Vijat e kuqe për Shqipërinë - BE dhe zgjedhjet parlamentare të qershorit

7 May 2013
Albanian Parliamentary Elections 2013. Photo: ESI
Albanian Parliamentary Elections 2013. Photo: ESI

Media reactions

Hyrje

Ka ekzistuar gjithmonë një rrezik që zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 në Shqipëri të mos i përmbushin standardet ndërkombëtare. Kjo ka gjasa të sjellë një krizë të madhe politike në Shqipëri. Pasojë tjetër e zgjedhjeve jo të mira do të jetë humbja e çfarëdo perspektive për progres drejt integrimeve europiane në të ardhmen e afërt, si dhe hyrja e Shqipërisë në një spiralë të përkeqësimit politik, social dhe ekonomik.

ESI argumenton se për t'iu kundërvënë këtij rreziku, komuniteti ndërkombëtar duhet të ketë qëndrim të qartë dhe nuk duhet të bëjë kompromis sa i përket mbrojtjes së parimeve demokratike që duhet respektuar medoemos. Qëndrimi i saj duhet të jetë jopartiak dhe duhet të përkrahë fuqimisht sundimin e ligjit.

Në këtë dokument vihen në spikamë shkeljet e fundit të parimeve demokratike, teksa Shqipëria po përgatitet për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013. Ky evidentim i shkeljeve i jep mundësinë komunitetit ndërkombëtar, në veçanti Bashkimit Europian, që të shfaqë qëndrimet e veta në një moment kyç të kësaj gare elektorale që duket se do të jetë shumë e ngushtë dhe e "nxehtë".

Shqipëria dhe integrimi europian

Shqipëria ka aplikuar për anëtarësim në BE para saktësisht katër vitesh. Kriteret për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE ishin caktuar nga Këshilli Europian në Kopenhagë në vitin 1993. Këto kritere përmbajnë kushtin se shteti duhet të ketë krijuar "institucione stabile që garantojnë demokraci, sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe mbrojtje të pakicave."

Ka arsye të forta praktike përse "stabiliteti i institucioneve" është parakusht për negociata. Për tu kualifikuar për anëtarësim në BE kërkohen një sërë ndryshimesh legjislative dhe institucionale. Pa institucione të fuqishme parlamentare dhe ekzekutive dhe pa një konsensus të gjerë politik, shtetet kandidate kanë pak gjasa të zbatojnë reforma të tilla gjithëpërfshirëse.

Në Kroaci, vend ky që i bashkohet BE-së brenda disa javësh, konsensusi politik u krijua përmes Komisionit Kombëtar të Parlamentit të Kroacisë për Monitorimin e Negociatave të Anëtarësimit. Ky Komision që udhëhiqej nga një figurë e njohur nga opozita ka shqyrtuar të gjitha qëndrimet negocuese që Qeveria e Kroacisë ia ka paraqitur BE-së në Bruksel dhe të gjitha punimet dhe votimet në këtë komision janë kryer në mënyrë unanime, që do të thotë se atij i është dhënë përkrahje nga të gjitha partitë e ndryshme politike të cilëve u përkisnin 15 anëtarët e komisionit. Ky mekanizëm ka siguruar implementimin e suksesshëm të agjendës së reformave gjithëpërfshirëse, përkundër ndërrimit të qeverisë gjatë procesit të anëtarësimit.

Deri tani Shqipëria nuk ka qenë në gjendje që të ndërtojë konsensus të tillë politik. Zgjedhjet e kaluara kanë sjellë polarizim të thellë dhe mungesë të theksuar stabiliteti politik. Rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 janë kontestuar fuqishëm dhe kanë qenë shkak i bojkotit dyvjeçar të parlamentit nga opozita. Shumë reforma të rëndësishme që kërkojnë miratim me shumicë të kualifikuar të deputetëve nuk kanë mundur të miratohen nga parlamenti. Në vend të "institucioneve stabile" që kërkohen për anëtarësim në BE, Shqipëria u përball me stagnim politik, demonstrata popullore dhe përleshje të dhunshme.

