera që i kanë bërë marrëveshjet për lehtësimin e regjimit të vizave janë tarifat për vizë në vlerë prej 30€ në vend të 60€ si dhe kanë paraparë lirim nga tarifa për shumë grupe të aplikuesve (siç janë pensionistët, studentët, sportistët, gazetarët, etj. – në rastin e Maqedonisë, Komisioni pohon që 80% të aplikuesve janë të liruar nga kjo tarifë; në rastin e Bosnjës, mbi 50% janë të liruar nga kjo tarifë).

Ekziston një afat 10-ditor për vendimet për aplikacionet për vizë, si dhe kushte më të qarta se kush kualifikohet për vizë më shumë hyrje. Ajo që u negociua me shtetet në fjalë ishin grupet e njerëzve që do të përfitonin nga numri i zvogëluar i dokumenteve për arsyetimin e qëllimit të vizitës dhe lirimi nga tarifa e aplikacionit për vizë. Pesë marrëveshjet për lehtësimin e regjimit të vizave dallojnë në këtë aspekt.

Sipas një studimi të kryer nga Rrjeti Evropian për Veprim Qytetar (ECAS) në bashkëpunim me OJQ-të rajonale, marrëveshjet për lehtësimin e regjimit të vizave nuk kanë arritur të përmirësojnë shumë gjëra në terren.

"Ekziston një zbrazëti e madhe në mes të deklaratës së Këshillit Evropian [takimi i liderëve dhe qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian] më 20 qershor [2008] për rëndësinë e jashtëzakonshme ‘për promovimin e kontakteve ndër-njerëzore në mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së', dhe asaj që po ndodh në terren. Deri sot nuk mund të gjejmë përgjigje pozitive nga vendet e rajonit për lehtësimin e regjimit të vizave, përveç në trajtën e ideve. Shumica e njerëzve nuk shohin ndonjë dallim në mes të gjendjes paraprake dhe gjendjes aktuale pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes."

Disa ambasada dhe konsullata kanë futur në përdorim procedurat e thirrjes për caktimin e takimeve. Këto procedura menaxhohen nga nën-kontraktorë dhe telefonuesi paguan tarifë telefonike (deri në 1€ për minutë); edhe pse vendime për aplikacionet për vizë duhet të merren brenda 10 ditëve, në Tiranë koha e pritjes për takim në konsullatat greke dhe italiane nganjëherë zgjasin edhe 2-3 muaj; akoma mungon respekti dhe mirësjellja ndaj aplikuesve.

Drita në fund të tunelit: liberalizimi i regjimit të vizave

Hartat rrugore për regjimin e vizave janë pothuajse identike për të gjitha vendet, ato përfshijnë rreth 50 aktivitete individuale, por marrin parasysh gjendjen specifike të çdo vendi sa i përket legjislacionit dhe praktikës. Kushtet përfshijnë çështje thjesht teknike, siç është lëshimi i pasaportave të lexueshme me futjen graduale të shënimeve biometrike (shenjave të gishtërinjve), miratimin dhe zbatimin e një seti ligjesh dhe konventash ndërkombëtare, e deri te çështjet shumë të gjëra siç është progresi në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe migrimit ilegal. Veprimet e kërkuara bëjnë pjesë në këto kategori:

  • Zbatimi i marrëveshjes për kthim në vendin e origjinës
  • Zbatimi i marrëveshjes për lehtësimin e regjimit të vizave
  • Pasaportat, siguria e dokumentit dhe shënimet biometrike
  • Menaxhimi i kufijve
  • Përgjegjësia e mbajtësit
  • Politika e azilit
  • Menaxhimi i migrimit
  • Parandalimi dhe luftimi i krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit
  • Bashkëpunimi gjyqësor në raste kriminale (në rrafshin ndërkombëtar dhe me BE-në)
  • Bashkëpunimi për zbatimin e ligjit (në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar)
  • Mbrojtja e të dhënave
  • Liria e lëvizjes për shtetasit e vendit në fjalë
  • Jo-diskriminimi gjatë lëshimit të dokumenteve të identifikimit
  • Të drejtat e qytetarëve, përfshirë këtu mbrojtjen e komuniteteve pakicë
  • Rata e aplikacionit të refuzuar për vizë në zonën e Shengenit duhet t'i afrohet 3 përqindëshit (kjo masë shkaktoi shumë diskutime meqë edhe praktikat konsullore – p.sh. informatat e mira dhe të qarta – edhe aftësitë intelektuale të aplikuesit ndikojnë në këtë ratë)
  • Masat për zbatimin e ndalimeve të udhëtimit të BE-së 

Siç u tha në konkludimet e Këshillit më 28 janar, jo vetëm Komisioni por edhe Këshilli do ta monitoroj progresin, që është e pazakontë. Në raportet e tij të rregullta të zbatimit, Komisioni duhet ta marr parasysh "kontributin e ekspertëve përfshirë këtu edhe ekspertët e Vendeve Anëtare". Një zyrtar i Komisionit i tha ESI-të: "Vendet anëtare ishin shumë të qarta që dëshirojnë të përfshihen në përcaktimin e kritereve, në monitorim dhe në vlerësim."

