Punim diskutimi: Vizionet utopike. Dėshtimet e qeverisjes nė kryeqytetin e Kosovės
8 June 2006
Pristina
Click here to view this document as a PDF file in A4 format. To download the PDF file to your computer, right-click here, select "Save Link/Target As..." in the contextmenu and choose a destination on your hard disk. If you are having problems opening this PDF file, please click here for help. Please note that the PDF version of this document also contains footnotes that are not used in its web version.
Reactions

On 7 June 2006, IKS Executive Director, Besa Shahini, gave an interview on the challenges of governance and planning in Kosovo's capital to Kosovo State Television (RTK). Watching this interview requires the free RealOne© Player which you can download here.

"Kur menoj sot, e shoh se çfar dami të madh i kan ba qytetit tem kta planifikues të trent urban. Ja kan hekë qytetit pasqyrën e vet natyrore."

Migjen Kelmendi, 'Qyteti pa lum'

Tensioni i lartë politik që është duke i përcjellë negociatat për status final, lehtë mund ta mjegullojë prezencën e një sfide të madhe që e pret Kosovën pas zgjidhjes së statusit. Për më se gjysmë shekulli, Kosova ka ngecur pas Evropës si në aspektin social ashtu dhe në atë ekonomik. Vendimi mbi statusin, si i vetëm, nuk do ta ndryshojë këtë trend. Për një ndryshim të tillë, duhet ndërmarrë ndërrime fundamentale në mënyrën se si qeveriset Kosova.

Si kryeqytet i Kosovës, Prishtina do të duhej ta udhëhiqte këtë proces të revitalizimit duke i parashtruar kriteret e qeverisjes efektive demokratike. Prishtina është komuna më e pasur e Kosovës, qendra e të gjitha institucioneve të saja të qeverisjes dhe baza e një numri të madh të institucioneve ndërkombëtare. Por megjithatë, Prishtina nuk ofron një shembull të mirë të qeverisjes për komunat e tjera.

Ndërtimet ilegale nuk kanë të ndalur. Ndërtesat ndërtohen pa i marrë parasysh standardet e sigurisë, ndërsa vendbanimet e paplanifikuara dhe zgjerimet komerciale e ngarkojnë infrastrukturën ekzistuese. Qendra historike e qytetit është ngulfatur nga ndërtimet e reja të larta. Ndërtesat e futura në listën e trashëgimisë së mbrojtur kulturore janë lënë pas dore, ku disa prej tyre edhe janë shkatërruar plotësisht. Infrastruktura është duke u dëmtuar: ndërprerjet e ujit janë të shpeshta, rrjeti rrugor mirëmbahet me vështirësi, sistemi i kanalizimit është përkeqësuar. Hapësirat publike, parqet dhe tregjet janë duke u shkatërruar. Shërbimet komunale janë jo të rregullta. Gjatë dimrit akulli mblidhet në rrugë, duke rrezikuar sigurinë publike, ndërsa gjatë verës mbeturinat grumbullohen në hapësira publike. Ekonomia e qytetit varet në shkallë të rrezikshme nga prezenca e përkohshme e misioneve ndërkombëtare. Mungojnë të dhëna të besueshme mbi atë se çka prodhohet sot në Prishtinë, si dhe një vizion real për zhvillimin e saj të ardhëm ekonomik. Si mund të ndryshohet kjo situatë?

Burimet e zhvillimit

Historia e Prishtinës karakterizohet me ndërprerje të thella të zhvillimit. Gjatë periudhës osmane, Prishtina ishte një qytet tregtar vibrant, që në vitin 1910 kishte një popullsi prej 18.800 banorësh. Ekonomia e saj ishte e dominuar nga çarshia e vjetër, punëtoritë artizanale dhe tregu i kafshëve.

