Librat dhe Mësimdhënësit – Për një debat kombëtar mbi arsimin

22 December 2014
Class room in Kosovo
Class room in Kosovo
Koha për debat kombëtar mbi arsimin

Ka ardhur koha për një debat kombëtar për të ardhmen e shkollave të Kosovës - si t'i përgatisim gjeneratat e ardhshme të kosovarëve që të përballojnë sfidat profesionale në një të ardhme të paqartë? 

Kosova ka popullsinë më të re në Evropë, me gjysmën e saj nën moshën 26 vjeçare.[1] Një e katërta popullsisë së Kosovës janë në shkollë. Në dhjetëvjeçarin e ardhshëm, këta nxënës do të përfundojnë shkollën dhe do të përballen me një të ardhme të pasigurt. Nëse gjithçka shkon mirë, nxënësit e sotëm do t'i ndihmojnë shtetit të tyre të arrijë nivelin e shteteve tjera Evropiane. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, nxënësit e sotëm do të mbesin pa perspektivë, punësim apo të ardhura, të shtyrë të emigrojnë apo do të dalin në rrugë të protestojnë.     

Shkollat dhe arsimi prekin gati secilën familje kosovare. Të rinjtë kosovarë - shqiptarë, serbë, goran apo romë - duhet të ishin gjenerata e artë e Kosovës; gjenerata e parë që rritet në paqe dhe demokraci. Por kjo mund të shndërrohet në gjeneratën e humbur të Kosovës, me shpresa të thyera nga tregu më i pavolitshëm i punës për të rinjtë në gjithë Evropën. Udhëheqësit politik - shqiptarë dhe serbë - duhet t'i përgjigjen kësaj pyetjeje: çfarë mund dhe çfarë duhet të bëhet tani, edhepse me burime të kufizuara financiare, për të përgatitur këtë gjeneratë të nxënësve për sfidat e shekullit 21?

Çdo reformë arsimore duhet të debatohet gjerësisht për të bindur jo vetëm shërbyesit civil në kryeqytet, por mijëra mësimdhënës dhe zyrtarë shkollash gjithandej Kosovës. Çfarë konsiderojnë mësimdhënësit në shkolla të ndryshme nëpër Kosovë të jetë arsimim i mirë? Për çka mendojnë se po i përgatisin nxënësit? Çfarë presin nxënësit apo prindërit e tyre? Reforma që ndërmirret në fushën e arsimit duhet të pranohet dhe të kuptohet nga drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit dhe familjet e tyre në gjithë vendin. Reforma duhet të fillojë nga realiteti në të cilin gjendet Kosova sot.

Në klasë

Paramendoni që hyni në një klasë, në njërën nga 989 shkollat fillore dhe të mesme të ulëta në Kosovë. Të supozojmë që kjo është një klasë e shtatë, ora e gjuhës shqipe. Çfarë do të shihni?

Klasët kanë banka të renditura në tre rreshta, dy karrige për çdo bankë dhe një dërrasë e zezë, ngjashëm si miliona klasë tjera nëpër botë. Nuk ka nodnjë pajisje tjetër në klasë. Pasi kjo është klasa e shtatë, mësimdhënësi me gjasë është burrë (shumica e mësimdhënësve të ciklit klasor të shkollave fillore janë gra, kurse shumica e mësimdhënësve lëndorë për klasët e arsimit të mesëm të ulët janë burra). Ai është me gjasë mbi moshën 45 vjeçare. Klasa ka rreth 20 deri 35 nxënës, varësisht nëse është një shkollë urbane apo rurale. Çdo nxënës ka para vete dy librat shkollorë të detyrueshëm të lëndës: "Gjuha Shqipe 7" dhe librin e leximit "Leximi 7". Që nga viti 2008, këta libra iu shpërndahen nxënësve falas në fillim të çdo viti shkollor. Mësimdhënësit nuk kanë mundësi të zgjedhin librin shkollor: ata janë përzgjedhur paraprakisht për çdo nivel.

Këta libra shkollorë janë aprovuar para gati dhjetë viteve nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), dhe janë ribotuar çdo vit deri tani. Nuk ka libra tjerë në klasë. Shumica e shkollave fillore nuk kanë fonde për material mësimi shtesë (apo për printim/kopjim të materialit shtesë) apo laboratorë kompjuterësh me internet ku nxënësit do të mund të kërkonin materiale plotësuese mësimi. Shumica e nxënësve vijnë nga familje që kanë pak apo anjë  libër në shtëpi, dhe jetojnë në qytete apo fshatra që nuk kanë qasje – apo kanë qasje të kufizuar - në biblioteka publike.   