Kur një vend t'i ketë përmbushur kushtet, Komisioni do t'i propozoj Këshillit t'i shfuqizoj kërkesat për viza për këtë vend duke e ndryshuar Rregulloren e Këshillit 539/2001. Ky ligj përmend të gjitha vendet shtetasit e të cilave duhet të kenë vizë për të hyrë në zonën e Shengenit (lista e zezë) si dhe vendet shtetasit e të cilave janë të liruar nga ky kusht (lista e bardhë). Këshilli do të votoj me shumicë, që do të thotë se vendet kundërshtuese anëtare mund të mbivotohen. Nuk ka shumë gjasa që Komisioni do ta bëjë një propozim ndaj vendeve kundërshtuese anëtare nëse këto të fundit përfaqësojnë një grup me ndikim të madh.

Sipas Komisionit, Maqedonia dhe Serbia sot janë vendet që kanë arritur më së shumti progres në përmbushjen e kushteve të hartës rrugore. Më 4 shtator 2008, Jacques Barrot, Komisioneri Evropian për çështjet e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, deklaroi që udhëtimi pa viza për vendet siç është Maqedonia, e cila tashmë po i përmbush pothuajse të gjitha kushtet e nevojshme, mund të hyj në fuqi në vitin 2009.

Megjithatë, zyrtarët e tjerë të Komisionit mendojnë që kjo qasje është tejet optimiste. Periudha nga momenti kur Komisioni bën vlerësim pozitiv dhe momenti i vendimit formal të Këshillit për shfuqizimin e kërkesave të vizës mund të zgjas gjashtë muaj, nëse jo edhe më gjatë. Kjo do të thotë që Komisioni do të duhej të lajmëronte në pranverë të vitit 2009 që Maqedonia plotëson kushtet për liberalizimin e regjimit të vizave në mënyrë që Rregullorja e ndryshuar pastaj të hyjë në fuqi para fundit të vitit.

Derisa Maqedonia dhe Serbia besojnë që mund t'i përmbushin kushtet edhe para fundit të këtij viti, vendet e tjera po bëjnë plane për një periudhë më të gjatë të zbatimit. Bosnja dhe Hercegovina, e cila tashmë ka miratuar planin e veprimit, parasheh që do t'i përmbush të gjitha kërkesat deri në fund të vitit 2009; Mali i Zi planifikon ta bëjë këtë deri në mes të vitit 2009. Kjo do të thotë që edhe sipas skenarit më të mirë të mundshëm, këto vende nuk do të futen në Listën e Bardhë të Shengenit para vitit 2010.

Drejt përfshirjes në listën e bardhë të Shengenit?

Deri në fillim të shtatorit të vitit 2008, pesë shtetet e Ballkanit Perëndimor ia kishin dorëzuar Komisionit raportet e gatishmërisë dhe planet e veprimit, duke dëshmuar në mënyrë të hollësishme ku qëndrojnë me çdo kërkesë dhe cilat masa planifikojnë t'i ndërmarrin për t'i përmbushur këto kërkesa.  

Pas analizës nga Komisioni, Komisioneri Barrot do të ofroj një vlerësim të shkurtër të progresit në Forumin e Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet më 6-7 nëntor 2008 në Zagreb. Një vlerësim më i hollësishëm do t'iu dërgohet autoriteteve kombëtare në mes të muajit nëntor. Komisioni po ashtu do të ofroj informata për ato misione në terren të cilat sipas mendimit të tij kanë nevojë për informata më të hollësishme. Ekspertët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian do të ftohen të marrin pjesë në këto misione në terren. Gjatë tërë procesit do të mbahen takime tjera në mes të Komisionit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Raundi i dytë i vlerësimeve është paraparë të bëhet në pranverë të vitit 2009. Republika Çeke, e cila do ta ketë Kryesinë e Bashkimit Evropian gjatë gjysmës së parë të vitit 2009, planifikon ta çoj këtë çështje përpara meqë i kushton rëndësi të madhe kontakteve ndër-njerëzore në mes të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Sipas skenarit më të mirë të mundshëm, Presidenca Suedeze e BE-së gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009 shpreson se do t'i ofroj Këshillit propozimet për ndryshimin e rregullores relevante të BE-së dhe për shfuqizimin e kërkesave për vizë të paktën për disa, nëse jo për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Brussels, 1 November 2008
Click here to view this document as a PDF file in A4 format. To download the PDF file to your computer, right-click here, select "Save Link/Target As..." in the contextmenu and choose a destination on your hard disk. If you are having problems opening this PDF file, please click here for help. Please note that the PDF version of this document also contains footnotes that are not used in its web version.