Nuk është befasuese që Shqipëria nuk mori përgjigje pozitive në kërkesën e saj për tu anëtarësuar në BE. Në vitin 2010, Komisioni Europian thoshte se "konsideron që negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian do duhej filluar pasi që ky vend të arrijë nivelin e duhur të pajtueshmërisë me kriteret e anëtarësimit, e në veçanti me kriteret politike të Kopenhagës të cilat kërkojnë stabilitet të institucioneve që duhet të garantojnë mes tjerash demokracinë dhe sundimin e ligjit." (Komisioni Europian, Opinioni për Shqipërinë, 2010).

Shqipërisë i nevojiten shumë një palë zgjedhje më të mira sivjet. Konteksti gjeopolitik i Ballkanit Perëndimor është duke ndryshuar. Vendet e rajonit çdo herë e më shumë po ndahen në dy grupe: ato të cilat po përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në BE - përfshirë këtu Kroacinë, Malin e Zi dhe sipas të gjitha gjasave Serbinë - dhe ato që kanë ngecur pas, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Maqedoninë (përderisa të mos jetë zgjidhur çështja e emrit). Për këtë grupin e fundit, madje edhe pika fillestare – hapja e negociatave të anëtarësimit -  po duket çdo herë e më e largët.

Kjo ndarje e rajonit ka rrezik të bëhet edhe më e theksuar. Duke marrë parasysh thellimin e krizës sociale dhe ekonomike, vendet e varfëra të Ballkanit janë duke e humbur besimit në procesin e integrimit, në momentin kur në të njejtën kohë ka rrezik që BE të heqë dorë nga to gjithashtu. Pa pasur perspektivë të qartë të anëtarësimit, që do duhej të ndihmojë në krijimin e konsensusit politik, këto pjesë të rajonit nuk do të jenë në gjendje të realizojnë reformat e domosdoshme përderisa janë duke u zhytur tutje në probleme edhe më të theksuara sociale dhe ekonomike. Rezultat i kësaj do të ishte krijimi i një getoje të re të Ballkanit, që do të përbëhej kryesisht nga popullata shqiptare e rajonit.

Kriza elektorale në Shqipëri

Në Opinionin e BE-së për Shqipërinë për vitin 2010, Komisioni Europian ka listuar dymbëdhjetë reforma të cilat duhet të realizohen me prioritet. Dy prej tyre ndërlidhen me zgjedhjet. Shqipëria duhet të ndryshojë legjislacionin zgjedhor, në pajtim me rekomandimet e OSBE-ODIHRit (Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe Drejta të Njeriut (ODIHR) vëzhgon zgjedhjet në tërë rajonin), dhe duhet të sigurojë se zgjedhjet në vend realizohen "në pajtim me standardet Europiane dhe ndërkombëtare."

Kushti i parë në masë të gjerë është plotësuar. Pas marrëveshjes politike të nëntorit të vitit 2011, opozita është kthyer në parlament dhe ka filluar të punojë në reformën zgjedhore dhe prioritetet tjera të ndërlidhura me BE-në. Kodi Zgjedhor i amandamentuar është miratuar në parlament me shumicë dërmuese votash në korrik të vitit 2012, duke i adresuar kësisoj shumicën e rekomandimeve të OSBE-ODIHRit (Misioni për Vlerësimin e Nevojave i OSBE/ODIHR, 2013).

Ndërsa sa i përket kushtit të dyte, ne jemi gjithnjë e më të brengosur nëse ai do të plotësohet fare. Përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme nuk janë duke shkuar si duhet. Më 15 prill 2013, parlamenti shqiptar votoi pro zëvendësimit të një anëtari të trupit që menaxhon zgjedhjet - Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Ky vendim është marrë duke e shkelur legjislacionin e ri zgjedhor. Me këtë u vu në pikëpyetje pavarësia dhe legjitimiteti i këtij institucioni kyç, dy muaj para se të hidhet vota e parë në kuti. Mesazhi politik ishte i qartë: politikanët e Shqipërisë janë të gatshëm t'i shkelin rregullat vetëm për të arritur interesat e tyre politike.

