Izolimi i Kosovës? Kosova – Afganistani: 5:22
19 November 2009
Berlin Pristina
Click here to view this document as a PDF file in A4 format. To download the PDF file to your computer, right-click here, select "Save Link/Target As..." in the contextmenu and choose a destination on your hard disk. If you are having problems opening this PDF file, please click here for help. Please note that the PDF version of this document also contains footnotes that are not used in its web version.
BE-ja dhe izolimi i Kosovës

Në shkurt të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë. Franca ishte shteti i parë i BE-së që njohu shtetin e ri, pasuar nga Gjermania, Britania e Madhe, si dhe gjitha shtetet tjera të BE-së përveç pesë sosh (Qiproja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja).

Në maj të vitit 2008, Bashkimi Evropian filloi procesin e liberalizimit të vizave për Ballkanin Perëndimor. Ai përcaktoi listën (udhërrëfyesin) me afro 50 kushte strikte nga kufijtë mirë të siguruar deri tek procedurat e rregulluara të azilit, nga pasaportat e pafalsifikueshme deri tek përmirësimi i bashkëpunimit ndërkombëtar policor që Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia do të duheshin t'i përmbushnin për të përfituar nga udhëtimet pa viza. BE-ja gjithashtu krijoi një mekanizëm për vlerësimin e përparimit në të cilin përfshihen ekspertë nga Komisioni dhe shtetet anëtare. Ideja themelore ishte që të sigurohet që procesi i liberalizimit të jetë strikt dhe i drejtë, ngase si i tillë do t'i shërbente interesave të BE-së dhe të rajonit.

Në dhjetor të vitit 2008, BE-ja dërgoi Misionin për Sundimin e Ligjit (EULEX) në Kosovë. Aktualisht, ai punëson në terren më se 1,622 të BE-së dhe 1,021 punëtorë vendorë (gjithsej: 2,643 sish). Me një buxhet vjetor mbi 200 milionë Euro, është misioni më i madh i llojit të vet që është ngritur ndonjëherë. Synimi i tij është të ndihmojë zhvillimin e institucioneve të sigurisë dhe atyre gjyqësore të Kosovës. Ashtu siç u tha nga Havier Solana, gjatë shpalljes së zbarkimit të EULEX-it në dhjetor të vitit  2008:

"Misioni i EULEX-it po vendoset për t'i asistuar Kosovën në përparimin e saj drejt arritjes së standardeve evropiane në fushat e policisë, drejtësisë, doganave dhe shërbimeve korrektuese … Ky Mision është dëshmi e përkushtimit të fuqishëm të BE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe do të kontribuojë në avancimin e stabilitetit në gjithë rajonin."

Këto tri zhvillime, të cilat zunë vend brenda një periudhe prej disa muajsh, ngritën pritjet në Kosovë. Kishte shpresë që periudha e paqartësisë dhe izolimit që kishte filluar me shpërbërjen dramatike të Federatës Socialiste Jugosllave më 1991 po i afrohej fundit. Një tjetër shpresë ishte që pengesat tejet të mëdha për udhëtim të lirë me të cilat përballeshin gjithë banorët e Kosovës pengesa që ishin vënë që më 1991 përfundimisht do të tejkaloheshin. E gjithë kjo nuk do të arrihej lehtë, dhe këtë e pranonin njerëzit. Do të nevojiteshin institucione e reforma, si çdokund tjetër në Ballkan por tani së paku do të kishte një perspektivë që kosovarët t'i bashkoheshin sërish rrymës evropiane.

Vendi më i izoluar në botë

Megjithatë, deri tash, këto shpresa nuk janë realizuar. Qytetarët e Kosovës janë më të izoluar tani, në kuptimin e kushteve për viza, sesa në cilëndo periudhë të gjysmë-shekullit të fundit. Kosova mbetet një prej vendeve më të izoluara në botë.

Një mënyrë për matjen e masës së këtij izolimi është duke shikuar numrin e vendeve në të cilat mund të udhëtojnë pa viza bartësit e pasaportave kosovare. Pasaporta e re e Kosovës, që u lëshua për herë të parë nga Qeveria e Kosovës në korrik të vitit 2008, është aktualisht një prej dokumenteve të udhëtimit më së paku të dobishme që është prodhuar ndonjëherë. Pronarët e këtyre pasaportave mund të udhëtojnë në vetëm 5 vende pa vizë: tek fqinjët Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia, Turqia dhe Haiti. Edhe qytetarët e Afganistanit vendit me pozitën më të ultë në "Indeksin e Kufizimeve të Vizave" të Henley & Partners për vitin 2008 mund të udhëtojnë në më shumë vende pa viza.