Aktualisht, numri total i nxënësve në nëntë vitet e para të shkollës në Kosovë është 278,000. Më shumë se 10 përqind e nxënësve marrin asistencë sociale. Shumica e prindërve të nxënësve kosovarë nuk punojnë, pasi që vetëm 30 për qind e popullsisë së moshës së punës janë të punësuar. Këta nxënës e dijnë që pasi të përfundojnë shkollën do të përballen me tregun më të ashpër të punës në Evropë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për vajzat.

Në muajt e fundit, ESI ka intervistuar një numër të madh personash kyq në sistemin arsimor të Kosovës: zyrtarë komunal dhe të MASHT-it, mësimdhënës dhe nxënës, autorë të librave shkollorë, botues dhe studiues të arsimit, donatorë ndërkombëtarë, dhe kompani dhe organizata që ofrojnë asistencë teknike në fushën e arsimit. Ne gjithashtu i kemi studiuar të gjitha ligjet dhe strategjitë që prekin dhe rregullojnë arsimin fillor.

Kur biseduam për këto strategji me një drejtor shkolle, ai na tha:

"Ministria ka aprovuar shumë strategji prej që është themeluar (në vitin 2002), nuk e di sa prej tyre janë implementuar…Ata nga ministria nuk e dinë si funksionojnë shkollat e sjellin gjithë këto kurrikula të reja e strategji."

Drejtorët dhe mësimdhënësit ankohen edhe për mungesë të pajisjeve: projektorë, laboratorë  për shkencë apo ndihmë nga specialistë të ndryshëm. Një drejtor tjetër shkolle në Prishtinë na tha:

"Ne nuk kemi psikolog…Nuk di çka t'iu them mësimdhënësve se si të veprojnë me nxënës me nevoja të veçanta. Kam kërkuar prej Ministrisë një asistent të iu ndihmojë mësimdhënësve me këta nxënës. Ata e patën dërguar një komision që ka ardhur në klasë dhe patën konkluduar që nuk ka nevojë për asistencë."

Por mësimdhënësit nuk ankohen vetëm për gjërat që iu mungojnë. Shumë mësimdhënës janë  ankuar edhe për kualitetin e të vetmit mjet pune që e kanë të gjithë: librin shkollor.

15 vite të reformave në arsim

Në vitin 2000, menjëherë pas luftës, Misioni i OKB-së në Kosovë (UNMIK-u) filloi një "reformë" tejet ambicioze në arsim. Një dokument i UNESCO-s e përshkruan reformën:[2]

"Reforma dramatike, madje edhe renovimi rrënjësor i arsimit, u bë rendi i vetëm i ditës. Michael Daxner (Udhëheqës i Departamentit të Arsimit të OKB-së në Kosovë) arriti të grumbullojë shuma të mëdha nga donatorë të ndryshëm, për arsim në Kosovë. Ai – sipas tij por edhe të tjerëve - kishte duart e lira për të shtyrë vizionin e tij në sistemin e arsimit. Daxner rekrutoi një ekip të zgjedhur me kujdes të ekspertëve ndërkombëtarë të arsimit dhe agjencioneve ndërkombëtare, të cilëve iu delegoi detyra kyqe brenda sistemit të arsimit.[3]

Rezultat i kësaj iniciative ishte "Korniza e Re e Kurrikulës së Kosovës", e publikuar në vitin 2001. Ky dokument definonte qëllimet e arsimit në Kosovë, metodat dhe praktikat e vlerësimit, si dhe përmbante udhëzime për hartimin e kurrikulave lëndore, udhëzime për hartimin e librave shkollorë, e të tjera. Synimi i këtij dokumenti ishte që të çelte rrugën drejtë një revolucioni në arsim.[4] Por, autoritetet kosovare kurrë nuk e miratuan këtë dokument kështuqë ai ka mbetur vetëm një "punim diskutimi".

Përderisa iniciativa e UNMIK-ut për "revolucion" në arsim vazhdonte, zyrtarët arsimor duhej të adresonin çështjen praktike të arsimimit të 300,000 nxënësve, në një vend ku shumë shkolla kishin nevojë të rindërtoheshin dhe ku kishte shumë pak libra shkollorë. UNMIK-u duhej të përgatiste "një grup mësimdhënësish, numri dhe emrat e të cilëve nuk diheshin."[5] Mësimdhënësit të cilët filluan të jepnin mësim në fund të vitit 1999 - më shkathtësitë dhe mangësitë e tyre - ishin po ata që kishin dhënë mësim para luftës. Pra në praktikë, kishte një vazhdimësi të plotë të sistemit të 1990-ave.

UNMIK-u poashtu duhej të kordinonte donatorët dhe OJQ-të e shumta që kishin vërshuar Kosovën. "Në vitin 2000 kishte ‘konkurrencë aq të fortë të trajnimeve për mësimdhënësit, saqë disa prej tyre kalonin më shumë kohë në trajnime se në klasë'."[6] Në vitet e fundit, ky vërshim i trajnimeve të pas-luftës (por edhe donatorëve) është zvogëluar dukshëm.