KQZ është organ i përhershëm, i përbërë prej shtatë anëtarësh. Anëtarët e KQZ-së votohen në parlament dhe emërohen për mandat gjashtëvjeçar, me mundësi të riemërimit. Anëtarët aktualë janë zgjedhur pas reformave zgjedhore të vitit 2012. KQZ përbëhet nga tre kandidatë të nominuar nga koalicioni qeverisës dhe tre tjerë nga opozita, ndërsa Kryetarja/i është e/i pavarur.

Edhe pse nominimet bëhen nga partitë politike, të gjithë anëtarët do duhej të veprojnë në mënyrë apolitike, siç ndodh për shembull edhe me personat e emëruar në Gjykatën Supreme të SHBA-ve. Pas marrjes së detyrës, anëtarët e këtij organi kujdesen për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe nuk mund të largohen për arsye politike. Ata mund të shkarkohen nga parlamenti vetëm në rast se shpallen fajtorë për kryerjen e ndonjë vepre penale, në rast se refuzojnë ushtrimin e mandateve të tyre apo angazhohen në veprimtari politike joadekuate (Kodi Zgjedhor i Shqipërisë, 2012, neni 18).

Një KQZ i fortë dhe i pavarur është kyç për realizimin e zgjedhjeve të drejta. Siç theksoi Kryetarja e këtij institucioni, znj. Lefterie Lleshi, gjatë një evenimenti të organizuar nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë më 29 mars 2013 e që për qëllim kishte zbardhjen e përkrahjes financiare të zgjedhjeve nga SHBA-të, ende ka presion politik nga të gjitha anët:

"Subjektet politike…e shohin KQZ-në korrekte, profesionale, transparente dhe të pavarur vetëm në momentet kur vendimarrja e KQZ-së përputhet me interesat e tyre. Në këto pak muaj pune si kryetare e KQZ-së nuk kam vënp re që subjektet politike të gjejnë kurajon për të mos ushtruar presionit politik në tavolinen vendimarrëse të KQZ-së, e aq më pak të vlerësojnë votëm individuale dhe ndonjëherë edhe atë kolegjiale të saj." (e transkribuar nga ESI).

Në fillim të prillit 2013, u bë një ndryshim i aleancave politike. Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) e Ilir Metës, që më parë ishte pjesë e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga Partia Demokratike (PD) e Kryeministrit Sali Berisha, bëri të ditur se do të formonte koalicion parazgjedhor me Partinë Socialiste (PS) të Edi Ramës. Pas kësaj kumtese, grupi parlamentar i PD-së paraqiti në parlament mocionin për të shkarkuar një nga anëtarët e KQZ-së – z. Ilirjan Muho. Z. Muho ishte nominuar nga LSI në vitin 2012. Grupi parlamentar i PD-së së pari pretendonte në parashtresat e tyre në parlament se ky hap ishte i domosdoshëm për të kthyer "balancën politike":

"Kodi Zgjedhor…bazohet në një parim themelor, atë të barazpeshimit politik mazhorancë parlamentare - opozitë parlamentare. Barazpeshimi është themeli i kompozimit të KQZ-së…Ky parim është shtylla kurrizore që mban në këmbë të gjithe administratën zgjedhore."

Megjithatë, në Kodin Zgjedhor nuk ekziston baza për të larguar ndonjë anëtar të KQZ-së pa vullnetin e saj/tij, përveç rasteve të dhëna më sipër. Para marrjes së vendimit nga parlamenti, Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, z. Alexander Arvizu, theksoi se:

"KQZ është e krijuar ligjërisht dhe gëzon mandatin e vet ligjor. Ky institucion është përgjegjës për administrimin e zgjedhjeve, e duke qenë i tillë pavarësia i këtij institucioni duhet respektuar. KQZ duhet të jetë i pavarur dhe të mos ndikohet nga asnjë individ apo institucion, përfshirë këtu edhe Parlamentin e Shqipërisë."

Debati parlamentar mbi ligjshmërinë e largimit të anëtarit të KQZ-së zgjati mbi 12 orë. Gjatë këtij debati, PD ndryshoi argumentimin e vet ligjor. Ajo pohoi se gjatë punës së vet të kaluar, si prokuror publik, z. Muho ishte suspenduar nga puna në vitin 2003. Ajo më tej theksoi se Kodi Zgjedhor përcakton se anëtarë të KQZ-së nuk mund të emërohen individët që kanë qenë të shkarkuar nga ndonjë post publik për arsye të shkeljeve ligjore (Kodi Zgjedhor i Shqipërisë, 2012, neni 12).