Gjatë periudhës jugosllave, qyteti u rrit nga 20.000 banorë (1948) në 108,000 (1981). Planifikuesit komunistë urban dhe ndërmarrjet e mëdha shoqërore ndërtuan ndërtesa banimi për klasën e re zyrtare. Ndërtimi i Prishtinës krijoi vende pune në ndërmarrjen ndërtimore 'Ramiz Sadiku', që njëherit u bë edhe punëdhënësi më i madh në qytet. Gjatë kësaj kohe të zhvillimit të hovshëm, parulla e preferuar e vendimmarrësve ishte 'Ta shkatërrojmë të vjetrën, ta ndërtojmë të renë'. Ekipet rinore e shkatërruan çarshinë e vjetër dhe monumente të tjera të kohës osmane, që përjetoheshin si simbole të kapitalizmit tregtar dhe të së një kaluare të prapambetur orientale. Këto objekte u zëvendësuan nga shtëpi të mallrave moderne, zyre dhe monumente të ndërtuara për nder të 'vllazërim-bashkimit' jugosllav.

Pjesa më e madhe e investimeve në Kosovë – deri më 43 përqind më 1981 – përqendrohej në qendrën e saj administrative, Prishtinën. Si vendbanimi i më se një të tretës së shërbyesve publik dhe punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, Prishtina gati arriti punësim të plotë, dhe ishte qendër e ndërtimit banesor dhe zhvillimit urban. Qyteti u rrit shpejt; por modeli i zhvillimit ishte i përcaktuar nga lartë dhe, në masë të madhe, ishte i financuar nga transferet e fondit zhvillimor të Jugosllavisë.

Këtij modeli të zhvillimit i erdhi fundi me fillimin e viteve të 1980-ta. Ndërtimet e mëdha urbane u ndërprenë dhe nivelet e punësimit filluan të bien edhe para fillimit të represionit të Millosheviqit që përfundoi me luftën e viteve 1998-1999.

Prishtina e pas-luftës u bë sërish një qytet administratorësh: të huaj e kosovar. Ndërtesa të mëdha të kohës socialiste – zyra, banka e, për një kohë, edhe Muzeu i Kosovës – filluan të përdoren si baza të organizatave ndërkombëtare. Në rrethinë të qytetit, gjenerata e re e afaristëve, shumica e të cilëve importues, sërish e shndërruan Prishtinën në një qytet tregtarësh.

Një vrasje me pasoja

Në gusht 2000, Shoqata e Arkitektëve të Kosovës, shkroi një letër të hapur, ku apeloi që administrata e UNMIK-ut të merr masa për mbrojtjen e mjedisit urban të Prishtinës.

'Prej rrënimeve dhe ndërtimeve të paligjshme po pësojnë vet bërthama historike e qytetit, objektet me vlerë arkitektonike dhe urbanistike që paraqesin trashëgiminë tonë kulturore në tërësi'.

Ndërtimet ilegale për të cilat fliste Shoqata e Arkitektëve ishin të llojeve të ndryshme. Pas vitit 1999, në periferi të qytetit u ngritën një numër i vendbanimeve joformale, të ndërtuara në tokë bujqësore dhe ndonjëherë të kyçura ilegalisht në rrjetin e ujësjellësit dhe rrymës. Shumë qytetarë ndërtuan shtëpi të reja, ose i zgjeruan ndërtesat ekzistuese, pa leje të ndërtimit, duke krijuar kështu ndërtime të pasigurta dhe të shëmtuara. Ndërtesa të reja komerciale, e sidomos depo të sektorit tregtar, u paraqitën në zona të pa planifikuara për aktivitete komerciale. As zona historike e qytetit nuk u kursye nga shumëkatëshet e reja dhe moderne, të cilat ndonjëherë ndërtoheshin në vend të objekteve të rrënuara ilegalisht. Gjatë kësaj periudhe, ishin në fuqi 36 plane rregullative, të hartuara prej vitit 1967 deri më 1990. Mirëpo zyrtarët kosovar e as ata ndërkombëtar nuk i kushtuan atyre fort rëndësi. Vështruar nga aspekti praktik, në Prishtinën e pas-luftës mbizotëroi një vakum ligjor.