Korniza e kurrikulës së UNMIK-ut e vitit 2001 nuk pati ndikim as në mjetin kryesor të punës nëpër shkolla: librin shkollor. Në fund të vitit 1999, shumë shpejtë u aprovuan dhe botuan libra të rinj shkollorë për të gjitha nivelet e shkollave. "130 tituj u rishikuan nga një ekip i mësimdhënësve kosovarë, nën mbikëqyrjen e UNMIK-ut, dhe të gjithë, me përjashtim të tre titujve, u botuan dhe u shpërndanë gjatë gjysëm-vjetorit të parë të vitit 1999/2000." [7]

"Kapaciteti dhe shtrirja shumë e kufizuar e UNMIK-ut nënkuptonte që ndikimi real i UNMIK-ut ishte shumë i vogël."[8] Apo me fjalë të tjera, administratori i UNMIK-ut që krijoi një kornizë kurrikulare inovative, nuk arriti të ndryshojë shumë gjëra në terren. Mësimdhënësit ishin po ata që kishin dhënë mësim në të 1990-tat. Librat gjithashtu – të njëjtit që ishin përdorur në vitet 1990, ishin aprovuar dhe ribotuar me nguti në vitin 1999. Këta libra "të rinj" ishin aprovuar pa u rishikuar seriozisht  nga mësimdhënësit, pa u testuar në klasë dhe pa përfshirë në ta ndonjë kontribut të ekspertëve të huaj. Retorika e ndryshimit radikal nuk u pëkthye në ndryshime të vërteta tek mësimdhënësit dhe librat, dy elementet kyqe të arsimit. Kjo retorikë vetëm sa kishte krijuar një mospërputhje të thellë në mes të politikave, planeve dhe strategjive të hartuara në nivel qëndror, dhe realitetit në shkolla nëpër Kosovë.

Mësimdhënësit në Kosovë sot

Sot janë rreth 17,400 mësimdhënës të shkollës fillore dhe të mesme të ulët, 51 përqind e të cilëve janë gra. Këtu i kemi hartuar dy biografi ilustruese të mësimdhënësve kosovarë:

Një burrë të 50-tat, i arsimuar në ish-Jugosllavi. Ai ka filluar karrierën e mësimdhënies në vitet e 80-ta.  Ai e flet serbishten si gjuhë të dytë, por jo ndonjë gjuhë tjetër të huaj. Në vitet e 90-ta ai ka dhënë mësim brenda sistemit paralel të organizuar nga shqiptarët e Kosovës pas përjashtimit nga sistemi zyrtar shkollor. Ai ka përjetuar shtypje, humbje të statusit, krizë ekonomike dhe mungesë të të ardhurave. Lufta ndodhi në vitin 1999, dhe ai si shumë të tjerë humbi dikë të familjes në luftë. Atë vit ai u kthye për të dhënë mësim në një shkollë të improvizuar në një tendë pranë ndërtesës së shkollës, e cila ishte shkatërruar gjatë luftës.

Sot, ai jep mësim në një ndërtesë të re, por i mungojnë mjetet e punës. Atë e respektojnë nxënësit e tij dhe ai mund të mbajë disiplinën gjatë orës së mësimit, përkundër problemeve të përhapura me masa disiplinore. Ai ka marrë pjesë në shumë trajnime ku i kanë thënë të mos jetë shumë i rreptë dhe t'i lejojë nxënësit të lëvizin lirshëm gjatë orës mësimore. Ai tanimë është bërë skeptik ndaj ligjëruesëve të huaj dhe iniciativave të reja që ndërmerr ministria.

Një grua në të 20-tat. Ajo ka qenë adoleshente ne kohën e luftës dhe ka vijuar mësimin në sistemin paralel. Pas luftës, ajo ka aplikuar në Fakultetin e Edukimit për të studiuar për t'u bërë mësimdhënëse. Ka qenë kryesisht e motivuar nga siguria e vendit të punës - "është punë me orar të shkurtë dhe kontratë të sigurtë"- dhe dëshira për t'i arsimuar gjeneratat e reja. Atë e brengosë fakti se është duke rënë respekti për profesionin e saj. Disa i kishin thënë: "vetëm ata nxënës që nuk pranohen në fakultete tjera aplikojnë për të studiuar edukim." Studimet në fakultetin e ri të edukimit (operativ që nga viti 2003) nuk ishin të lehta, pasi fakulteti po kalonte nëpër riorganizime të vazhdueshme. Ajo ka pak njohuri të gjuhës angleze. Ajo hyri në klasë për herë të parë si praktikante. Sot ajo jep mësim në një klasë të nivelit fillor.