PD ngulte këmbë se z. Muho kishte shkelur nenin 12 të Kodit Zgjedhor duke mos zbuluar të dhënat mbi suspendimin e vet para se që ishte votuar si anëtar i KQZ-së. Shumica parlamentare procedoi mocionin për anulimin e vendimit origjinal për miratimin e emërimit të tij. Votimi u krye sipas vijave partiake apo të koalicionit. Në vend të këtij anëtari, në KQZ u emërua një anëtar i ri nga Partia Republikane, e cila është në koalicion me Partinë Demokratike.

LSI protestoi rreptë ndaj këtij veprimi. Në një letër që LSI ia dërgoi misioneve të huaja diplomatike në Tiranë, theksohej se z. Muho është larguar nga posti i tij si prokuror publik në mënyrë të padrejtë. Ai nuk kishte kryer kurrfarë vepre penale, por vetëm kishte aranzhuar transferimin e një të dënuari të burgosur në një institucion për sëmundje mendore, sipas urdhrit të gjykatës përkatëse. Më pas ky urdhër është afirmuar nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë. Ndërkohë, z. Muho ishte rehabilituar profesionalisht, kështuqë nuk ishte i obliguar ta zbulonte këtë informatë.

Largimi i z. Muho bëri që tre anëtarë tjerë të KQZ-së të japin dorëheqje në shenjë proteste. Si rezultat i kësaj KQZ aktualisht ka vetëm katër nga shtatë anëtarët që duhet t'i ketë. Kjo nuk është një mosmarrëveshje në lidhje me interpretimet e ndryshme të ndonjë neni ligjor apo çështje teknike juridike. Shumica parlamentare e ka shprehur haptazi motivimin politik për largimin e anëtait të KQZ-së, që është në kundershtim me ligjin. Nëse lejohet që ky vendim të qëndrojë, ai do të përbëjë precedent për largimin e anëtarëve të KQZ-së në të ardhmen nga shumica parlamentare, për çfarëdo preteksti.

Numërimi i votave dhe parashtrimi i ankesave ndaj vendimeve

Me katër anëtarë të mbetur KQZ nuk mund të përmbushë një aspekt kyç të mandatit të vet në zgjedhjet e ardhshme; ai nuk mund të veprojë si trup për ankesa zgjedhore. Sipas Kodit Zgjedhor, për të vendosur për ankesat lidhur me rezultatet në zona të caktuara zgjedhore apo për të shpallur zgjedhjet e pavlefshme pjesërisht apo tërësisht nevojiten pesë vota (Kodi Zgjedhor i Shqipërisë i vitit 2012, neni 25).

Zgjedhjet e fundit në Shqipëri kanë përfunduar me rezultate skajshmërisht të ngushta. Në vitin 2009, Partia Demokratike dhe aleatët e saj e mundën Partinë Socialiste me vetëm 24,000 vota. Në zgjedhjet për kryetar të bashkisë së Tiranës në vitin 2011, prej 250,000 votave të hedhura, fillimisht u mendua se zgjedhjet e kishte fituar kandidati i Partisë Socialiste Edi Rama me margjinë prej 10 votash më shumë se kandidati i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ndërsa më pas KQZ vendosi të përfshijë edhe votat e vëna në kuti të gabuara, duke e vënë z. Basha para z. Rama me gjithsej 81 vota. Edhe pse ky vendim ishte kontrovers, ai ishte nxjerrë nga organi që kishte për mandat zgjidhjen e kontesteve të tilla.

Komentues të ndryshëm politikë sugjerojnë se fitorja e koalicioneve aktuale në së paku katër qarqe do të varet nga një margjinë prej mes 500 dhe 1000 vota. Kjo do të thotë se edhe në këtë rast zgjedhjet do të vendosen nga vendimi për votat e kontestuara apo numërimit të tyre. Andaj, është kyçe që trupat që administrojnë këto zgjedhje të veprojnë në pajtim me rregullat.