Tabela: Henli e partnerët, "Indeksi i kufizimit të vizave", 2008

Vendi

numri i destinacioneve ku udhëtohet pa viza

Denmark

157

Finlanda
Serbia dhe Mali i Zi
Somalia
Afganistani

Kosova*

156
50
25
22

5

 

*Kosova nuk gjendet në këtë Indeks, por është shtuar nga ESI.

Një mënyrë tjetër e matjes së izolimit është të shihet se sa e lehtë është të merret viza. Frustrimi dhe pasiguria që përcjell procesin e kushtueshëm të aplikimit për vizë Shengen është buka e përditshme e shumë qytetarëve të Ballkanit. Në Kosovë, situata është edhe më e keqe sesa në vendet tjera të Ballkanit. Së pari, në Prishtinë ekziston një numër i kufizuar i konsullatave: më pak se 10 nga 27 shtetet anëtare lëshojnë viza në Kosovë. Kështu, marrja e vizës shpesh kërkon udhëtime jashtë Kosovës: në Shkup (Maqedoni), Beograd (Serbi) apo Tiranë (Shqipëri). E kjo kushton. Sipas rezultatit të një OJQ-je kosovare, një aplikacion i rëndomtë për vizë kushton mesatarisht 124 Euro. Kjo është shumë tejet e lartë për një amvisëri kosovare ngase paga mesatare mujore është 240 Euro. Për t'i përkeqësuar gjërat edhe më tepër, paratë e shpenzuara në aplikim janë investim i rrezikshëm, pasi gati gjysma e gjitha aplikacioneve përfundojnë në refuzime.

As mjete e as qëllime

Si u bë që Kosova u rendit nën Afganistanin? Tri gjëra na çojnë drejt përgjigjes: 1991-shi dhe rënia e Jugosllavisë socialiste; 1999-ta dhe fundi i luftës së Kosovës; si dhe 2009-ta dhe ndikimi i strategjisë evropiane të vizave për Serbinë në Kosovë. 

Më vitin 1991, pas fillimit të luftës në Kroaci dhe shpërbërjes së Jugosllavisë socialiste, shumica e vendeve evropiane vendosi kushtet e vizave për bartësit e pasaportave jugosllave. Është me rëndësi të ceket që deri në atë kohë, kosovarët, si gjithë qytetarët e ish-Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, mund të udhëtonin lirisht në gjithë Evropën. Pas vitit 1991, kosovarët me pasaporta jugosllave ende mund të udhëtonin drejt disa dhjetëra vendeve pa viza. Këto përfshinin Bullgarinë, Rusinë, Turqinë dhe Kubën.

Më 1999, pas luftës dhe krijimit të protektoratit të OKB-së, kosovarët kishin mundësinë e zgjedhjes mes dy dokumenteve. Njëri ishte Dokumenti i Udhëtimit i UNMIK-ut. Ky i mundësonte kosovarëve të udhëtonin drejt vetëm tre vendeve pa vizë: Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi (ky i fundit ende pjesë e Jugosllavisë në atë kohë).  Tjetri ishte pasaporta jugosllave (më vonë e Serbisë), e cila pas vitit 1999 u bë më e vështirë për t'u nxjerrë. Pjesa më e madhe e arkivave të Kosovës, duke përfshirë regjistrat e amzës dhe martesave u bartën në Serbi më 1999. Si rezultat, kosovarët do të duhej të shkonin në Serbi për të marrë pasaportën, të paguajnë një ndërmjetës (deri në 500 euro) apo të aplikojnë përmes institucioneve paralele të financuara nga Beogradi në zonat e banuara me serbë në Kosovë. Shumë e kanë bërë këtë (shpesh, një prej arsyeve ishte që me pasaportë jugosllave mund të udhëtonin drejt mbi 40 shteteve të botës pa vizë).