Në shtator 2000, Rexhep Luci, udhëheqësi i planifikimit urban në Prishtinë, nisi iniciativën e quajtur 'Vizioni për Prishtinën 2000-2005'. Ai kishte për qëllim ta fillojë përgatitjen e një plani të ri urban, që do t'i përmbushte nevojat zhvillimore të gjeneratës së re të qytetit. Para prezantimit të këtij vizioni, Rexhep Luci gjithashtu deklaroi edhe synimin e tij për t'u ballafaquar me problemin e ndërtimeve ilegale. Ekipe studentësh dhe punonjësish komunal, të pajisur me fotoaparate, e vëzhguan qytetin duke dokumentuar 2.000 raste të ndërtimeve ilegale. I përkrahur nga administrata e UNMIK-ut, Luci i nënshkroi vendimet për rrënimin e tre objekteve ilegale në qytet, përfshirë këtu edhe një restorant të ndërtuar në mes të parkut Gërmia.

Rexhep Lucin e vranë gjersa kthehej në shtëpi pas përfundimit të koktejit në Hotelin Grand. Pas vrasjes së tij, UNMIK-u miratoi një rregullore të re mbi ndërtimin, të emëruar në nder të Lucit, në të cilën konfirmohej obligimi që pala të kërkojë leje ndërtimi nga autoriteti kompetent komunal. Më vonë, në vitin 2004, u miratua Ligji i ri për Ndërtim. Mirëpo, në realitet, pak është bërë për ta zbatuar ligjin.

Drejtorati për inspekcion në Komunën e Prishtinës punëson tre inspektorë të ndërtimit, një shofer, një zyrtar përgjegjës për rrënime dhe 13-të punonjës administrativ. Në të shumtën e rasteve, Komuna duhet të angazhojë kompani private që kushton shumë shtrenjtë. Ky proces duhet të bëhet nën mbikëqyrjen e policisë. Por, në vitin 2005, buxheti komunal parashihte vetëm €30,000 për rrënime. Inspekcioni për ndërtim i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor duhet ta mbikëqyrë punën e inspektorëve komunal të ndërtimit. Mirëpo, Ministria ka vetëm një inspektor të tillë në dispozicion.

Rasti i vrasjes së Rexhep Lucit nuk është zgjedhur ende. Kjo ngjarje ia vuri pikën përpjekjeve për ta zgjidhur problemin e ndërtimeve ilegale. Orvatjet e tjera për t'i ndalur ndërtimet ilegale u shuan shumë shpejt, duke e lënë zonën historike, parqet publike dhe hapësirat e tjera pa mbrojtje adekuate. Kombinimi i një retorike të ashpër me një mosaktivitet të qartë publik, demonstroi po ashtu dobësinë e UNMIK-ut, i cili ishte përgjegjës për policinë. Pas vrasjes së Lucit, edhe KFOR-i hezitoi të merr një rol më aktiv në këtë çështje. Autoritetet komunale vazhduan të flisnin për nevojën urgjente për të hartuar një plan të ri urban për Prishtinën, por në të njëjtën kohë vazhduan ta toleronin mosrespektimin e ligjit ekzistues.

Planifikimi utopik

Në shtator te vitit 2003, komuna e Prishtinës shpalli tender ndërkombëtar për të realizuar 'Strategjinë 2020', ndërsa në dhjetor të po atij viti nënshkroi kontratë me një konsorcium ndërkombëtar, të përbërë nga katër institute planifikuese gjermane dhe të udhëhequr nga një kompani e Prishtinës, INTECH. Rezultati kryesor i punës së tyre ishte 'Plani Strategjik për Zhvillimin Urbanistik të Prishtinës, 2004 – 2020'.

Plani strategjik u përgatit shumë shpejtë. Konsorciumi i pati katër muaj për ta përfunduar detyrën – deri në mars të vitit 2004. Edhe pse kishte shumë pak të dhëna të besueshme që do të mund të shërbenin si bazë e planit, kohëzgjatja e përpilimit të tij e ka pamundësuar mbledhjen e të dhënave shtesë. Megjithatë, pas disa prezantimeve publike dhe takimeve me ekspertë, Plani strategjik u aprovua nga Kuvendi Komunal i Prishtinës me 2 korrik 2004.