Asaj i duket planprogrami i mbingarkuar: "Më duhet të zhvillojë njësi mësimore brenda katërdhjetë minutave, njësi për të cilën realisht më duhen tri orë." Ajo ka marrë pjesë në disa trajnime për mësimdhënës dhe më së shumti i kanë ndihmuar këshillat konkrete: "Tash unë gjithmonë e përdori metodën e ngjyrave të semaforit. Kur shpjegoj diçka, i pyes nxënësit ta vlerësojnë me ngjyra. Nëse është e gjelbër, ajo nënkupton që e kanë kuptuar mirë; ngjyra e verdhë nënkupton që e kanë kuptuar pjesërisht; ndërsa ngjyra e kuqe nënkupton që duhet ta shpjegoj prapë." Ajo ndonjëherë ka problem me disiplinë në orë mësimore. Shkolla nuk mund t'i ndihmojë me nxënës problematik. Nëse bëhet e rreptë ajo shpesh konfrontohet nga prindi i nxënësit. Megjithatë ajo mundohet t'i bëjë orët më interesant për nxënësit, me ato pak resurse që ka: "Sikur ta kisha një projektor, llaptop dhe një klasë moderne, do të kisha organizuar më shumë aktivitete në klasë. Kështu më duhet të improvizoj gati gjithë kohën." Ajo nuk është e kënaqur me librat shkollorë.

Një pjesë e madhe e mësimdhënësve të sotëm do të jenë mësimdhënës edhe në të  ardhmen. Është shumë e rëndësishme pra të iu ofrohet sa më shumë ndihmë, veçanërisht atyre që janë të rinj dhe do të japin mësim edhe pas dhjetë viteve. Ndihma më e madhe në afat të shkurtër do t'u ipej nëse do të përmirësohej mjeti kryesor i punës së përditshme në klasë - që shteti iu ofron atyre pa pagesë: librin shkollor.

Librat janë të rëndësishëm

Disa zyrtarë të ministrisë sugjerojnë që ndoshta ka ardhur koha për mësimdhënësit e Kosovës të "shkojnë përtej" librave. "Librat janë vetëm një nga mjetet e shumta që ata duhet të përdorin. Ata duhet të jenë më kreativ dhe të gjejnë materiale të tjera mësimore. Për shembull, ata duhet të kërkojnë edhe në internet," i ka thënë ESI-t një zyrtar i MASHT-it.

Të menduarit e tillë na ndihmon të kuptojmë se pse, nga të gjitha aspektet e rëndësishme të arsimit, librat shkollorë në Kosovë janë më së paku të studiuar. Përveç kësaj, asistenca ndërkombëtare më së paku ka shkuar në libra. Kjo ngaqë librat janë vetëm në gjuhën shqipe dhe donatorët e ndryshëm nuk kanë arritur ta shohin kualitetin e tyre përmbajtësor dhe rëndësinë e investimit në libra më të mirë. Ka nevojë urgjente për rishikim të hollësishëm të librave shkollorë sepse luajnë rol kyq për të ardhmen e arsimit në Kosovë.  

Nxënësit dhe mësimdhënësit i marrin librat shkollorë falas. Mjetet e tjera të punës rrallëherë janë falas dhe në përgjithësi nuk ka furnizim me materiale të tjera plotësuese. Edhe bibliotekat e shkollave janë të varfëra me materiale. Në një shkollë tipike në Prishtinë, biblioteka ndodhet në një dhomë të vogël me rafte gjysëm të zbrazëta. Librat nëpër rafte janë kopje të lektyrave që janë përdorur për lëndën e gjuhës shqipe me dekada. Disa nga këta libra janë të dëmtuar dhe të vjetër; herëpashere ka patur donacione nga shtëpitë botuese dhe OJQ-të që kanë pasuruar pak bibliotekat. Në një bibliotekë shkolle në Gjilan na thanë: "Kemi vetëm tituj prej kohës së komunizmit."

Shtëpitë botuese nga Shqipëria kanë botuar literaturë të re për fëmijë, si dhe kanë përkthyer disa tituj nga gjuhët e huaja, të cilët janë në shitje në librari nëpër zona urbane. Mirëpo çmimet e librave janë të larta për shumicën e familjeve në Kosovë, veçanërisht për familjet që jetojnë në zona rurale.

Librat shkollorë pra janë esencial për procesin mësimor, dhe këtë e kemi vërtetuar në çdo klasë që kemi vizituar. Përveç kësaj, në familjet më të varfëra ku nuk ka libra në shtëpi, librat shkollorë që ipen falas janë të vetmit libra në dispozicion të fëmijëve, dhe kjo i bënë librat shkollorë edhe më të rëndësishëm.