Në gusht të vitit 2008, Serbia filloi lëshimin e pasaportave biometrike, kërkesë kjo e parashtruar me udhërrëfyesin e BE-së. 7,141 kosovarë fatlumë e kanë marrë atë. (Pasaportat do t'u mundësojnë atyre të udhëtojnë pa viza drejt shteteve të Shengenit nga 19 dhjetori 2009). Por, më 2009 u bë e vështirë për kosovarët (pa marrë parasysh etninë) që të marrin pasaportën serbe. Komisioni Evropian i kërkoi Serbisë të ndalojë lëshimin e tyre për kosovarë deri në kohën kur një "Drejtori Koordinuese" e veçantë brenda Ministrisë së Brendshme në Beograd të themelohej si organi i vetëm i autorizuar që t'i lëshojë banorëve të Kosovës pasaporta. Pasi autoriteti lëshues gjithmonë përmendet në pasaporta, kjo do t'i bënte pasaportat e banorëve të Kosovës të dallueshme si dhe do t'i përjashtonte ata nga udhëtimi pa viza. Siç u tha në propozimin e Komisionit, të datës 15 korrik 2009:

"… në kuptimin e brengave të sigurisë, veçanërisht në lidhje me migrimin e paligjshëm nga personat që banojnë në Kosovë dhe personat, ceertifikata e shtetësisë e të cilëve është lëshuar për territorin e Kosovës nën Rezolutën e OKB-së 1244/99 … Komisioni konsideron që poseduesit e pasaportave serbe të lëshuara nga Drejtoria e veçantë e Koordinimit (Koordinaciona uprava në serbisht) do të përjashtoheshin nga regjimi pa viza për Serbinë."

Kësisoj, në qershor të vitit 2009, Serbia ndaloi së lëshuari pasaporta biometrike për banorët e Kosovës (duke përfshirë serbët e Kosovës). Në gusht të vitit 2009, Drejtoria e Koordinimit në Beograd i hapi dyert e veta. Asnjë kosovar nuk mund të marrë pasaportë serbe pa shkuar në Beograd, ndërsa as udhëtimi drejt Serbisë nuk është i lehtë: Serbia nuk njeh as letërnjoftimet e  as pasaportat e Kosovës. Çdo gjë është bërë për të vështirësuar sa më shumë marrjen e pasaportës serbe. 

Politikanët kosovarë përgjithësisht e mirëpritën këtë zhvillim, duke e parë at si hap drejt shkëputjes së lidhjeve me Serbinë. Megjithatë, atë që nuk e mirëpritën ishte propozimi i Komisionit për të vendosur Kosovën në "Listën e Zezë" të Shengenit, si territor për statusin e të cilit nuk mund të pajtohet ende BE-ja (pra nën rezolutën e KS të OKB 1244), bashkë me Autoritetin Palestinez dhe Tajvanin. Për të qenë edhe më keq, Komisioni as nuk ka përmendur ndonjë mundësi të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Ndërkohë, Komisioni ka parashtruar një propozim për fillimin e një "dialogu për vizat me perspektivë të liberalizimit të vizave" për Kosovën. Megjithatë, ai është përmbajtur nga përdorimi i terminologjisë së njëjtë si tek procesi i liberalizimit të vizave për pesë vendet e para të Ballkanit Perëndimor për shembull, nuk përmendet udhërrëfyesi për viza. Kjo në fakt do të thotë që kosovarët të vetmuar mes qytetarëve të Ballkanit nuk kanë kurrfarë garancish nga BE-ja që do të trajtohen si fqinjët e tyre nëse i plotësojnë kushtet e veçanta, dhe kur t'i plotësojnë ato. Nëse udhërrëfyesi është mjeti, e liberalizimi qëllimi, kosovarët s'e gëzojnë as njërin as tjetrin.

Kosova kundrejt Tajvanit

Ekzistojnë tri shpjegime të mundshme pse Komisioni Evropian nuk ka shpallur të njëjtin proces për Kosovën ashtu si për pesë vendet e para.

I pari ka të bëjë me statusin e Kosovës. Me pesë shtete anëtare që refuzojnë të njohin pavarësinë e Kosovës, sipas logjikës, nuk do të mund të ofrohej udhërrëfyesi. Ky supozim duket i kënaqshëm në pamje të parë. Megjithatë, siç kanë theksuar një numër ekspertësh ligjorë duke përfshirë ish-ministrin e brendshëm të Italisë (Xhuliano Amato) dhe Oto Shili (Gjermani) është i gabueshëm.