Mirëpo, Plani strategjik 2020 qysh nga fillimi ishte i bazuar në një imazh të paqartë të realitetit të Prishtinës. Në këtë plan përdoren supozime të pa baza në vend të të dhënave të qëndrueshme. Plani nuk jep zgjidhje praktike për problemet e vërteta të qytetarëve të Prishtinës dhe është shumë joserioz sa i përket resurseve financiare. Shkurtimisht, mund të thuhet se kjo Strategji është edhe një shembull tjetër i qeverisjes së dobët.

Supozimet e pasakta për numrin e popullsisë së Prishtinës dhe për zhvillimin e qytetit janë problemi kryesor i kësaj Strategjie. Në Strategji thuhet se nuk ka të dhëna të qëndrueshme për popullsinë e Kosovës. Për Prishtinën thuhet se popullsia urbane mund të jetë rreth 350.000 banorë, respektivisht rreth 420.000 banorë për tërë komunën.

Shumë institucione ndërkombëtare dhe kosovare e mbivlerësojnë numrin e popullsisë së kryeqytetit. 'Profili komunal i Prishtinës', dokument që botohet nga OSBE-ja çdo vit (dhe mund të gjendet edhe në internet), rregullisht ka pohuar se në Prishtinë jetojnë më shumë se 500.000 banorë. Kjo shifër është llogaritur në vitin 2000, kur situata ka qenë mjaft kaotike. Në botimin e shkurtit të vitit 2005 nga ky dokument mund të lexohet se Prishtina:

'Përbëhet nga një territor prej 854 km2 dhe sot e ka numrin më të madh të banorëve të Kosovës, krahasuar me komunat tjera. Numri i banorëve është dyfishuar pas konfliktit. Në vitin 1991 në këtë qytet kanë jetuar rreth 200.000 banorë ndërsa sot vlerësohet se ka rreth 550.000 banorë, përfshirë këtu edhe 200.000 persona të zhvendosur nga pjesët e tjera të Kosovës.'

Ky numër ka shërbyer si referencë për shumë botime të mëtutjeshme. Raporti komunal i UNMIK-ut i vitit 2002 flet për Prishtinën si 'komuna më e madhe me më shumë se 500.000 banorë.' Një libër i botuar në vitin 2003 nga drejtori i arkivit të Kosovës, Jusuf Osmani, thotë se: 'Në këtë qytet bashkëkohor me mbi 500 mijë banorë jetojnë nacionalitete të ndryshme.' Libri i gjeografisë i klasës XI shënon se 'sipas disa matjeve Prishtina ka 600.000 banorë.' Një raport për menaxhimin urban dhe planifikimin në komunat e Kosovës, i botuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në vitin 2002, thotë se 'Lëvizja më e madhe e popullsisë pas luftës është në komunën e Prishtinës (prej 210.040 banorëve para luftës në 545.477 banorë pas luftës).'

Shihet qartë që ideja se Prishtina është një qytet i madh me zhvillim të hovshëm është një koncept joshës si për institucionet kosovare ashtu edhe për misionet ndërkombëtare.

Mirëpo, është gabim të thuhet se nuk mund të bëhet një vlerësim më i mirë për numrin e banorëve të Prishtinës. Në fakt, autorët e Strategjisë 2020 kanë pasur qasje në të dhëna më të sakta. Ata janë takuar me zyrtarët komunal të Drejtoratit për mbrojtje civile dhe emergjencë, i cili është i vetmi organ komunal që ka bërë një vlerësim serioz të numrit të banorëve. Për çudi, këto shifra nuk figurojnë në Strategjinë 2020.

Në vitin 2003, Drejtorati për mbrojtje civile dhe emergjencë ka bërë një studim të numrit të banorëve në 36 bashkësitë lokale të komunës së Prishtinës. Ekipet e udhëhequra nga Drejtorati trokitën prej derës në derë për t'i kompletuar 'kartelat familjare' që përfshinin informacione themelore për secilin anëtar të familjes. 28.275 'kartela familjare' u plotësuan në qytetin e Prishtinës, duke nxjerrë në pah një shifër prej 161.749 banorëve në qytet. Drejtorati i emergjencës besonte që vetëm 70-80 për qind të familjeve të komunës i kanë plotësuar këto kartela që, pas llogaritjeve përkatëse, na jep vlerësimin e 231.070 banorëve për qytetin e Prishtinës.