Në vitin 2005, Instituti i Arsimit të Universitetit të Londrës bëri një rishikim të Kornizës Kurrikulare të Kosovës (UNMIK 2001), dhe ofroi këto rekomandime për librat shkollorë:

"Për librat e rinj të planifikuar, ekipet rishikuese duhet të kenë kujdes të veçantë që ata të jenë të përdorueshëm, të tërheqin vëmendjen dhe interesimin e nxënësve…të jenë libra shkollorë tërheqës për mësimdhënësin po aq sa edhe nxënësin…."[9]

Kjo mund të arrihet, thotë rekomandimi i Institutit:

"duke i involvuar mësimdhënësit - edhe më shumë se përpara – në procesin e krijimit të librave të rinj shkollorë, si anëtarë të ekipeve të autorëve, në grupet punuese gjatë fazave të draftimit, si dhe në pilotimin e librave shkollorë."[10]

Këto rekomandime nuk janë implementuar as një herë në Kosovë. Procesi i prodhimit të librave ka qenë i ngutshëm – librat janë shtypur brenda tre muajve prej kur janë hartuar planprogramet lëndore – pa përfshirje serioze të mësimdhënësve në proces dhe pa u testuar me nxënësit në klasë.

Në vitin 2011 ministria nxorri standarde të reja për libra shkollorë. Standardet u zhvilluan së bashku me International Projects in Education (IPE), pjesë e Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut. Në dokument thuhet: "shumë nga librat e tanishëm janë vjetërsuar përmbajtësisht dhe nuk plotësojnë nevojat dhe kushtet e Republikës së re demokratike të Kosovës." Dokumenti përmbanë kritere për rishikimin e librave shkollorë, prej strukturës së librave, pështatshmërisë me moshën e nxënësit e deri te vlerat pedagogjike. Standardet parashohin testimin e librave të rinj me nxënës para se të lejohen në treg.

Mirëpo, librat shkollorë që sot janë në treg nuk i përmbushin këto kritere. Librat e aprovuar në mes 2003 dhe 2007 janë aprovuar ngutshëm dhe nuk janë testuar në klasë para se të lejohen në treg. Ata as nuk janë rishikuar sipas standardeve të reja dhe ka mjaft prova për mos përputhshmëri të librave të tanishëm shkollorë dhe objektivave të shkruara të arsimit në Kosovë.

Libra të ngarkuara dhe me pasaktësi

Në vitin 2010, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) – publikoi një studim të 16 librave shkollorë (biologji, gjeografi, histori dhe edukatë qytetare) për klasët 6 deri 9. Raporti identifikoi ngarkesë informatash, informata të pasqaruara dhe tekste të tejngarkuara (me nga 20 fakte në katër rreshta). Librat nuk frymëzojnë mendim kritik si dhe nuk plotësojnë standardet bazike gjinore e demokratike.[11] Ata gjetën shumë pasaktësi dhe mungesë konsistence përbrenda librave dhe mes librave. Në vitin 2013 BIRN-i bëri një vlerësim të dytë të librave për të parë nëse botuesit kishin adresuar gabimet e gjetura nga studimi i tyre i parë, dhe në të shumtën e rasteve ajo nuk kishte ndodhur.[12]

Njëanshmëri gjinore

Në vitin 2007, Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) – botoi një studim mbi përfaqësimin e grave dhe burrave në librat e leximit të sapo botuar. Studimi konkludoi se librat favorizojnë fuqishëm gjininë mashkullore:

Nga 14 autorët e librave, 12 janë burra. Nga 323 tekste të analizuara, 72 përqind janë të shkruara nga burrat dhe vetëm 7 përqind nga gratë (të tjerat ishin pa autorë). Nga 128 ilustrimet, 120 janë të personazheve meshkuj dhe vetëm 8 femra. Në 323 njësitë mësimore, vetëm 45 përshkruajnë gra në profesione të ndryshme (duke përfshirë këtu edhe amvisërinë) ndërsa 187 përshkruajnë meshkuj në profesione.[13]

Aparaturë e dobët didaktike

Në vitin 2013, Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK) analizoi librat e leximit për klasët 1-9 dhe botoi një studim 80 faqësh. Aty thuhet:

"Aparatura didaktike në disa tekste nuk është e përzgjedhur si duhet dhe jo gjithmonë nxënësit i vë në situatë që të punojnë të pavarur, të mendojnë në mënyrë kritike, të debatojnë, të eksperimentojnë dhe të aplikojnë në praktikë njohuritë e dhëna në tekst, por vetëm t'i mësojnë përmendsh ato."[14]

Këto të gjetura na u konfirmuan nga një numër i madh mësimdhënësish, përgjatë hulumtimit tonë:

"Librat janë të thatë. Eshtë shqetësuese që më duhet të gjejë burime jashtë librit. Librat e gjuhës shqipe dhe leximit të klasës së 7-të janë shumë të thatë dhe të ngarkuar me gramatikë të papërshtatshme për këtë nivel shkollimi."   