Në këtë moment, është duke zënë vend një dialog shumë serioz mbi vizat mes Komisionit Evropian dhe Republikës së Tajvanit. Tajvani nuk është pranuar nga asnjë shtet anëtar i BE-së. Por, kjo nuk shihet si pengesë. Siç thuhej në një raport lajmesh më 29 tetor:

"I dërguari i lartë i Bashkimit Evropian në Tajvan tha të mërkurën që Komisioni Evropian është duke punuar fuqimisht me autoritetet tajvaneze në mundësimin e privilegjeve pa viza për shtetasit tajvaneze që hyjnë në zonën e Shengenit, por shtoi që nuk ka ndonjë afat për këtë. Gi Ledu, udhëheqës i Zyrës Evropiane për Ekonomi e Tregti me bazë në Taipei, i tha CNA-së që "jemi duke punuar për të dorëzuar një propozim para fundit të vitit, por nuk jam i sigurt nëse mund të bëhet apo jo". Ai theksoi që mandati i Komisionit aktual të BE-së do të skadojë në fund të tetorit, si dhe pritet që Komisioni i ri të marrë mandatin në janar."

Britania dhe Irlanda (anëtare të BE-së, jo pjesë e Shengenit) kanë tanimë i kanë liruar nga vizat qytetarët e Tajvanit.

Në fakt, zyrtarët përgjegjës të Komisionit i thanë ESI-t që nuk shihnin ndonjë lidhje mes statusit të Kosovës dhe vendimit për ta përfshirë atë në Listën e Bardhë të Shengenit. Një gjë që e bën këtë situatë shumë më të mjegullt është fakti që Komisioni nuk ka dhënë ende asnjë deklaratë zyrtare për ta qartësuar këtë huti.

Një shpjegim tjetër për mungesën e një strategjie kredibile të BE-së për Kosovën do të mund të ishte që ky thjesht paraqet një lëshim nga Komisioni dhe shtetet anëtare të BE-së. Është e vërtetë që për një kohë të gjatë politikanët kosovarë nuk kanë lobuar për liberalizim vizash përkundër homologëve të tyre të vendeve tjera në Ballkan. (Ministri i jashtëm i Kosovës ende nuk ka kërkuar që Kosova të marrë udhërrëfyesin dhe të trajtohet njëjtë si secili vend tjetër ballkanik.) Kosova sigurisht që ka pasur mjaft gjëra për t'u marrë në vitin e parë të pavarësisë përcaktimi i prioriteteve ka qenë i vështirë. Është gjithashtu e vërtetë që zyrtarët e BE-së jozyrtarisht kanë dekurajuar qeverinë nga kërkesat e zëshme.

Në anën tjetër, nëse ky me të vërtetë ka qenë lëshim, do të mund të sanohej lehtë tani. Disa ministra e ambasadorë të Kosovës, si dhe shumica e përfaqësuesve të shoqërisë civile, janë zgjuar së voni dhe kanë kërkuar trajtim të drejtë, jo të veçantë. Qeveria e Kosovës ka miratuar në mënyrë të njëanshme udhërrëfyesin e vet (të modeluar sipas atyre të vendeve tjera rajonale), një plan veprimi, dhe reformat tjera specifike (për listën e detajuar shih Shtojcën). Ajo gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje të dyanshme të bashkëpunimit policor dhe riatdhesimit me vende të ndryshme të BE-së.

Përfundimisht, Parlamenti Evropian është kyçur në këtë debat duke ngritur zërin e vet me ndikim në proces. Më 12 nëntor, ai miratoi mendimin e vet mbi propozimin e Komisionit për viza. Me 550 vota pro, 51 kundër dhe 37 abstenime, parlamenti kërkon "dialog me Kosovën për viza me qëllim të vendosjes së udhërrëfyesit për mundësimin dhe liberalizimin e vizave, ngjashëm me ato të vendosura me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Vlerësimi i rrezikut