Shifrat që dalin nga ky studim nuk janë të vetmet të dhëna administrative që mund të përdoren për ta vlerësuar popullatën urbane. Në vitin 2004, 34.634 shtëpi kanë qenë të kyçura në rrjetin e ujësjellësit. Nëse i marrim të dhënat e Drejtoratit për emergjencë për madhësinë mesatare të familjes në Prishtinë, që është 5.7 anëtarë, del se diku rreth 197.000 banorë të qytetit të Prishtinës janë të kyçur në këtë rrjet. Nëse marrim parasysh kyçjet ilegale në rrjet, kjo shifër mund të rritet deri në 200.000 banorë në pjesën urbane të Prishtinës.

Regjistri i votueseve dhe numri i nxënësve të shkollave fillore, japin numra të ngjashëm me ata të lartpërmendurit. Në vitin 2004, në komunën e Prishtinës janë regjistruar 139.587 votues. Mesatarja e nxënësve për vit shkollor fillor është 3,617, që e shumëzuar me 18 na jep numrin e njerëzve që nuk janë të regjistruar në listat e votueseve – 65.112. Me mbledhjen këtyre dy shifrave del se komuna e Prishtinës ka rreth 205.000 banorë. Për ta pasur një pasqyrë përfundimtare të numrit të banorëve të komunës, duhet llogaritur edhe personat që jetojnë, por nuk janë të regjistruar, në Prishtinë, si për shembull studentët e universitetit, një numër të shërbyesve civil dhe ndërkombëtarët.

Supozimi i dytë i Strategjisë 2020, i ndërlidhur me të parin, është se migrimi në qytet do të arrijë deri në 6.400 persona në vit gjatë dekadës së ardhme. Së bashku me shtimin natyror të popullsisë, ky trend do të rezultojë në 650.000 banorë në Prishtinë në vitin 2020.

Këtë supozim duhet ta krahasojmë me mesataren e 2.200 dhe 2.400 të ardhurve në Prishtinë, gjatë viteve 1970-a dhe 1980-a respektivisht, kur me mijëra vende pune u hapën në administratën dhe industritë socialiste dhe kur një numër i madh i ndërtesave të banimit u ndërtuan në qytet. Planifikuesit e Strategjisë 2020 nuk japin ndonjë shpjegim se pse Prishtina do të vazhdojë të jetë magnet ekonomik. Ata thjeshtë supozojnë se zhvillimi i vazhdueshëm urban do ta zgjerojë qytetin prej 2.200 hektarëve që i përfshinë sot në 10.000 hektar në vitin 2020. Gjithashtu, toka industriale që sot shtrihet në 120–130 hektar toke, planifikohet të rritet në 600 hektarë.

Plani propozon rrënimin e një numri të madh të ndërtesave ekzistuese, si shtëpitë private në lagjen Kalabria në jug të qytetit, vendbanimet e vjetra në lagjen Tophane së bashku me xhaminë e Llapit, si dhe zonën komerciale në Hajvali, ku investime mjaft të mëdha private janë bërë për ta siguruar infrastrukturën themelore.

Duke marrë parasysh se ballafaqimi me ndërtimet ilegale në Prishtinë ka qenë shumë i dobët deri më sot, ky plan nuk do të mund të realizohet.

Planet për trafikun e qytetit, të bëra në bazë të Strategjisë 2020, shkojnë edhe një hap më tutje duke thënë se në afat të mesëm Prishtina do të jetë një qytet i 'gati një milion banorëve', për të cilët duhet të planifikohet një sistem më i përshtatshëm i trafikut. Në një intervistë, Lulzim Nixha, na ka thënë se beson të jenë rreth '150.000 automobila' në komunën e Prishtinës. Ndërsa, i vlerësimi i vetëm i bazuar në studime konkrete për trafikun e Prishtinës është se rreth 12.015 automobila hyjnë në qytet çdo ditë.