Parashikimi i rezultateve zgjedhore si në Shqipëri ashtu edhe në shtetet tjera demokratike nuk është gjë e lehtë. Por, ne jemi të bindur sa i përket një parashikimi për zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Në rast se nuk kemi një KQZ të besueshëm, të paanshëm dhe legjitim, këto zgjedhje do të përfundojnë me një mosmarrëveshje të rëndë. Megjithëse mund të mos dihet se kush do të dalë fitues nga to, humbëse do të mbetet demokracia shqiptare dhe perspektiva e Shqipërisë për integrime europiane.

Roli i komunitetit ndërkombëtar

Të huajt nuk mund të jenë zëvendësim për vullnetin e mirë të liderëve të vendit. Megjithatë, ata mund të ndihmojnë në zbutjen e konflikteve para edhe pas ditës së zgjedhjeve, duke u qëndruar besnik parimeve dhe duke i komunikuar qartas pritjet e komunitetit ndërkombëtar.

Mesazhi kyç nga të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë, e posaçërisht nga Bashkimi Europian, duhet të jetë që institucionet shqiptare duhet të respektojnë në përpikëri ligjet që vetë i kanë miratuar. Ekzistojnë disa vija të kuqe të cilat nuk duhet kaluar. Udhëheqësit shqiptarë duhet ta dinë se bota po i vështron.

Duke i përcaktuar paraprakisht këto vija të kuqe, kapërcimi i tyre bëhet më i vështirë. Ato vija duhet domosdoshmërisht të përfshijnë si në vijim:

  1. Anëtarët e trupit për administrimin e zgjedhjeve nuk mund të largohen për arsye që nuk specifikohen në Kodin Zgjedhor.
  2. Numërimi dhe vendimet për kërkesa dhe ankesa duhet të kryhen në pajtim të plotë me procedurat e përcaktuara në Kodin Zgjedhor.

Duke e marrë një qëndrim të qartë qysh tani dhe duke këmbëngulur në kthimin prapa të vendimit për të shkarkuar anëtarin e KQZ-së që është emëruar për mandat gjashtëvjeçar, SHBA-të dhe Bashkimi Europian do të shtojnë gjasat që këto vija të kuqe të mos kapërcehen gjatë javëve dhe muajve në vijim. Me këtë do të shtohen gjasat që këto zgjedhje të plotësojnë "standardet ndërkombëtare dhe europiane."

Përfundim

Këto zgjedhje nuk do të përbëjnë test vetëm për demokracinë në Shqipëri, por edhe për sundimin e ligjit në vend. Ato do të dëshmojnë nëse institucionet e Shqipërisë janë në gjendje ta respektojnë sundimin e ligjit në masë të mjaftueshme për të siguruar mbizotërimin e parimeve demokratike në vend.

ESI beson se qëndrimi i BE-së duhet të bëhet i qartë menjëherë, në mënyrë që të shmangen konfrontime më të zorshme më vonë. BE do duhej të deklarojë qartas se në rast se KQZ nuk riformohet sipas Kodit Zgjedhor, para nisjes zyrtare të fushatës parazgjedhore më 23 maj 2013, dhe nëse nuk është në gjendje të kryejë funksionet e veta profesionalisht dhe në mënyrë të paanshme nga ai moment e deri në përfundim të procesit zgjedhor, BE nuk do të konsiderojë se "zgjedhjet janë në pajtim me standardet europiane dhe ndërkombëtare". Kjo gjë do ta bllokonte Shqipërinë në përparimin e mëtejmë drejt anëtarësimit në BE.

Para një muaji ESI kishte shpresuar se mesazhet e dërguara me kohë nga komuniteti ndërkombëtar do të siguronin që zgjedhjet e vitit 2013 të jenë të ndryshme nga ato të vitit 2009. Sot po theksojmë se nuk ka arsye për optimizëm të tillë.

Përkundër kësaj, mbetet në interesin qenësor ndërkombëtar plotësimi i standardeve ndërkombëtare nga zgjedhjet në Shqipëri dhe krijimi i një qeverie të besueshme dhe legjitime në vend. Kjo nuk është çështje me interes të veçantë vetëm për shqiptarët por edhe për pjesën tjetër të Europës.