Por, çka nëse arsyet e vërteta për refuzimin e dhënies së udhërrëfyesit të Kosovës nuk janë brenga ligjore apo lëshime, por paragjykim më i thellë kundrejt Kosovës dhe kosovarëve? Formulimi i propozimit të Komisionit më datë 15 korrik 2009 sugjeron më shumë këtë shpjegimin e tretë. Ai thekson që udhëtimi pa viza për kosovarëve përbën një rrezik të jashtëzakonshëm për sigurinë. Me fjalët e Komisionit:

"Kosova nën Rezolutën e KS të OKB 1244/99 do të vendoset në Shtojcën I të Rregullores ashtu që personat që banojnë në Kosovë do t'i nënshtrohen obligimit të vizave. Ky propozim motivohet ekskluzivisht nga brengat e sigurisë të përcaktuara objektivisht, sidomos në lidhje me potencialin e migrimit të paligjshëm që lind dhe kalon përmes Kosovës nën Rezolutën e KS të OKB 1244/99. Kjo bëhet pa paragjykim ndaj statusit aktual të Kosovës nën Rezolutën e KS të OKB 1244/99."

Kjo ide e "rrezikut për sigurinë", e mbështetur nga disa shtete anëtare me ndikim, do të shpjegonte insistimin e Komisionit në privimin e udhëtimit pa viza edhe të atyre qytetarëve të Kosovës të pajisur me pasaportat e reja biometrike serbe dhe jo privimit të poseduesve të pasaportave biometrike të Serbisë nëse ata vijnë nga cilido vend tjetër i botës (si për shembull nga Bosnja e Hercegovina).

Por, a mund të jetë e vërtetë që ofrimi i heqjes së vizave për 2 milionë kosovarë popullsi kjo sa e Hamburgut të shihet nga disa si rrezik më i madh sesa hapja e portave për 22 milionë rumunë dhe 8 milionë bullgarë (më 2001) apo 3 milionë shqiptarëve, 7.4 milionë serbëve, 2 milionë maqedonëve, 4 milionë boshnjakëve dhe 670,000 malazezëve?

Kjo duket irracionale për dy arsye. Së pari, vetë ideja e udhërrëfyesit të vizave është të identifikojë dhe trajtojë problemet konkrete që kanë të bëjnë me BE-në. Ofrimi i udhërrëfyesit për Kosovën nuk i premton kosovarëve që do të fitojnë heqjen e vizave pa plotësuar disa kushte mjaft të vështira. Është e kundërta, ai përcakton ndryshimet e domosdoshme dhe shtyn qeverinë e Kosovës të realizojë reforma të caktuara (shpesh të kushtueshme). Ai i ofron shoqërisë civile dhe medieve kriteret në bazë të të cilave do të mbanin qeverinë e tyre para përgjegjësisë nëse reformat ngadalësohen. Së dyti, udhërrëfyesi për viza do t'i jepte EULEX-it mundësi për një rritje qenësore të legjitimitetit duke i mundësuar atij që ta ndihmojë qeverinë e Kosovës në arritjen e qëllimit të përqafuar nga gjithë qytetarët e Kosovës. Veç janë shfaqur individë që sfidojnë legjitimitetin e EULEX-it.

Logjika e mosofrimit të një udhërrëfyesi normal për Kosovën duket të ngushtohet në shpjegimin vijues: institucionet e Kosovës do të bëjnë gjithçka që BE-ja do, pa ndonjë premtim konkret që do të trajtojë Kosovën ashtu si ka trajtuar vendet tjera në rajon. Ministria e Brendshme e Kosovës do të ndërmarrë reforma, të pranojë marrëveshjet e riatdhesimit, si dhe të bashkëpunojë me EULEX-in, edhe pa udhërrëfyes normal.

Tronditja e pritur më 2010

Ekzistojnë arsye të mira për të besuar që trajtimi i Kosovës ndryshe nga fqinjët nuk do të funksionojë. Në fakt, politika e BE-së ka mundësi të krijojë një tronditje të thellë më 2010, pasi qytetarët e Kosovës të kuptojnë se sa të pafavorizuar janë në krahasim me fqinjët e tyre. Në pranverë të 2010-ës, pasi Serbia, Mali i Zi, Bosnja, Shqipëria dhe Maqedonia t'i bashkohen Bullgarisë dhe Rumanisë si shtete ballkanike qytetarët e të cilave gëzojnë mundësinë e udhëtimit pa viza drejt Evropës, kosovarët do të fillojnë të parashtrojnë pyetje të mundimshme rreth udhëheqësve të tyre, BE-së dhe legjitimitetit të EULEX-it. Ndërkohë, politikanët e Kosovës, duke kuptuar që nuk po trajtohen seriozisht që koncepti strikt por i drejtë vlen për të tjerët, jo për ta nuk do të jenë edhe aq të prirë të investojnë në reforma të cilat janë vështira e të shtrenjta.