Arsimtare e Gjuhës Shqipe, Prishtinë

"Më duhet të improvizojë gjatë gjithë kohës për shkak se librat janë të tmerrshëm dhe nuk kemi infrastrukturë të nevojshme për të implementuar teknikat e reja të mësimdhënies. M'lejoni t'ju them: librat janë të tmerrshëm. Nuk përputhen aspak me kurrikulën e re.…Abetarja është e ngarkuar për orët që i kam me planprogram…Fletore pune është mjaft e mirë. Por libri i matematikës nuk është fare i mirë…"

Mësuese, Gjilan

"Shtëpia Botuese "X", ka interes nga ndonjë autor edhe pse ai mund të mos jetë më i miri. Kështuqë e zgjedhin për autor librash shkollorë. Pastaj i korruptojnë recenzentët: iu tregojnë kodin e fshehtë që i është dhënë librit të po atij autori në mënyrë që ata ta aprovojnë pikërishtë këtë libër pa kurrëfar analize. Nuk mund të përshkruaj se sa gabimet janë nëpër libra. Tani mësimdhënësit duhet të përmirësojnë gabimet nëpër libra gjatë ligjërimit"

Drejtor shkolle, Prishtinë

"Librat kanë nevojë për rishikim. Nganjëherë i njëjti shembull është përdorur në disa libra – kështuqë fëmijët mësojnë përmendësh fjalitë dhe i përdorin gjatë përsëritjes. Gjithashtu, gramatika që u mësojmë nxënësve është për Fakultet – shumë e ngarkuar për shkollën e mesme të ulët."

Arsimtare e Gjuhës Shqipe, Prishtinë

"Këta fëmijë kanë nevojë për tekste më të thjeshta. Apo së paku pyetje më të thjeshta. Pyetjet janë për nxënës më të mëdhenjë."

Mësues, Prishtinë

Si të (mos) frymëzohet dashuria për lexim

Libri i Leximit të klasës së 3-të (për 8 vjeçarët) ka 177 faqe. Tekstet aty janë kryesisht arkaike dhe të bazuara në folklore, që promovojnë mizogjini (paragjykim apo përbuzje të grave), racizëm, heroizëm mashkullor dhe vetë-viktimizim. Merre shembull tregimin folklorik: Gruan e dua si sheqerin, kurse nënën si kripën, ku flitet për një burrë që ulet në sofër për darkë me nënën dhe gruan e tij të re. I thotë gruas që e do si sheqerin ndërsa nënës qe e do si kripën, pastaj çohet dhe shkon të flejë përderisa dy gratë mbesin duke pastruar sofrën. Kur i bashkangjitet nusja, ajo i tregon që nëna është mërzitur, ngaqë ajo e ka shpenzuar krejt rininë në djalin e saj ndërsa ai e quan kripë. Djali të nesërmën i thotë nënës të përgatisë një darkë pa kripë, të cilën shokët nuk ia pëlqejnë, që t'ia dëshmojë nënës se sa esenciale është kripa. "Pa sheqer mund të jetoj një vit", thotë ai në fund të tregimit.

Apo shembulli tjetër, tregimi nga Libri i Leximit të klasës së katërt (për 9 vjeçarët), Pse ka mbetur dielli pa martuar? Në këtë tregim, Dielli dhe Hëna vendosin të martohen, por pasi një plak u kishte rikujtuar të gjithëve se ata do të lindnin shumë diej të vegjël që do ta bënin jetën në tokë të padurueshme nga të nxehtit, disa njerëz vendosën të shpifnin për Hënën te nëna e Diellit që ta anulojnë fejesën. Ata thanë për Hënën që është e lazdruar dhe ka qejf të veshë fustane të reja çdo ditë - që nëna e Diellit e konsideroi si të papranueshme dhe e anuloi fejesën. Por përveç që tregimi aprovon shpifjen si metodë për arritje të qëllimit, ai përfundon duke thënë që arsyeja pse Hëna del vetëm natën është nga turpi që ndien pasi e ka braktisur i fejuari. Pra tregimi gjithashtu promovon dallim gjinor duke shtyrë fëmijët të mendojnë që është turp për vajzat nësë dështon lidhja me një djalë. Por për djalin është në rregull, dhe ai mund të dalë dhe të "rrezojë" edhe ditën.