Përfundimisht mund të thuhet se i tërë procesi i planifikimit të Strategjisë 2020 është i shkëputur nga çfarëdo vlerësimi i qëndrueshëm buxhetor dhe është i bazuar në supozime tepër joreale të fondeve financiare. Planet për zhvillim dhe zgjerim të shpejtë parashihen të financohen nga burimet e jashtme – donatorë ose investitorë privat akoma të pa identifikuar. Po planifikohen vendbanime to reja urbanistike me ndërtesa të larta banimi, pa kurrfarë indikacioni se ka investitorë privat të gatshëm ta bëjnë financimin e tyre ose se ka kërkesë adekuate vendore për ndërtesa të tilla. Për shkak se janë supozuar rritje të mëdha në sektorin e banimit, Plani parasheh që infrastruktura e nevojshme për këto banesa të ofrohet nga donatorë të ndryshëm. Mirëpo, pregatitja e Planit pa një kornizë buxhetore afatmesme e shndërron atë në një 'listë dëshirash' për një varg projektesh të paprioritizuar. Nga ky këndvështrim, ky Plan nuk është fare strategjik.

Kryeqyteti më i ri në kontinent: cila është rruga drejt Evropës?

Çfarë mund të jetë mënyra më e mirë për të krijuar një plan të zhvillimit urban? Tri çështjet kryesore që duhen marrë parasysh janë:

  1. Realiteti

    Analiza socio-ekonomike e situatës së tanishme duhet të jetë e bazuar në studime të mirëfillta. Një qytet që sot ka rreth 220.000 banorë, dhe mund të rritet deri në 250.000 banorë në vitin 2020, ka nevoja të tjera investive dhe infrastrukturore nga një qytet me 650.000 banorë. Një qyteti në të cilin hyjnë mesatarisht 12.000 vetura në ditë, nuk i duhen udhëkryqe me kapacitet prej 70.000 veturave.

  2. Fokusi

    Një plan i mirë duhet t'i adresojë problemet e tanishme të qytetarëve të sotëm, e jo ato të një qyteti të imagjinuar utopik të një së ardhme të largët. Shumica e familjeve që do të jetojnë në Prishtinë në vitin 2020, janë duke jetuar këtu edhe sot - një plan i mirë do të duhej t'i trajtonte nevojat e tyre.

    Këto nevoja natyrisht dallojnë nga njëra nga tjetra, varësisht nga ajo se ku jetojnë këta banorë (Arbëri apo Kodra e trimave, Kalabri apo Ulpianë). Ato po ashtu dallojnë varësisht nga profili ekonomik dhe social i banorëve. Nevojat e një tregtari që dëshiron të zgjerohet në prodhim janë të ndryshme nga ato të një punëtori restorantesh që ofron shërbime për klientët ndërkombëtarë; kërkesat e një studenti të universitetit dallojnë nga ato të nënave që nuk kanë se ku t'i dërgojnë fëmijët për zbavitje, apo nga ato të pensionerëve që jetojnë në katin e tetë të ndonjë banese në Dardani. Një plan i mirë duhet t'i konsultojë shumë më shumë njerëzit mbi nevojat e tyre të vërteta se sa që ka bërë këtë deri më tani.

  3. Zbatimi

    Është vendimtare që plani i mirë të jetë edhe i zbatueshëm. Kjo nënkupton një bashkëpunim më të ngushtë në mes të drejtorateve të ndryshme komunale, institucioneve komunale dhe atyre qendrore, dhe organizatave që ende varen nga AKM-ja (si për shembull ndërmarrjet e shërbimeve publike). Një bashkëpunim i tillë ka munguar deri më sot. Zbatimi efektiv i planit po ashtu nënkupton buxhete reale që përqendrohen në prioritete të mirëfillta.

Ky hulumtim është mundësuar me përkrahjen e Balkan Trust for Democracy dhe Austrian Erste Bank Privatstiftung. Ai do të përfshihet në raportin e plotë të IKS-it dhe ESI-it mbi qeverisjen, planifikimin dhe situatën socio-ekonomike të Prishtinës, i cili do të botohet në një të ardhme të afërt.

Pristina, 8 June 2006
Click here to view this document as a PDF file in A4 format. To download the PDF file to your computer, right-click here, select "Save Link/Target As..." in the contextmenu and choose a destination on your hard disk. If you are having problems opening this PDF file, please click here for help. Please note that the PDF version of this document also contains footnotes that are not used in its web version.