Përvojat e kohës tregojnë që aty ku përcaktohet një proces i qartë i udhërrëfyesit, fuqia e butë e BE-së rritet në masë eksponenciale. Nëse BE-ja është e interesuar të ndërtojë kapacitetet institucionale në Kosovë, si dhe financon misionin më të madh të sundimit të ligjit në historinë e BE-së, nuk ka kurrfarë kuptimi të mos përcaktojë kushtëzimet më të forta të mundshme. 

Pra, çfarë duhet bërë? Përgjigja është e lehtë dhe mund të gjendet në raportin e Parlamentit Evropian: 

"… Komisioni, brenda kornizave të kompetencave të tij, si dhe në frymën e Rezolutës së KS të OKB 1244 (1999), duhet të fillojë dialogun për viza me Kosovën, me qëllim të vendosjes së udhërrëfyesit për lehtësimin dhe liberalizimin e vizave, ngjashëm me udhërrëfyesit e vendosur me vendet e Ballkanit Perëndimor."

Ministrat e brendshëm të BE-së, që takohen në fund të nëntorit për të vendosur mbi propozimin e Komisionit për viza, do të bënin mirë ta kenë parasysh këtë.

 

SHTOJCË: Hapat e njëanshëm të ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës për të plotësuar kushtet e vizave

Strategjitë:

Udhërrëfyesi: Qeveria e Kosovës zyrtarisht ka miratuar udhërrëfyesin e vet (të njëanshëm), të modeluar afërsisht me shembujt e vendeve fqinje në maj të këtij viti. Si vazhdimësi e kësaj, është angazhuar një ekip konsulentësh për të ndihmuar në përgatitjen e planit të veprimit për koston dhe zbatimin e udhërrëfyesit. Plani i veprimit u miratua nga qeveria në nëntor të vitit 2009.

Pasaportat biometrike: Ministria e Brendshme ka iniciuar një studim të fizibilitetit për prodhimin e pasaportave biometrike në pajtim me standardet e ICAO-s dhe KE-së. Kjo do të hapë rrugën që pasaportat biometrike të lëshohen duke filluar nga mesi i 2010-ës (nëse gjithçka shkon sipas planit).

Strategjia dhe Plani i Veprimit për Migrim: më 10 shtator, Qeveria zyrtarisht adaptoi dhe miratoi Strategjinë e re të Migrimit dhe planin përcjellës të punës. EULEX-i, si dhe UNHCR, IOM-ja, ICITAP (program mbështetës i financuar nga SHBA-të që punon me Ministrinë e Brendshme) kanë qenë gjitha pjesë e grupeve punuese dhe kanë kontribuar me komente. Ato kanë shqyrtuar planin e veprimit dhe kanë pranuar versionin e tij final.

Strategjia dhe Plani i Veprimit kundër Terrorizmit: qysh në majin e 2009-ës, Qeveria ka miratuar strategjinë, si dhe pas saj, edhe planin e veprimit për luftimin e terrorizmit. Edhe në këtë rast ekspertët e EULEX-it kanë qenë të përfshirë në grupin e punës.

Strategjia Nacionale dhe Plani i Veprimit Kundër Drogës: finalizuar dhe miratuar në qershor të 2009-ës, me kontributin dhe pjesëmarrjen e EULEX-it në grupet punuese ndërministrore.

Strategjia Nacionale dhe Plani i Veprimit Kundër Krimit të Organizuar: finalizuar dhe miratuar në qershor të 2009-ës, me kontributin dhe pjesëmarrjen e EULEX-it në grupet punuese ndërministrore.