Librat e leximit 1-9 janë përplot shembuj të ngjashëm. Por përveç librave të leximit nxënësit duhet të lexojnë edhe lektyra. Mësimdhënësit mund të zgjedhin lektyrat – nuk ka listë të detyrueshme. Por duke qenë se ka pak libra në dispozicion, mësimdhënësit kryesisht kërkojnë nga nxënësit që të lexojnë lektyrat e njëjta që janë lexuar me dekada. Një lektyrë për klasën e 5-të - Lugjet e Verdha – flet për një çift me shtatë vajza, i cili dëshiron të iu lindë një djalë. Vajzat paraqiten aty të mërzitura që nuk kanë vëlla dhe shpesh qajnë e pyesin: "Kush do ta trashëgojë shtëpinë?" Sipas lektyrës, vajzat nuk mund të trashëgojnë pasuri. Shumica e djemve dhe vajzave në Kosovë duhet ta lexojnë këtë lektyrë dhe të shkruajnë referat për të.

Përveç promovimit të vlerave negative shoqërore, pjesa dërmuese e lektyrave janë të një kohe dhe realiteti të largët. Sipas ekspertëve të leximit dhe literaturës për fëmijë[15], ajo që zgjon kurreshtjen dhe dëshirën e fëmijëve për të lexuar, ndër tjerash është edhe përmbajtja e njohur e librit, me të cilën lexuesi gjen lidhje apo përmes së cilës ndihet i përfaqësuar. Kjo nuk mund të thuhet që vlen për shumicën e lektyrave që përdoren në Kosovë.

Krejt kjo çon te një konkludim i rëndësishëm: në një ambient të varfër nga literatura për fëmijë, librat në shkollë - si ata shkollorë po ashtu edhe lektyrat dhe tekstet tjera mësimore - janë kyq që fëmijët të përfitojnë aftësi të mira leximi dhe dëshirë për të lexuar. Për momentin nuk ka studim sistematik të literaturës që përdoret sot nëpër shkolla dhe nësë ajo është e përshtatshme dhe zgjon dashurinë për lexim tek nxënësit. Nuk ka plan për rishikim të mirëfilltë të librave ekzistues shkollorë. Nuk ka plan për të çuar më shumë libra të rinj nëpër biblioteka shkollore apo edhe të përkthehen libra nga gjuhët e tjera për të pasuruar sfondin e librave për fëmijë.

Debati kombëtar për arsimin

Duke marrë parasysh që shumica e mësimdhënësve të shkollës fillore dhe të mesme të ulët nuk flasin mirë gjuhë të huaja, përkthimi i disa librave të mirë shkollorë do ta pasuronte debatin për arsimin. Këta libra do të mund të përdoreshin si shembuj të librave të mirë. Do të ishte mirë gjithashtu të përktheheshin disa nga librat që përdoren sot në Kosovë, prej gjuhës shqipe në gjuhën angleze, në mënyrë që ekspertë librash nga jashtë të mund të komentojnë mbi cilësinë e tyre. Instituti Pedagogjik duhet të fuqizohet që të mund të punojë në kualitet librash si dhe të fusë analiza krahasimore të librave të tanishëm në kurrikulën e Fakultetit të Edukimit për mësimdhënësit e rinj.

Kosovës i duhet një debat i gjerë për arsim, ku do të përfshiheshin sa më shumë mësimdhënës që të jetë e mundur. Pjesa kryesore e këtij debati duhet të fokusohet në librat e rinj shkollorë. Përmirësimi i librave shkollorë duhet të bëhet prioritet. Ata duhet të përmirësohen duke përdorur praktikat më të mira: me fokus grupe, krahasime ndërkombëtare, mendime të mësimdhënësve nga terreni si dhe pilotim nëpër shkolla.

Librat shkollorë janë shumë të rëndësishëm, sidomos për një vend të varfër si Kosova. Në vitin 2010, McKinsey & Company botoi një hulumtim të njëzet sistemeve arsimore nëpër botë dhe reformave që janë ndërmarrë për t'i përmirësuar ato. Raporti konkludon se në sistemet me cilësi të dobët arsimore, intervenimi kyq për përmirësim është pajisja e mësimdhënësve me libra shkollorë kualitativ si dhe me doracak për përdorimin e atyre librave.

"Mësimdhënësit e dobët kanë nevojë për përkrahje përmes teksteve mësimore kualitative dhe planeve mësimore që do ta drejtonin mësimdhënien e tyre në baza ditore. Një udhëheqës arsimor në Azi ishte cituar të ketë thënë… ‘ne kemi bërë gjithçka që ka qenë e mundshme që t'ua bëjmë mësimdhënien sa më të lehtë mësimdhënësve tanë.'"[16]

Ky mësim i thjeshtë duhet të aplikohet edhe në Kosovë. Le ta bëjmë 2015-ën vitin kur do të bëhet gjithçka që është e mundshme të ndihmohen mësimdhënësit në punën e tyre kyqe për të ardhmen e Kosovës.

Hulumtimi për këtë punim diskutimi u financua nga Departamenti Federal për Punë të Jashtme të Zvicrrës


Opinionet e shprehura këtu janë vetëm të ESI-t

Material leximi për Arsimin në Kosovë

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Kurrikula Bërthamë për Arsimin e Mesëm të Ulët të Kosovës, 2012.

MASHT, Kurrikula Bërthamë për Klasën Parafillore dhe për Arsimin Fillor të Kosovës, 2012.

MASHT, Plani Strategjik i Arsimit në Kosovë, 2011.

MASHT, Udhëzimi Administrativ mbi zbatimin e standardeve për tekstet shkollore, 2011.

MASHT, Korniza e Kurrikulës e Arsimit Parauniversitar të Republikës së Kosovës, 2011

Kuvendi i Kosovës, Ligji për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, 2011.

MASHT, Strategjia për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar në Kosovë 2007-2017, 2007.

Kuvendi i Kosovës, Ligji për Botimin e Teksteve Shkollore, Mjeteve Mësimore, Lektyrës Shkollore dhe të Dokumentacionit Pedagogjik, 2006.

UNESCO, Botë Paralele: Rindërtimi i sistemit të arsimit në Kosovë, 2004. (Vetëm në gjuhën angleze)Departamenti i Arsimit dhe Shkencës i UNMIK-ut, Korniza e Kurrikulit të ri të Kosovës (Libri i Bardhë për Diskutim) , 2001.

ESI për Kosovën – ESI për Arsimin

Studentët turk, Izolimi dhe Sfida e Programit Erasmus (24 Korrik 2014, vetëm në gjuhën angleze)

Kosova – e Patriarkëve dhe Rrebelëve (1 Qershor 2014, vetëm në gjuhën angleze)

Izolimi i Konfirmuar. Si  po i dëmton  BE interesat e saj në Kosovë (22 Nëntor 2010)

Punim Diskutimi: Izolimi i Kosovës? Kosova - Afganistani 5:22 (19 Nëntor 2009)

Punim Diskutimi: Vizionet Utopike: Dështimet e qeverisjes në kryeqytetin e Kosovës (8 Qershor 2006)

Kosova në vendnumërim: Pse shtetit më të varfër të Ballkanit i nevojitet migrimi (18 shtator 2006, verzioni në shqip: prill 2015)

 

 

Swiss Federal Department of Foreign Affairs

The research for this paper has been supported by the
Swiss Federal Department of Foreign Affairs.
The opinions expressed in this paper are only those of ESI.

 


[1]               Agjencia e Statistikave të Kosovës, Kushtet dhe Organizimi i Jetës 2011, http://ask.rks-gov.net/rekos2011/repository/docs/Living-condition-ALB.pdf

[2]               UNESCO, Botë Paralele: Rindërtimi i sistemit të arsimit në Kosovë, 2004, http://www.unesco.org/iiep/PDF/pubs/kosovo.pdf  (Vetëm në gjuhën angleze)

[3]              UNESCO 2004, f. 20.

[4]              UNESCO 2004, f. 89.

[5]              UNESCO 2004, f. 91-94.

[6]              UNESCO 2004, f. 96.

[7]              UNESCO 2004, f. 87.

[8]              UNESCO 2004, f. 87.

[9]              Instituti i Edukimit, Universiteti i Londrës, Kurrikula Kombëtare e Kosovës- vlerësimi i hapave të parë, 2005, f. 8. http://www.masht-gov.net/advCms/documents/KosovaReport-Final%20IEL.pdf  (Vetëm në gjuhën angleze)

[10]             Ibid., f. 8.

[11]             BIRN, Problemet dhe të metat e teksteve shkollore, 2010 http://issuu.com/canezhuja/docs/birn_problemet_dhe_te_metat_e_tekst?e=0

[12]             BIRN, Problemet dhe të metat e teksteve shkollore, 2010, http://issuu.com/canezhuja/docs/birn_problemet_dhe_te_metat_e_tekst?e=0

                dhe Rishqyrtim i çështjeve të ngritura në studimin e vitit 2010, 2013. http://jetanekosove.com/repository/docs/Tekstet_ANALIZA_shqip_339320.pdf

[13]             Qendra për Arsim e Kosovës (KEC), Barazia gjinore në librat e leximit në arsimin e detyruar nëntëvjeçar në Kosovë, 2007.

[14]             IPK, Aparatura Didaktike në Tekstet Shkollore, 2013. f.22

[15]             James S. Jacobs dhe Michael O. Tunnel, Children's Literature, Briefly 2004, f.14

[16]             McKinsey&Company, Si Përmirësohen Vazhdimisht Sistemet më të Avancuara Shkollore Në Botë, 2010, f. 44, http://mckinseyonsociety.com/downloads/reports/Education/How-the-Worlds-Most-Improved-School-Systems-Keep-Getting-Better_Download-version_Final.pdf. (Vetëm në gjuhën angleze)