Ligji mbi Menaxhimin dhe Kontrollin e Integruar të Kufijve Shtetërorë: është miratuar si pjesë e Paketës së Ahtisaarit qysh në majin e 2008-ës (me kontributin e ekspertëve nga ICO/EULEX)

Ligji mbi shtetësinë: është miratuar gjithashtu si pjesë e Paketës së Ahtisaarit qysh në majin e 2008-ës (me kontributin e ekspertëve nga ICO/EULEX). Përveç këtij, janë lëshuar aktet nënligjore dhe udhëzimet administrative, si dhe Zyra e sapothemeluar e Shtetësisë ka filluar të lëshojë "Certifikatat e Shtetësisë" dhe dokumentet tjera.

Strategjia dhe Plani i Veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufijve: finalizuar dhe miratuar në prill të 2009-ës me kontributin dhe pjesëmarrjen e EULEX-it në grupet punuese ndërministrore.

Strategjia dhe Plani i Veprimit për Luftimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore: miratuar qysh në fund të vitit 2008. Në fakt, Raporti mbi Trafikimin Njerëzor (verë 2009), lëshuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ka ngritur Kosovën në grupin 2 (niveli 2) e vendeve duke iu falënderuar përpjekjeve të qeverisë, dhe numrit të vogël të rasteve të trafikimit me qenie njerëzore. Kosova tani renditet mes shteteve tjera të NATO-s dhe BE-së.

Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave: Është përgatitur Ligji i ri për Mbrojtjen e të Dhënave me ekspertët e KE-së (të dërguar si pjesë e mbështetjes teknike nga Twinning/TAIEX) dhe komentuar/shqyrtuar nga zyrtarët e EULEX-it në Ministrinë e Brendshme. Në shtator të vitit 2009, u miratua nga Qeveria dhe tani i është dorëzuar parlamentit për miratim.

Ligji i ri mbi azilin: është miratuar në maj të vitit 2008

Strehimoret (azil, riatdhesim, etj.) KE-ja, me financim nga IPA, ka premtuar të ndërtojë strehimore të reja, por për shkak të vonesave teknike, ato nuk do të përfundohen para pranverës/verës së ardhshme. Si masë e ndërmjetme, Qeveria ka vendosur të rinovojë ish-kazermat e TMK-së (ushtrisë) afër aeroportit të Prishtinës (Magure) për t'i përdorur si strehimore të përkohshme.

Strategjia e re Nacionale e Sigurisë është duke u përgatitur dhe hartuar nga një grup punues ndërministror, udhëhequr nga Ministria e Brendshme.

Strategjia Nacionale për Grumbullimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta është miratuar në nëntor të vitit 2009.

Marrëveshjet e dyanshme:

Tri runde të negociatave me Gjermaninë mbi marrëveshjen e riatdhesimit janë përmbyllur. Vetë marrëveshja do të nënshkruhet në fillim të vitit të ardhshëm, bashkë me një marrëveshje për bashkëpunim policor mes Kosovës dhe Gjermanisë. Tani pritet që romët të riatdhesohen nga Gjermania në numra të mëdhenj.

Negociatat me Zvicrën gjithashtu janë përmbyllur, dhe në shkurt të vitit të ardhshëm, Kosova do të nënshkruajë një Marrëveshje për Migrimin dhe Riatdhesimin me Zvicrën.

Negociatat për riatdhesim janë finalizuar edhe me Norvegjinë dhe Belgjikën. Marrëveshjet do të nënshkruhen së shpejti.

Është nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim policor me Austrinë në gusht. Negociatat për marrëveshjen e riatdhesimit janë në fillim e sipër.

Marrëveshja e bashkëpunimit policor është nënshkruar me Hungarinë. Negociatat për marrëveshjen e riatdhesimit janë në fillim e sipër.  

Kosova gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim policor me Kroacinë.

Marrëveshja për bashkëpunimin policor dhe ajo për riatdhesim me Maqedoninë do të nënshkruhet më 1 dhjetor 2009.

Protokollet për bashkëpunim policor aktualisht po negociohen me Suedinë, Slloveninë, Norvegjinë, Danimarkën, Finlandën si dhe Islandën.

Berlin Pristina, 19 November 2009
Click here to view this document as a PDF file in A4 format. To download the PDF file to your computer, right-click here, select "Save Link/Target As..." in the contextmenu and choose a destination on your hard disk. If you are having problems opening this PDF file, please click here for help. Please note that the PDF version of this document also contains footnotes that are not used in its web version.